E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia është një mision i realizuar nga Kapelo

Kur mori drejtimin e Anglisë, një vit më parë, tekniku italian Kapelo shpalli sfidën e tij: "Të rikthehet besimi në skuadrën e ‘Tre Luanëve‘. Dhe pas 12 muajsh, nuk ka më asnjë dyshim: misioni është realizuar. Këtë rezultat të trajnerit italian e konfirmon jo vetëm fitorja e së mërkurës në mbrëmje 2:1 e Anglisë ndaj Gjermanisë në Berlin. Mënyra se si ai e ka drejtuar Anglinë në këto 12 muaj është shumë mbresëlënëse. "Kur fillova punën, ajo që nënvizova ishte: skuadrës së Anglisë i duhej rikthyer besimi. Futbollistët më kuptuan. E pamë në këtë ndeshje, unë e kam evidentuar edhe në stërvitje. Të gjithë jemi me të vërtetë të kënaqur". Kapelo nuk e fsheh se ka arritur objektivat e përcaktuara për vitin e parë të punës. Që nga mbrëmja e zezë e Uemblit, kur Anglia dorëzohej përballë Kroacisë, duke humbur 2:3 dhe eliminohej nga finalet e "Euro 2008", skuadra e Kapelos ka arritur shtatë fitore, një barazim dhe një humbje të vetme me Francën, në marsin e këtij viti. "Mendoj se do të ishte e pamundur të bënim më mirë se kaq, komentoi tekniku italian. Kemi luajtur nëntë ndeshje dhe kemi hedhur shumë hapa përpara".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›