Mediu: Gjyqi? Tendencë për të më goditur politikisht
Ish-ministri i Mbrojtjes: Kam marrë përgjegjësi morale e politike. I mituri nuk pranon pajtim. Dialogu, në gjykatë
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u ka kërkuar ndjesë familjarëve të të plagosurve nga tragjedia e Gërdecit, duke pohuar se për këtë ngjarje ka marrë përgjegjësi morale dhe politike. Ministri aktual i Mjedisit në kabinetin “Berisha” është paraqitur dje rreth orë 09:00 të mëngjesit në seancën pajtimore me dy të plagosurit e tragjedisë, të cilët e paditën për plagosje me dashje. I shoqëruar nga dy avokatët dhe truproja, Mediu ka marrë pjesë personalisht në seancën gjyqësore, me kërkesë të Gjykatës së Lartë. Ish-ministri i Mbrojtjes i ka kërkuar ndjesë gjykatës dhe palës paditëse, në këtë rast 11-vjeçarit Roxhers Durda, për mosprezencën në seancën e parë, pasi kishte disa angazhime politike. Por ka deklaruar në seancën me dyer të mbyllura se procesi është një tendencë për ta goditur politikisht, pasi gjatë hetimeve në prokurori dhe gjatë procesit në Gjykatën e Lartë është treguar korrekt, duke bashkëpunuar me drejtësinë. Seanca ka vazhduar plot 200 minuta dhe në fund palët në proces nuk janë pajtuar. Gjykata e Lartë e ka shtyrë seancën gjyqësore për në datën 15 shkurt, me arsyetimin se do të vendoset për bashkimin e dy padive që kanë të njëjtin objekt dhe të akuzuar.
Seanca gjyqësore
Rreth orës 09:00, deputeti i vetëm në Parlament i Partisë Republikane, është paraqitur në Gjykatën e Lartë, me kërkesë të kësaj të fundit, pasi dy nga të plagosurit e tragjedisë së Gërdecit e kishin paditur. Së bashku me avokatët Ardian Visha dhe Petrit Serani, është ngjitur në katin e dytë të Gjykatës Supreme. Në seancë gjyqësore ishin të pranishëm Roxhers Durdaj, i shoqëruar nga i ati, Rigoni, dhe nga avokatët e lëvizjes “Mjaft!”. Në fillim të seancës gjyqësore iu dha fjala ministrit Mediu. Ai u kërkoi ndjesë familjarëve të të plagosurve për mosprezencën në seancën e parë për impenjime në detyrën si ministër i Mjedisit. Më pas deklaroi se procesi që është hapur në këtë gjykatë, është politik. Më tej shtoi se nuk e ka pasur në “dorë” fabrikën, pasi ishte ministër. Më tej tha se për ngjarjen ka marrë përgjegjësi politike e morale. Pas fjalës së Mediut, e mori fjalën babai i të miturit Roxhers Durda, Rigoni, duke deklaruar se, “unë dua drejtësi, dhe dua të vazhdoj gjykimi deri sa të dalë e vërteta”. Më tej shtoi se nuk ka rëndësi se kush janë të paditurit, por rëndësi ka që të gjithë personat përgjegjës për plagosjen e të birit, të ballafaqohen me drejtësinë. Rigon Durdaj tha se personi i paditur i është shmangur drejtësisë, duke i kërkuar ish-ministrit të Mbrojtjes që të heqë imunitetin dhe të vihet përballë drejtësisë. Më pas e mori fjalën sërish ish-ministri i Mbrojtjes, duke shtuar se nuk i është shmangur asnjëherë drejtësisë pas ngjarjes së Gërdecit. Në lidhje me imunitetin që mban pas zgjedhjes si deputet në Kuvendin e Republikës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, deklaroi se miratimi duhet të realizohet nga mazhoranca. Në fund ai tha se i gjithë procesi që është hapur në gjykatë është një tendencë për ta goditur politikisht dhe i kërkoi palës paditëse të pajtohen, pasi për këtë ngjarje ka marrë përgjegjësi morale dhe politike. Megjithatë, pala paditëse firmosi në fund një shkresë ku thuhej se nuk mund të pajtoheshin dhe i kërkoi gjykatës që të vazhdojë shqyrtimin gjyqësor.
Vendimi i gjykatës
Pas seancës me dyer të mbyllura, zyra e marrëdhënieve me publikun në Gjykatën Supreme ka shpjeguar juridikisht vendimin që kishte marrë Kolegji Penal mes palëve; i paditur Fatmir Mediu dhe i dëmtuar akuzues, Roxhers Durdaj. “Pasi ka dëgjuar palët e paraqitura personalisht në gjykatë dhe pasi nuk është arritur mes tyre pajtimi, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka konstatuar se në Gjykatën e Lartë janë të regjistruara dy çështje në të njëjtën datë, 18.11.2009. çështja me nr. 4, me palë të dëmtuar akuzues Roxhers Durdaj, kundër Fatmir Mediut, për akuzën e plagosjes së rendë nga pakujdesia, si dhe çështja me nr.5, me palë të dëmtuar akuzues Alekta Hazizaj, kundër Fatmir Mediut, për akuzën e plagosjes së rëndë nga pakujdesia”, thuhej në vendim. Sipas saj, duke qenë se këto çështje qëndrojnë në të njëjtën gjendje dhe shkallë përpara së njëjtës gjykatë, si dhe për faktin se të dyja këto çështje janë kundër të njëjtit person për të njëjtin fakt penal të pretenduar dhe meqenëse për shkaqet e mësipërme nuk dëmtohet shpejtësia e zgjidhjes së tyre, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të bashkojë çështjet e mësipërme.
#