Dade: “Miku i Berishës, Grosruk, po mbron manipulimet e zgjedhjeve, njësoj si në 96-n
Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, i cili deklaroi në mbledhjen e fundit të kësaj asambleje se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat të zhvilluara deri tani në Shqipëri dhe se opozita duhet të kthehet në Parlament. Ndaj kësaj deklarate reagoi dje në emër të PS-së, deputetja Arta Dade, e cila tha se z. Grosruk, i njohur si një mik i ngushtë i Berishës, po mbron manipulimet e ndodhura më 28 qershor, ashtu siç bëri edhe me zgjedhjet parlamentare të vitit 1996. “Natyrisht, z. Grosruk njihet prej vitesh, edhe kur Sali Berisha ka qenë në ditët e tij më të këqija, siç ishin zgjedhjet e vitit 1996, zoti Grosruk, duke shkelur të gjitha standardet, edhe të organizatës që përfaqëson, por edhe standardet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme edhe të vendit të tij, Austrisë, ka përshëndetur zgjedhjet e 1996-s, duke i quajtur konform standardeve, zgjedhje për të cilat Shqipëria ka hyrë në të gjitha faqet e historisë europiane, si vendi që ka dhunuar zgjedhjet. Sali Berisha bëri të njëjtën gjë edhe me zgjedhjet e fundit, më 28 qershor dhe sigurisht solli në skenë mikun e tij të vjetër, me të cilin personalisht kam pasur debate edhe në Asamblenë Parlamentare, madje, kur ai ka dalë në krah të Sali Berishës, kur vetë Sali Berisha ka sulmuar institucionet në Shqipëri”, - tha Dade.
Akuzat
Dade, e cila ka qenë anëtare e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, tha se Grosruk ka shkelur rregullat e kësaj asambleje, ndërkohë që shtoi se nuk do të donte të besonte se shumë miq të Berishës kanë interesa ekonomike në Shqipëri. “Kemi të bëjmë me një personalitet, ku shpreh keqardhjen e thellë që flet në emër të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, por sigurisht unë nuk do të doja të besoja që mjaft miq të Sali Berishës janë të lidhur edhe me afera të ndryshme ekonomike në Shqipëri. Unë shpreh bindjen se Asambleja Parlamentare do të diskutojë për zgjedhjet në Shqipëri në sesionin e dimrit, që është sesioni ku diskutohen zgjedhjet dhe nuk besoj që kjo seancë e radhës në Athinë ka diskutuar zgjedhjet e Shqipërisë. Unë besoj që Asambleja Parlamentare do t’u përmbahet standardeve dhe parimeve mbi të cilat është ngritur kjo organizatë euroatlantike dhe sigurisht në kontaktet që ne kemi me Presidentin e Asamblesë Parlamentare, z. Soares, por edhe me Brus Xhorxh, i cili u prononcua dy ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe ju kujtohet që ai ishte tepër kritik dhe në këtë rast ai ishte në cilësinë e përfaqësimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s”, - theksoi deputetja e Partisë Socialiste.
Lobimi
Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste tha se opozita ka nisur një proces të fortë lobimi me ndërkombëtarët për të denoncuar manipulimet e ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit. “Reagimi për zgjedhjet do të vazhdojë gjatë. Opozita është e angazhuar për të vazhduar bashkëpunimin jo vetëm me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, por edhe me të gjitha organizmat euroatlantikë që janë të interesuar për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe sigurisht, z. Heising, që duke thënë se “në një demokraci normale opozita e ka vendin në Parlament”, unë bëj komentin që, sigurisht, në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me demokraci normale, dhe është pikërisht kjo që ne do të vazhdojmë të bëjmë lobingun tonë, ashtu si dhe Sali Berisha e bën këtë lobing për të deformuar realitetin. Ne do të vazhdojmë të lobojmë me të gjithë partnerët tanë, për të bërë prezent realitetin lakuriq të zgjedhjeve në Shqipëri”, - deklaroi Dade.
Toçi: “RTSH-ja është uzurpuar nga partia-shtet”
Partia Socialiste shpreh shqetësimin në lidhje me aktivitetin mediatik të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, tha se RTSH-ja është uzurpuar nga ana e pushtetit dhe e partisë-shtet, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “RTSH është kthyer prej kohësh në një zëdhënës zyrtar të partisë-shtet, duke vendosur praktikisht raporte diskriminimi dhe injorimi për opozitën, duke e goditur drejtpërdrejt atë dhe të vërtetën. Në edicionet e lajmeve dhe programet speciale që jepen si shtojcë e tyre, raporti i kohës pozitë–opozitë shkon nga 1 me 2 deri në 1 me 10, duke injoruar të vërtetën”, - tha Toçi. Ai deklaroi se Partia Socialiste do të kërkojë dorëheqjen e anëtarëve të mbështetur prej saj në Këshillin e RTSH-së, në rast se drejtuesit e këtij institucioni do të vijojnë të keqpërdorin TVSH-në për llogari të qeverisë dhe Partisë Demokratike. “Ne kërkojmë dhe u bëjmë thirrje drejtuesve të këtij shteti dhe institucioneve të tjera të vendit të heqin dorë nga ndërhyrjet, presionet për ta shndërruar përfundimisht RTSH-në në shërbëtor publik, jo të publikut, por të pushtetit; ta lënë të qetë atë në punën e tij, duke i lënë hapësirë të lirë shprehjes së aftësive teknike e profesionale të punonjësve të tij, të cilëve deri tani politika i ka ndrydhur dhe ua ka kufizuar iniciativën. I kërkojmë Këshillit Drejtues të RTSH-së të marrë në analizë veprimtarinë e drejtorisë për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit duke kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra për thyerje të rënda të statusit të institucionit publik. Në rast të mosreflektimit, u kërkojmë anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, veçanërisht atyre të mbështetur nga Partia Socialiste, por edhe anëtarëve të tjerë, veprimtarë të spikatur në profesionet e tyre, të rishikojnë pozicionin e tyre deri në dorëheqje, në shenjë proteste për mosmarrjen në konsideratë të kërkesave të tyre të vazhdueshme për normalizimin e gjendjes”, - tha Toçi.
15 Tetor 2009