KQZ-ja, letër PS-së: “Sillni emrat e komisionerëve për zgjedhjet e pjesshme”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka dërguar një letër Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare për t’u shprehur shqetësimin në lidhje me komisionerët, të cilët do të menaxhojnë procesin zgjedhor të 15 nëntorit në 5 njësitë vendore. Vendimi i Partisë Socialiste për bojkotin e këtyre zgjedhjeve do të bëjë që të mos plotësohet numri i përcaktuar në ligj i komisionerëve në komisionet zonale të administrimit të votës. Për këtë arsye, KQZ-ja ka dërguar një letër ku ka kërkuar nga PS-ja që të dërgojë emrat e komisionerëve, pavarësisht se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, burime pranë KQZ-së thanë se po shikohet mundësia e zëvendësimit të komisionerëve, për sa kohë që Partia Socialiste do të refuzojë të sjellë emrat e tyre në këto komisione. Zëvendësimi i tyre mund të ndodhë për shkak se edhe një tjetër parti parlamentare, PBDNJ-ja, pritet të ndjekë të njëjtën rrugë si PS-ja dhe aleatët e saj, duke bojkotuar këtë proces zgjedhor. Zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit do të zhvillohen në 5 njësi vendore, pasi ish-drejtuesit e tyre dhanë dorëheqjen për shkak se kandiduan për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, zgjedhjet do të zhvillohen në komunën Otllak, në Njësinë Bashkiake Nr. 10, në bashkinë e Klosit, Fushë-Arrëzit si dhe në bashkinë e Fierzës. Vendimi i PS-së për të bojkotuar këto zgjedhje e detyroi Lëvizjen Socialiste për Integrim që të paraqitet në zgjedhjet e pjesshme si forcë më vete dhe me kandidatët e saj. Megjithatë, zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, sqaroi se ky vendim i LSI-së nuk cenon aspak koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike. “Ky vendim i LSI-së nuk cenon aspak koalicionin qeverisës për Integrimin evropian, koalicion i cili ka filluar funksionimin me rezultate të prekshme në të gjithë sektorët, veçanërisht në ata socialë. Vendimi i LSI-së është marrë duke ushtruar përgjegjësisë tona ndaj të drejtave themelore demokratike të shtetasve, të cilët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin midis alternativave personat që do t’i drejtojnë ata në të gjitha nivelet e pushtetit”, - deklaroi dy ditë më parë, Haxhinasto.
15 Tetor 2009