Çelsi mendon për rinovimin e Balak
Futbollisti gjerman, Mikael Balak, ka deklaruar qartësisht se do të dëshironte të qëndronte te skuadra angleze e Çelsit deri në përfundim të karrierës së tij. Por lajmi i ri i këtyre ditëve të fundit ka të bëjë me faktin se dëshira e tij mund të realizohet shumë shpejt. Gjithçka është bërë e njohur nëpërmjet tabloidit të njohur anglez "The Sun", sipas të cilit, klubi që ka për pronar rusin Roman Abrahamoviç është i gatshëm që të japë dritën jeshile për të nisur tratativat për rinovimin e kontratës së tij. Futbollisti 32-vjeçar gjerman, i cili u transferua nga rekordmenët e Bundesligës, Bajerni i Mynihut, në drejtim të klubit londinez, ka qenë një ndër më të mirët e skuadrës së tij në dy sezonet e fundit në Premier League.