E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BE-së: Ja pikat kritike që pengojnë integrimin e Shqipërisë



Albert Gjoka

Korrupsioni, krimi i organizuar dhe reformat në fushën e Drejtësisë e të pronave vazhdojnë të mbajnë peng ecurinë e mëtejshme të integrimit të vendit në familjen europiane. Në një rishikim të shpejtë të raportit të progresit, publikuar dje, qeveria shqiptare ka marrë vlerësime pozitive vetëm për marrëdhëniet me fqinjët, trajtimin e minoriteteve, ndërtimin e rrugëve, apo sistemin bankar. Thuajse në të gjithë komponentët e tjerë që janë mbajtur në monitorim për periudhën 1-vjeçare, treguesit janë “gri”, ose të ndërmjetëm. Në shumicën dërrmuese të sektorëve përmendet një progres i moderuar me një “por”, gjë që kupton se reformat nuk janë në nivelin e kërkuar nga BE-ja.
Krimi i organizuar dhe trafiqet
Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe pak ditë më parë, por edhe pas përjashtimit nga lista e vendeve të Ballkanit për heqjen e vizave, krimi i organizuar, trafiqet, lufta kundër korrupsionit dhe reformat në Drejtësi vazhdojnë të jenë në shënjestër të kritikave të ekspertëve të Brukselit.
“Krimi i organizuar vazhdon të jetë një shqetësim serioz në Shqipëri”, - thotë raporti. Lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizimit ka shënuar progres të kufizuar. Ajo mbetet prioriteti kyç që është shtruar në Partnershipin Europian. Mbetet për t’u adoptuar një plan specifik veprimi për zbatimin e strategjisë kombëtare kundër krimit të organizuar. Specialistët e Brukselit konstatojnë mangësi në rrafshin e bashkëpunimit mes Policisë, Prokurorisë dhe Gjyqësorit. Sipas tyre, kapaciteti investigues i Policisë dhe Prokurorisë mbetet i dobët. Mbrojtja e dëshmitarëve dhe bashkëpunimi me agjencitë homologe mbetet një prioritet. Raporti konstaton se duhet të bëhen përmirësime ligjore për t’i mbrojtur zyrtarët nga presionet e krimit të organizuar, i cili mbetet shqetësues dhe ushtron presion ndaj sundimit të ligjit dhe mjedisit të biznesit. Përsa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, ka një përparim të moderuar, ndërsa masat antiterrorizëm janë në fazat e tyre të para.
Në lidhje me pastrimin e parave, Shqipëria vazhdon të jetë në fazën fillestare të adresimit të objektivave të saj në këtë fushë. Është duke u bërë vetëm një progres i moderuar në luftën kundër pastrimit të parave, por ka nevojë që të përfundojë struktura legjislative, përshtatja e ligjeve dhe duhet nxitur bashkëpunimi mes Policisë dhe Drejtësisë. “Trafikimi i drogës mbetet një shqetësim serioz, i cili kërkon përpjekje të mëtejshme”, - thotë raporti. Monitoruesit europianë theksojnë se Policia është duke iu adresuar disa prioriteteve të saj, por duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të rritur kapacitetet investigative dhe veçanërisht nxitjen e bashkëpunimit me Prokurorinë dhe gjykatën, si dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore”. Tjetër problem është realizimi i standardeve për mbrojtjen e të dhënave.
Drejtësia dhe korrupsioni
Reformat në sistemin Gjyqësor mbeten në fazë fillestare. Pjesë thelbësore të legjislacionit kanë nevojë që të përfundojnë kuadrin ligjor që nuk është adoptuar. Sistemi gjyqësor vazhdon të funksionojë në mënyrë të varfër, duke shfaqur mangësi në pavarësinë, eficiencën dhe transparencën e tij, pika këto që janë parashtruar si kryesore në Partnershipin Europian. Çelësi kyç për të përmirësuar këtë fushë duhet të jetë një strategji gjithëpërfshirëse. Edhe politika antikorrupsion konstatohet me probleme, sidomos në zbatimin e ligjit. Angazhimi i autoriteteve për të luftuar këtë fenomen nuk është mbështetur me zbatimin konsekuent të ligjit. “Korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, - thotë raporti.
Pronat dhe administrata
Çështja e pronave vazhdon të jetë në shënjestër të kritikave të BE-së. Monitoruesit konstatojnë progres të vogël në konsolidimin e të drejtës së pronës, si një prioritet kyç për Brukselin. Pasiguria për të drejtat e pronësisë vazhdon të bëhet pengesë për zhvillimin dhe funksionin e tregut të tokës dhe thithjen e investitorëve të huaj.
Një tjetër problem i theksuar me forcë nga raporti është ai që ka të bëjë me politikat ndaj administratës publike. Ndonëse është në listën e prioriteteve të BE-së, reformat në këtë sektor nuk janë transparente. Në të jepen detaje për kontratat e përkohshme në administratë, të cilat bëhen mbi motive politike.
Çështjet politike
Zgjedhjet e 28 qershorit vlerësohen me “gojën” e OSBE/ODIHR-it, por theksohet domosdoshmëria e dialogut politik mes partive. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, kjo do të zvarrisë progresin në fushat kyçe të reformave. Duke u ndaluar konkretisht te qeveria, vlerësohet forcimi i strukturave qeverisëse në lidhje me angazhimet e MSA-së, por duhet të forcohen më tej kapacitetet, koordinimi dhe planifikimi strategjik për integrimin në BE. Në shumicën e sektorëve, si peshkimi, mjedisi, transporti, tregu i brendshëm, konkurrueshmëria, stabiliteti makro-ekonomik, ka konstatime të dyfishta.
Vlerësimet pozitive
Nëse pjesa dërrmuese e komponentëve të vlerësimit të raportit janë me ngjyrë gri ose negative, shqiptarët vazhdojnë të jenë fqinjët më të mirë në rajon. Ky fakt konstatohet nga raporti, i cili jep vlerësime pozitive edhe për respektimin e minoriteteve, apo sistemin bankar, disa reforma të realizuara në fushat ekonomike etj. Megjithëse ka vlerësime për rrugët, kritika ka për hekurudhat, apo transportin e kombinuar. Kësaj i shtohet edhe mungesa e energjisë elektrike, ndonëse konstatohet progres.
Ky raport nuk mund të lexohet me nota optimiste në periudhën kur presim liberalizim vizash dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Me aq pak suksese, siç shihen në tabelë, do të jetë e vështirë që Shqipëria të futet në listën e vendeve që e meriton për të hyrë në një fazë të re të raporteve me Bashkimin Europian.

