Dade: Vazhdojmë protestat për demokracinë
Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, deklaroi dje se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, edhe një herë na jep leksione demokracie për mazhorancën shqiptare. “Në demokraci, politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi funksionojnë. Përkundrazi ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe znj. Topalli më se njëherë e ka kryer këtë detyrë më së miri, duke dëmtuar imazhin e vendit”, u shpreh Dade. Ajo i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, vijoi Dade, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. “Konstatimi sipas medias se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson vlerat e Europës është një mësim tjetër që mazhoranca duhet ta marrë. Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë protestat në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të vlerave europiane që shqiptarët aspirojnë”, theksoi Dade. Gjithashtu ajo çka zonja Topalli ka bërë ditët e fundit, nënvizoi Dade, bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë prestigjiozë, të cilët i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhin krizën funksionale, politike dhe institucionale përmes dialogut. “Ajo çfarë ka ndodhur sot në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës”, u shpreh Dade.
#