E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “PS-ja të evitojë qëndrimet ksenofobe”. PS: Meta të publikojë hartën e Marrëveshjes



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka kërkuar nga opozita dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, që të mos nxisë qëndrime ksenofobe në drejtim të Marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Duke folur në lidhje me këtë marrëveshje, Meta e cilësoi atë të ligjshme, duke theksuar se në Parlament do te marrin përgjigje të gjitha shqetësimet, spekulimet dhe falsifikimet që po ngrihen për këtë çështje. Ministri i Jashtëm tha se opozita duhet të vijë në Kuvend për të kontribuuar për transparencën e kësaj marrëveshjeje, ndërsa deklaroi se opozita duhet të shmangë qëndrime të tilla ksenofobe. “Ftoj në mënyrë të veçantë kryetarin e PS-së, por edhe përfaqësues të tjerë të opozitës, të heqin dorë nga frymëzimet ksenofobe apo ekstremiste. Unë dua t’i siguroj që të gjithë se ekspertët kanë punuar me përgjegjësi maksimale në respekt të Kushtetutës dhe të konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Të jeni të sigurt se në Parlament do të marrin përgjigje të gjitha shqetësimet, të gjitha spekulimet dhe falsifikimet që po ngrihen mbi këtë çështje. Është e drejta e kujtdo të thotë çfarë të dëshirojë, sepse ne jemi në vend demokratik, por opozita i ka të gjitha mundësitë institucionale për të ngritur shqetësimet e saj dhe për të kontribuuar për transparencën e kësaj çështjeje. Por jo, e theksoj edhe njëherë tjetër, të frymëzojë dhe të nxisë spekulime dhe falsifikime, të cilat nuk e ndihmojnë as atë dhe as politikën e vendit tonë që të vazhdojë të afirmohet si një politikë konstruktive, si një politikë europiane”, - tha Meta. Ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm ka reaguar Partia Socialiste me anë të deputetes Olta Xhaçka, e cila ka dhënë dje një prononcim për shtyp përpara selisë së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Xhaçka ka kërkuar nga Meta publikimin e hartave të Marrëveshjes me Greqinë në lidhje me këtë çështje. “Unë jam sot në derën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për të kërkuar nga njeriu që e bleu karrigen e ministrit të Jashtëm duke shitur 83 mijë veta te Familja në Pushtet, që të mos flasë për interesin kombëtar të shqiptarëve si një kopjac i rëndomtë i Sali Berishës, po të nxjerrë publikisht hartat e Marrëveshjes shumë shqetësuese për kufijtë detarë. Injorantët dhe bashibozukët e oborrit të Familjes në Pushtet, të cilat kanë përgatitur për arsye ende shumë të errëta një marrëveshje aspak normale me vendin fqinj, nuk mundet as të ndalojnë popullin shqiptar të njihet me këtë marrëveshje, as të ndalojnë Partinë Socialiste të kërkojë llogari deri në fund për interesat kombëtare dhe as të dëmtojë urën e miqësisë që na lidh me Greqinë e me popullin grek”, - tha Xhaçka.

15 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›