Berisha: Brenda mandatit, investimet turke, 1 miliard dollarë
Kryeministri Sali Berisha priti dje ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoğlu, ku kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se në katër vite, investimet turke në Shqipëri shkuan nga 50 milionë dollarë në vit, në 1 miliard dollarë brenda mandatit. Sipas Kryeministrit shqiptar, marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelet më të larta. Kompani nga më të mëdhatë dhe më seriozet turke janë duke zhvilluar aktivitete të suksesshme në Shqipëri. Kryeministri Berisha dhe ministri turk shprehën vendosmërinë e të dy qeverive që në vijim të zgjerohet bashkëpunimi edhe më tej në të gjitha fushat, në veçanti në turizëm, arsim, transporte etj. “Populli shqiptar dhe populli turk janë të lidhur me mijëra fije miqësie tradicionale ndjenjash solidariteti dhe jemi të lumtur që gjatë viteve të fundit kjo miqësi dhe këto marrëdhënie të shkëlqyera kanë njohur rritje dhe konsolidim të mëtejshëm dhe kanë arritur nivelet më të larta”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Ministri turk, pasie falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më miqësore të Presidentit të Turqisë, zotit Abdullah Gyl, dhe Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Duke iu bashkuar vlerësimit të Kryeministrit Berisha, ministri turk Davutoğlu u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se Turqia vlerëson lart kontributin personal të Kryeministri Berisha dhe të qeverisë së tij në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes dy vendeve dhe popujve miq, atij turk dhe atij shqiptar, dhe në intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve, në të mirë të mirëqenies dhe begatisë të të dy popujve. Në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm turk Davutoğlu shprehën qëndrimin e të dy qeverive për mosndryshim të kufijve të Bosnje-Hercegovinës si dhe për mosndryshim të kufijve ndërkombëtarë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si garancia e vetme për paqen dhe sigurinë në rajon.