E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli kërkon përjashtimin e gjyqtarëve me konflikt interesi nga Gjykata Kushtetuese

Gati shqyrtimi i figurave të lidhurave me sigurimin e shtetit
Në seancën e ardhshme parlamentare që përkon me fillimin e javës, pritet që të miratohet komisioni për verifikimin e figurave të zyrtarëve të lartë, sipas deklaratës së kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli, e cila garantoi se axhenda e Kuvendit nuk do të ndryshojë, duke përjashtuar kështu të gjitha mundësitë për rishqyrtimin e këtij ligji. Axhenda parlamentare nuk do të ndryshojë dhe të hënën sipas parashikimeve të bëra, do të votohet komisioni për verifikimin e figurave. Axhenda parlamentare është axhendë parlamentare, ka deklaruar Topalli. Pas reagimit zyrtar të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin e Dosjeve, kryetarja e Kuvendit ka lënë të kuptohet se qeveria nuk ka ndërmend të ndalet në rrugën që ka nisur për zbatimin e këtij ligji. "Fakti që vëmendja është te ky ligj i veçantë që lidhet me një kufizim për një periudhe të shkurtër të së drejtës për punësim, për disa persona që kanë vrarë në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mua më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes së Shqipërisë, u shpreh Topalli.
Sipas kryetares së kuvendit, Asambleja e KE do të sqarohet përmes një letre që Kuvendi shqiptar tashmë e ka bërë gati dhe procesi do të marrë rrugën e nisur pas miratimit të ligjit të dosjeve, pa kryer asnjë vonesë dhe pa pritur askënd. Në qendër të kësaj letre, qëndrojnë dy kërkesa nga Parlamenti, së pari Gjykata Kushtetuese të mos pezullojë ligjin, dhe së dyti, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që mund të jenë në konflikt interesi, pra kanë qenë prokurorë ose gjykatës në procese politike, të mos marrin pjesë në gjykim. Kryetarja e Parlamentit, e konfirmoi këtë letër ditën e djeshme. Me sa di unë nga parlamenti po përgatit edhe një letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një fakt shumë të rëndësishëm që ne të respektojmë një princip shumë të madh,  që e respektojnë të gjitha gjykatat e botës, principin për shmangien e konfliktit të interesit. Domethënë ai gjykatës që është në konflikt interesi nuk mund të marrë pjesë në gjykim. Ne jemi një  shtet ligjor, ne respektojmë parimet e  shtetit ligjor, ka vijuar Topalli. Në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese thuhet se Kuvendi në respekt të këtij autoritet mendon se çdo gjykim i ligjit që nuk respekton principin e shmangies së konfliktit të interesit, dëmton rëndë parimin themelor të etikës së gjyqtarëve mbi konfliktin e interesit të përcaktuar në ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe në Rezolutën mbi Etikën Gjyqësore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, miratuar në 23 Qershor 2008. Letra citon pikërisht rezolutën që thotë se Gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të paanshme dhe të sigurojnë që kjo paanësi të jetë e dukshme. Ata duhet të kujdesen për të evituar konfliktin e interesit, ashtu si edhe situatat nga të cilat, mund të lindin në mënyrë të arsyeshme konflikt interesi. Letra e kuvendit bëhet më konkrete në sugjerimin për të mos pezulluar ligjin, kur argumentohet se Ligji i Lustracionit nuk ka veprim të menjëhershëm mbi ata që do të verifikohen, pasi ata kanë të drejtën e ankimit në tre shkallët e gjyqësorit dhe vetëm atëherë, papajtueshmëria e funksionit të tyre me ligjin, hyn në fuqi. "As kërkuesit dhe askush tjetër nuk mund të pretendojë se, procesi i verifikimit të subjekteve është antikushtetues dhe si i tillë në vetvete përbën një shkak për pezullimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. Transparenca e çdo zyrtari për të kaluarën e tij është detyrimi minimal kundrejt bashkëqytetarëve të tij. çdokush do të kishte të drejtë të verifikonte fakte dhe rrethana që lidhen me të kaluarën e një zyrtari të lartë në vendin tonë. Nëse do të kërkohej të pezullohej ky proces atëherë kjo do të ishte një shkelje flagrante e Kushtetutës", thuhet me tej ne leter. Letra mbyllet duke theksuar se Kuvendi nuk është kundër gjykimit nga Gjykata Kushtetuese, por situata që me sa duket, ndodhet Gjykata Kushtetuese, kërkon të gjejë mënyrën që të gjykojë jashtë konfliktit të interesit, të gjejë instrumentet për sa kohë të dhënat e bëra publike lënë të kuptojnë se ka anëtarë të gjykatës në konflikt të hapur interesi.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›