E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në Ohër, merr pjesë në Forumin Rajonal Ekonomik

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të marrë pjesë sot në Forumin Rajonal Ekonomik që do mbahet në Ohër. Zyra e shtypit të Presidentit bën të ditur se në këtë samit do të marrin pjesë edhe presidentë të tjerë të rajonit, si Presidenti i Maqedonisë, Kroacisë, Bullgarisë, Bosnjë-Hercegovinës e Malit të Zi. Nga njoftimi bëhet i ditur se tema e forumit është "Konkurrentë dhe partnerë në rrugën drejt BE". Gjatë diskutimit të kësaj teme do të përfshihen çështje të impaktit të krizës financiare në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore, të infrastrukturës në rajon, të tregut të energjisë, por sidomos të shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit ekonomik e tregtar në këtë rajon. Mësohet se në fjalën e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të përqendrohet në bashkëpunimin e ndërsjellët me vëmendje të veçantë në opinionin e vendit tonë, në këndvështrimin e përpjekjeve që duhet të bëjnë bashkërisht të gjitha vendet e rajonit për të përballuar ndikimin e krizës globale financiare, të energjisë dhe rrezikut të rënies ekonomike. Gjithashtu Presidenti Topi do i kushtojë vëmendje në fjalën e tij, aktualitetit politik dhe zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës dhe përfshirjes së saj në nismat rajonale dhe në proceset e përbashkëta integruese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›