SISTEMI I VLERËSIMIT SIPAS RAPORTIT

Nr Fushat Progres Ndërmjetëm Regres
1 Parlamenti + -
2 Qeveria + -
3 Administrata Publike -
4 Sistemi gjyqësor -
5 Politika Antikorrupsion -
6 Të drejtat e njeriu dhe minoriteteve +
7 Liria e shprehjes + -
8 Të drejtat ekonomike dhe sociale + -
9 Të drejtat e fëmijëve + -
10 E drejta e pronës -
11 Marrëdhëniet me shtete fqinje +
12 Stabiliteti makroekonomik + -
13 Sistemi bankar +
14 Ekonomia e Tregut + -
15 Zhvillimi Sektorial + -
16 Integrimi ekonomik me BE + -
17 Tregu i brendshëm + -
18 Lëvizja e mallrave dhe kapitaleve + -
19 Taksat dhe doganat + -
20 Konkurrueshmëria + -
21 Prokurimet Publike + -
22 Ligji i pronësisë intelektuale -
23 Peshkimi + -
24 Mjedisi -
25 Transporti Rrugor +
26 Transporti Hekurudhor -
27 Transporti i Kombinuar -
28 Energjia + -
29 Informacioni dhe Media + -
30 Statistikat + -
31 Vizat + -
32 Kufijtë + -
33 Azilimi + -
34 Migrimi + -
35 Pastrimi i parave -
36 Trafiku i Drogës -
37 Policia + -
38 Krimi i organizuar -
39 Trafikimi i qenieve njerëzore +
40 Terrorizimi -
41 Mbrojtja e të dhënave + -

15 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›