Shqiptarët në vagonin e fundit të zgjerimit, paketa për zgjerimin, në kohë të vështirë
Maqedonia fqinje, që prej ditës së djeshme, ka marrë dritën jeshile për të vazhduar më tej rrugën drejt anëtarësimit. Një sukses i tillë vjen menjëherë pas vendimit për liberalizimin e vizave. Ndërkohë, Shqipëria fqinje vazhdon të jetë në vagonin e fundit të procesit të zgjerimit dhe heqjes së traut në kufi, duke u grupuar me Bosnjën. Një panoramë e tillë konstatohet në paketën e zgjerimit që paraqiti dje Komisioni Europian, e cila pritet të kalojë në procedura deri në vlerësimin dhe rekomandimet përfundimtare përgjatë këtyre tre muajve. Komisioni Europian bëri të ditur dje dokumentin, por theksoi se ky proces po realizohet gjatë këtij viti të vështirë krize botërore ekonomike. Vetëm Maqedonia dhe Kroacia shënuan hapa të mëtejshëm. “Komisioni Europian vendosi të rekomandojë hapjen e negociatave me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, - tha zoti Oli Ren dje në Bruksel. Sipas tij, Shkupi zyrtar ka bërë përparime të rëndësishme dhe i ka trajtuar gjerësisht prioritetet kryesore të partneritetit për anëtarësim. Komisioni Europian konsideron se vendi i plotëson sa duhet kriteret politike të përcaktuara nga Këshilli Europian i Kopenhagës i vitit 1993 dhe të Procesit të Stabilizimit dhe Asocimit, dhe rrjedhimisht ka vendosur të rekomandojë hapjen e negociatave për anëtarësim”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Të njëjtin sukses Maqedonia e arriti bashkë me Serbinë dhe Malin e Zi, për liberalizimin e vizave, ndërsa shqiptarët dhe boshnjakët do t’i presin vlerësimet në mesin e vitit 2010.
Në rrugë të mbarë shihet nga Brukseli edhe Mali i Zi, i cili aplikoi për anëtarësim në dhjetor 2008 dhe Komisioni është duke përgatitur opinionin e tij sipas kërkesës së Këshillit. Ndërkaq, Shqipëria e paraqiti kërkesën për anëtarësim në prill të këtij viti. “Komisioni Europian është gati të përgatisë opinionin e vet porsa Këshilli t’ia kërkojë këtë gjë. Zgjedhjet parlamentare përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare. Forcimi i shtetit të së drejtës dhe sigurimi i funksionimit siç duhet i institucioneve shtetërore mbeten sfida të mëdha”, - tha komisioneri Ren. Rezultate pozitive në drejtim të anëtarësimit në familjen europiane ka shënuar edhe Kroacia. Ndërkaq, për herë të parë, Kosova do të ndërtojë një fazë të re marrëdhëniesh me Kosovën.
Procesi i zgjerimit të BE-së po vijon në kushtet e një recesioni të thellë dhe të përhapur, i cili ka prekur si vendet e BE-së, ashtu dhe ato që janë pjesë e procesit të zgjerimit”, - thotë pjesa e paketës së zgjerimit të publikuar dje.
Presidenca suedeze: Paketa e zgjerimit, vlerësimet, në dhjetor të këtij viti
Presidenca suedeze e BE-së ka përshëndetur paketën për zgjerimin dhe raportin e publikuar dje nga Komisioni Europian. Për herë të parë në paketë është përfshirë edhe Kosova. Sipas deklaratës zyrtare, në muajt tetor dhe nëntor do të analizohen pjesë të Paketës së Zgjerimit dhe do të përgatiten pjesët e punës në Këshill. Në muajin dhjetor Këshilli do të adoptojë konkluzionet që reflektojnë pikëpamjet e Këshillit për vlerësimet dhe rekomandimet e Komisionit”. Në deklaratë theksohet progresi, ndonëse në një vit të vështirë si 2009-a, kur bota po përballet me krizën ekonomike. Vëmendje e veçantë i kushtohet bashkëpunimit rajonal në Ballkan dhe një numri çështjesh dypalëshe të pazgjidhura, të cilat kanë ndikime negative në proces.
