Enrico Crispolti: Duke kujtuar Futurizmin
Më 20 tetor në Tiranë, "Italishtja mes shkencës, artit dhe teknologjisë"
"Italishtja mes shkencës, artit dhe teknologjisë" është tema e zgjedhur për edicionin IX të Javës së Gjuhës Italiane në Botë. Nga 20 deri më 23 tetor mbahen në Tiranë iniciativa të shumta dedikuar kësaj teme, të organizuara nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me disa institucione kulturore shqiptare.
Për të kujtuar njëqind vjetorin e publikimit të Manifestit të Parë të Futurizmit, dy konferenca do të trajtojnë këtë lëvizje avangardë nga pikëpamja artistike dhe letrare: Profesor Enrico Crispolti, historian i artit kontemporan që është eksperti më i mirë italian i Lëvizjes futuriste, do të inaugurojë, më 20 tetor, edicionin IX të Javës me referatin "Identiteti dhe karakteri historik i Futurizmit". Profesor Matteo D'Ambrosio, pedagog Letërsisë në Universitetin "Federico II", jep një bilanc kritik të poezisë dhe letërsisë futuriste.
Te dyja konferencat zhvillohen pranë Fakultetit Histori Filologji - Departamenti i Letërsisë. Prezantohet gjithashtu pranë Liceut Artistik "Jordan Misja" në Tiranë ekspozita mbi veprën e një prej protagonistëve të Futurizmit, Mino Delle Site, e vënë në dispozicion nga Arkivi i Site dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Rreziku sizmik i Shqipërisë dhe tragjedia e fundit e ndodhur në Abruzzo e bëjnë aktuale ndërhyrjen që Prof. Arch. Mario Antonio De Cunzo do të mbajë të enjten më 22 tetor, mbi temën e restaurimit të objekteve kulturore në zona sizmike, mbi bazën e eksperiencës së tij si drejtor për provincat e Avellinos dhe Salernos pas tërmetit shkatërrimtar të 1980-ës.
Pranë Fakultetit të Inxhinierisë, ku do të bëhet konferenca, prezantohet dhe ekspozita "Guglielmo Marconi - pionier i radiokomunikimeve, Çmimi Nobel në Fizikë 1909", e promovuar nga krahina e Emilia Romagna-ës.
Shkencave politike do t'i dedikohet të premten 23 tetor pranë Universitetit Evropian të Tiranës, konferenca e Profesor Gianfranco Pasquino, pedagog i Shkencave Politike në Universitetin e Bolonjës, student i Norberto Bobbio-s e Giovanni Sartori-t, me titull "Demokraci ideale dhe demokraci reale".
Argëtues premton të jetë spektakli "Matematika në kuzhinë" që Compagnia Pupi e Fresedde - Teatro di Rifredi e Firences prezanton më 20 tetor, në Teatrin Kombëtar.
Së fundmi do të projektohen disa filma, mes të cilëve "Ngjyrat e rinisë" mbi jetën e Umberto Boçioni-t, një nga piktorët më të mëdhenj të Lëvizjes Futuriste e "Enzo Ferrari".
Bashkëpunimi me Ambasadën Zvicerane në Shqipëri, prezanton më 22 tetor, një konferencë, më parë në Shkodër, dhe më pas në Tiranë, të Profesor Claudio Rossetti-t, Drejtor i Fondacionit "Monte Verità" të Askonës, mbi temën "Monte Verità si vend takimi, i utopisë dhe avangardës".
Për Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës
Në kuadër të festimeve me rast Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, organizohen sot disa aktivitete.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor mban një koncert me pjesë të zgjedhura klasike në hollin qendror të institucionit, në të cilën do të interpretojnë solistët më të mirë të T.K.O.B.A.P. Në mbrëmje shfaqet opera "Porgy and Bess" e G. Gershwin në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane.
Arkivi Qendror i Filmit organizon për nder të "Shën Terezës së Shqiptarëve" shfaqjen e dy filmave dokumentarë "Aleluja!", prodhim i Albafilm Studio i vitit 1992, me regji të Kristaq Mitros. Po nesër në mesditë, shfaqet dokumentari "Kardinali i parë shqiptar" mbi figurën e Mikel Koliqit, dhe ky prodhim i Albafilm Studios me regji të Rikard Ljarjes.
Galeria Kombëtare e Arteve është e hapur dhe me orar të zgjatur në mënyrë dhe publiku të mund t'i vizitojë të gjitha ambientet e galerisë pa biletë. Ndërsa Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve prezanton ekspozitën e piktorëve të vegjël, të cilët kanë punuar me motivin e figurës së Nënë Terezës.
"Ditët e Naimit" sjellin poetë botërorë në Tetovë
Kanë filluar në Tetovë "Ditët e Naimit" me ceremonialin e nderimit me një buqetë lulesh pranë shtatores së Naim Frashërit. Më pas është ndjekur ekspozita e quajtur "Pelikani" me pjesëmarrjen e piktorëve nga Rumania, Greqia dhe Shqipëria.
Në orën 20.00 me recitimin e "Fjalëve të qiririt" fillon mbrëmja e 13-të poetike me pjesëmarrjen e 22 poetëve nga rajoni dhe nga bota si" Laure Cambu (Francë), Jorgen Sone (Danimarkë), Robert Davis dhe Jirg Wauther (SHBA), Jean Luck (Belgjikë), Stephan Despatie (Kanada), Amir Or (Izrael, Silike Lirie Blumbach (Gjemani), Sabri Kushkoman (Turqi), Giuzzepe Napolitano (Itali), Valerio Orliç dhe Vesna Preshnjak (Koraci), Anton Baev dhe Tatjana Jotova (Bullgari), Mariza Çardaklia (Bosnje), Jeton Kelmendi (Kosovë), Agron Tufa dhe Besnik Mustafaj (Shqipëri), Lulëzim Haziri dhe Slavço Kolokovski (Maqedoni) dhe midis tyre edhe laureati i sivjetëm i "Ditëve të Naimit" francezi Lionel Ray, të cilit iu akordua çmimi nga drejtori i festivalit Shuaip Emërllahu. Të gjithë të pranishmit që kanë marrë pjesë në këtë manifestim të madh të poezisë botërore kanë shprehur dëshirën që Tetova të kthehet në një qendër të lirikës botërore.