Haxhinasto: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme
Lëvizja Socialiste për Integrim theksoi dje se Kosova është një vend sovran dhe çdo veprim ndërkombëtar që lidhet me të është i domosdoshëm të marrë pranimin e popullit dhe të institucioneve të zgjedhura të tij, Kuvendit dhe qeverisë. Edmond Haxhinasto tha se të gjitha këto veprime ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me Kosovën, duhet të jenë të bazuara mbi parimet dhe mbi atë çfarë është sanksionuar tashmë në Kushtetutën e Kosovës, në Deklaratën e Pavarësisë, por edhe në dokumente të tjera të rëndësishme, siç është plani i veprimit midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. "Ne vlerësojmë se shtrirja e funksionit të EULEX-it në të gjithë Kosovën është në përputhje të plotë me frymën e planit të Ahtisarit dhe me gjithë filozofinë që ka shoqëruar procesin e pavarësimit të Kosovës", u shpreh Haxhinasto. Sipas tij, është e domosdoshme që diplomacia shqiptare dhe shteti shqiptar të mbajnë qëndrime të qarta, energjike dhe të shpejta, me qëllim që të mos kemi asnjë devijim nga ky proces. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konstatoi Haxhinasto, kanë një vijueshmëri të qëndrimeve të tyre për Kosovën. "Unë nuk pres që të ketë ndryshime në politikën e Shteteve të Bashkuara për Kosovën. Sigurisht, veprimtaria ose intensiteti i veprimeve të ndryshme të faktorëve ndërkombëtarë është rritur në këtë moment", nënvizoi Haxhinasto.