Dade: Strukturat paralele destabilizojnë Kosovën
Partia Socialiste deklaroi dje se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe vlerëson pjekurinë me të cilën autoritetet e shtetit të Kosovës, si dhe opinioni i gjerë publik, trajtojnë edhe këtë situatë delikate. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Arta Dade, mbështeti Presidentin Sejdiu, Kuvendin e Kosovës, Kryeministrin Thaçi, në të gjitha hapat e ndërmarrë në respekt të Kushtetutës, Deklaratës së Pavarësisë, kuadrit ligjor në zbatim të planit Ahtisari. Sipas saj, çdo përpjekje për të imponuar struktura të tjera paralele në mënyrë të veçantë në zonat me shumicë serbe do të çonte në destabilizim të vendit e do të krijonte pengesa për zbatimin e ligjit në të gjithë territorin për një sistem drejtësie dhe policor të unifikuar. "Inkurajojmë bashkëpunimin e mëtejshëm, sikurse është shprehur edhe Presidenti Sejdiu, të institucioneve të Kosovës me BE-në, NATO-n dhe OKB-në", theksoi Dade. PS vlerëson angazhimin e SHBA-së përmes nënsekretarit të Shtetit, zotit Frid, i cili ka nisur konsultimet për këtë çështje me institucionet e Kosovës dhe ato të OKB-së, teksa shpreh bindjen se OKB, sipas udhëzimit të sekretarit të Përgjithshëm, do të përfundojë në kohë procesin e nisur për kompetencat e UNMIK-ut. Socialistët mendojnë se komuniteti serb si pjesë integrale e Kosovës duhet të shohë tek EULEX dhe institucionet e shtetit të tyre, pra të Kosovës, garancinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre. Dade shpreson se Beogradi do të ndërgjegjësohet që pavarësia e Kosovës dhe funksionimi i shtetit të ri të Kosovës janë një proces pa kthim.