Pranga "policit", kërkonte para për eshtrat e të vdekurve
OPERACIONI/ Policia e Lezhës ka arrestuar Gjin Ndrecajn i cili mashtronte familjarët që kishin humbur të afërmit në tragjedinë e 9 janarit
LEZHË - Është vënë në pranga Gjin Ndrecaj gjatë ditës së shtunë teksa merrte para nga një shtetas i cili kishte humbur të afërmit e tij në tragjedinë e 9 janarit në kanalin e Otrantos. Operacioni "Grepi" i realizuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë dhe Komisariati i Lezhës i ka dhënë fund të shtunën mashtrimit të një 51-vjeçari i cili prezantohej si polic i Interpolit, me emrin Gjon Marku, duke kërkuar para në këmbim të gjetjes së eshtrave të të afërmve të vdekur në Otranto.
Ngjarja
Duket se gjithçka ka filluar pak kohë më parë. Gjin Mark Ndrecaj, 51 vjeç, lindur dhe banues në Spiten të komunës Zejmen të Lezhës ka gjetur një mënyrë për të fituar para, duke shfrytëzuar dhimbjen e personave që në tragjendinë e 9 janarit në kanalin e Otrantos kishin humbur fëmijët ose të afërmit e tyre. Duke ditur se për të pasur një varr ku mund të qanin të vdekurit, familjarët do të bënin gjithçka, ai është prezantuar te disa familje, të cilëve u ka këkruar nga 1 milionë lekë (të vjetër) përkundrejt gjetjes së eshtrave. Një gjë e tillë duket se është pranuar, por ka pasur edhe nga ata që janë treguar mosbesues. Kështu, një nga familjarët ka komunikuar me policinë dhe ka njoftuar lidhur me faktin se një polic i Interpolit me emrin Gjon Marku po kërkonte para duke premtuar gjetjen e eshtrave të dy familjarëve të tij, të vdekur në Otranto.
Pas marrjes së këtij informacioni, policia e Lezhës ka kërkuar bashkëpunimin e personit, duke e drejtuar atë në mënyrë që të fuste në kurth personin mashtrues. Si rrjedhojë është realizuar edhe operacioni "Grepi". Kryefamiljari ka pranuar që të takojë të ashtuquajturin Gjon Marku dhe pas bisedës me të në kryqëzimin e Shëngjinit, në stacionin e furgonëve, i ka dhënë edhe paratë që ai ka kërkuar për gjetjen e eshtrave të dy familjarëve të tij të vdekur. Në kohën që është bërë dhënia e parave, agjentët e policisë kanë ndërhyrë duke vënë në pranga "policin".
Hetimi
Burimet zyrtare të policisë së Lezhës bënë të ditur se në pranga është vënë 51-vjeçari Gjin Ndrecaj. Në momentin e arrestimit atij iu gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale një granatë dore bashkë me ndezësin, një pasaportë në emër të shtetasit Nikolin Ndoj, një kartë identiteti të një vajze nga Kallmeti, telefonë, fletore me adresa, të cilat i mbante me vete në një çantë dore. Sipas zëdhënëses Elona Nika, po punohet në mënyrë që të dokumentohen të gjitha rastet e mashtrimit që mund të ketë kryer ky shtetas kundrejt personave që kanë humbur të afërmit në Otranto. Gjithashtu po hetohet edhe nëse Ndrecaj ka precendentë të tjerë në drejtim të mashtrimit. Ndaj tij rëndon akuza e "vjedhjes me anë të mashtrimit".