E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri vetëm për policët, nuk flet në analizën e policëve

Koment

është i dyti vit radhazi që Kryeministri ynë shfaqet para policëve, lavdëron, kritikon e flet me pasion, por për policët nuk thotë asgjë. Flet për suksese të papara dhe për korrupsion që vrau katër policë, flet për shifra kriminaliteti pa thënë asgjë se si ka ndihmuar e si do ndihmojë ai në luftën kundër krimit. Thotë se janë ulur vrasjet, por nuk përmend se sa është numri i krimeve të evidentuara në tërësi etj., etj. është metodë tashmë e njohur dhe shumë spekulative pjesëmarrja e Kryeministrit të radhës në analizën vjetore të policëve. Si gjithë pjesëmarrjet e tjera, dhe kjo e fundit nuk kishte si të sillte gjë të re. Përveçse amulli idesh e konceptesh në luftën kundër krimit, çka për një specialist që di ta lexojë atë çfarë ndodh në fakt në Policinë e Shtetit, situata nuk është aspak optimiste. Unë për të dytin vit radhas kam vendosur t’i kujtoj Kryeministrit se pjesëmarrja e tij në analizën e Policisë së Shtetit nuk solli asnjë dobi, përkundrazi e turbulloi më tej perspektivën e mijëra policëve që edhe sivjet prisnin më shumë nga Kryeministri. Që të jemi më konkret, është e udhës që të ndalemi në disa çështje themelore që Kryeministri as nuk i dinte, as nuk ia tregoi njeri dhe ka rrezik të mos i marrë vesh ndonjëherë.
1 - Zoti Kryeministër!
Policët tanë, me të cilët folët dhe me ata që nuk i patë, por i kishit në mendje, jetojnë akoma me rroga qesharake. 30 000 lekë të reja e ka rrogën polici i shërbimit nëse nuk e di. Kushtet e jetesës dhe shërbimit në ambientet e komisariateve, stacioneve të policisë dhe deri të drejtorive janë në nivele skandaloze në shumicën e godinave. Uniforma, shpërblimet për punën e kryer dhe orët jashtë orarit janë të papërfillshme. Siguria në punë dhe transporti në shërbim janë inekzistente. Përkujdesja për familjarët e punonjësve të policisë dhe kushtet e strehimit të tyre në shumicën e rasteve janë skandaloze. Ti dhe qeveria jote sapo keni miratuar një ligj që shkurton trajtimin me pension të parakohshëm të atyre që dalin të papunë në nivele fyese. Sindikata e Policëve në detyrë së bashku me ata që janë në pension e kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese dhe presin vendimin. Por ti nuk the asnjë fjalë për gjithë këtë problematikë. Nuk kishe faj, sepse ata që të shoqëronin fytyrëqeshur në podium nuk i ndjejnë këto halle. Ti jo e jo. Prandaj për policët nuk the asgjë.
2 - Zoti Kryeministër!
Të pashë të ekzaltuar, duke folur për suksese pa fund kundër bandave e banditëve, na e mbushe mendjen se gjithçka e ke bërë mirë. Po harrove të tregoje se numri i krimeve në vitin 2005, kur erdhe në pushtet në 2005-n ishte 8200. Ndërsa në dy vitet e fundit ti, krenar, ke raportuar bashkë me stafin tënd se janë raportuar 13300. Plot 5000 krime më shumë. Ose mund të themi 1000 krime më shume për çdo vit. Përmende vetëm vrasjet. Por kriminalitet nuk do thotë vetëm vrasje. Përmendët korrupsionin dhe se policët në Durrës u vranë për atë shkak. Por nuk thatë që përveç asaj, policët u vranë se operacioni duhej të kryhej patjetër me ata policë për të shmangur dizinformacionin që mund të vinte nga nja klan që kishte lidhje me autorin e krimit. Dhe policët sakrifikuan jetën që të kapej autori zoti Kryeministër. Se po ta merrnin vesh disa të tjerë, ai nuk do kapej kurrë dhe policet do jetonin. Por kjo më duket se nuk ju interesonte. Se ata që donin ta kapnin, lanë postet. Ata që ndihmonin kriminelin janë rehat në postet që ju ke dhënë në Policinë e Shtetit. Kur të zbardhet pas ca kohësh kjo ngjarje, nëse nuk e ke marrë vesh akoma, do ta marrësh më vonë dhe do habitesh se si nuk dije gjë kur ishe Kryeministër. Të sugjeroj ta lexosh më me kujdes këtë ngjarjen e Durrësit, që të mos shpërtheje një ditë si Gërdeci.
3 - Zoti Kryeministër!
Nuk thatë asgjë se si do depolitizosh realisht Policinë e Shtetit. Se si punonjësit e policë të mos gjenden lokaleve me gotën e rakisë dhe me këngën: “Shqipëria po ndryshon” që ju a ke futur në kokë ti. Nuk the asgjë se ju ke vënë në krye një ministër që është i akuzuar nga drejtësia për korrupsion dhe të paktën në atë dikaster nuk duhej të ishte. Nuk the asgjë se policia e vetme nuk mund të bëjë gjë, se ti e ke konfrontuar me prokurorinë, gjykatën dhe me SHISH. Dhe nëse një hallkë e këtij zinxhiri nuk funksionon në harmoni, vetëm për luftë antikrim e aq me tepër kundër krimit të organizuar, nuk bëhet fjalë. Nuk the asgjë që administrata juaj e shtetit është shkelësja më e madhe e ligjit dhe se, kur do “t’ia heqësh qafe” Policisë së Shtetit bashkë me pjesën me fuqi ekonomike që mbështet qeveria juaj. Ka plot gjëra të tjera për të thënë, por nëse do flisje e merrje masa për të rregulluar këto që thashë më lart, do ishte një investim serioz për policinë dhe të ardhmen e luftës kundër krimit.
Pjerin NdreuIsh-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›