ASISTENCA E PARAANËTARËSIMIT
Në euro
2007 61.0
2008 70.7
2009 81.2
2010 92.7
2011 94.4
2012 96.3
2013 98.1
Total2007-13 594.4
HAPAT SHQIPËRI – BE
1992 – Firmoset Marrëveshja e Bashkëpunimit dhe e Tregtisë Shqipëri-BE. Shqipëria përfshihet në programin “PHARE”
1999 – BE-ja propozon Procesin e Stabilizim-Asocimit për pesë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë
2000 – Këshilli Europian propozon që të gjitha vendet e përfshira në Procesin e Stabilizim-Asocimit janë potencialisht kandidate për anëtarësim në BE
2003 – Më 31 janar, zyrtarisht, Komisioni lançon bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë
Midis 1991-2004 BE-ja ka alokuar një fond në total 1.273 milionë euro për Shqipërinë, pjesa më e madhe dhënë në programet “PHARE” dhe “CARDS”
Janar 2003 - nisin bisedimet me Tiranën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit
2004 – Në qershor, Këshilli arrin të marrë një vendim rreth parimeve të Partnershipit Europian për Shqipërinë
Nëntor 2005 – Komisioni publikon progres-raportin e tij vjetor për Shqipërinë
Dhjetor 2005 – Këshilli Europian vendos të rishohë Partnershipin Europian për Shqipërinë
12 qershor 2006 – Shqipëria firmos Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në
Shtator 2007 – BE-ja firmos Marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Shqipërinë, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar 2008
28 prill 2009 – Shqipëria paraqet kërkesën për statusin e vendit kandidat të BE-së para presidencës çeke
14 korrik 2009 – Shqipëria përjashtohet nga lista e vendeve të rajonit për të përfituar heqjen e vizave me BE-në
Kryetarja e Kuvendit: “Raporti, realist dhe objektiv”
TIRANË – Menjëherë pasi përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë i dorëzoi dokumentin monitorues kryetares së Kuvendit, zonja Topalli e ka konsideruar raportin e progresit si realist dhe objektiv. Burimet zyrtare të këtij institucioni pohojnë se gjatë takimit, zoti Lohan është shprehur se mesazhi kryesor është inkurajues dhe thekson marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe BE-së”. “Në raport, - tha ambasadori Lohan, - theksohet se Shqipëria e ka zbatuar mirë MSA-në dhe ka adresuar në përgjithësi kriteret politike”, - thuhet në njoftimin e Kuvendit. Një problem i rëndësishëm që u diskutua në takimin me ambasadorin Lohan ka qenë përafrimi i legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE-së. Zonja Topalli u shpreh se “ky raport do t’u shpërndahet të gjithë deputetëve dhe do të përbëjë një udhërrëfyes për Parlamentin”.
Ambasadori Lohan: “Shqipëria të plotësojë standardet e kërkuara”
Qeverisë dhe institucionet shqiptare i duhet punë për të përmbushur detyrimet dhe standardet e kërkuara. Ky ishte mesazhi që përcolli dje ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, zoti Helmut Lohan, gjatë prezantimit të raportit të progresit për vitin 2009. “Zgjedhjet ishin më të mira se të mëparshmet, por partitë duhet t’i diskutojnë në Parlament pikëpamjet e tyre lidhur me konkluzionet e raporteve vëzhguese”, - u shpreh Lohan. Ambasadori deklaroi se Shqipëria ka një shans realist që të plotësojë kriteret për procesin e liberalizimit të vizave, me qëllim që propozimi të mbërrije në mes të vitit 2010. Përfaqësuesi ndërkombëtar përmendi një sërë sfidash që duhet të plotësojë vendi duke nisur që nga pavarësia e institucioneve, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, zgjidhja e çështjes së pronave, eliminimi i ekonomisë informale e shumë hallka të tjera.
Gjatë konferencës së djeshme, zoti Lohan nuk bëri asnjë deklaratë në lidhje me fatin e kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, ndonëse kanë dalë raportet për zgjedhjet dhe monitorimi vjetor për reformat që ka bërë qeveria shqiptare gjatë këtij viti.
15 Tetor 2009