E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade kundërshton Topallin: Opozita me 2 përfaqësues në KE

TIRANE- Gjatë një deklarate të bërë sot, deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade i ka kërkuar kryeparlamentares Topalli të rishikojë edhe një herë vendet që i ka rezervuar opozitës në delegacionin shqiptar pranë Asamblesë Parlamentare të KE. Sipas saj, Topalli duhet të kishtë lënë bosh dy vende dhe jo një. “Sikurse thuhet në draftraportin e komisionit të monitorimit delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të KE, që ka pasur mandatin deri në fund të vitit 2009, nuk mund të jetë përsëri i njëjti delegacion, për këtë arsye që nesër në Asamblenë Parlamentare të KE do të verifikohen kredencialet e delegacionit shqiptar. Në këtë rast zonja Topalli duhet të kishte lënë bosh dy vendet që i përkasin opozitës”- deklaroi Dade. Kërkesën e saj deputetja Dade e ka arsyetuar me faktin se opozita edhe kur ka qënë me vlerë më të vogël numerike, ka zënë 2 vende në delegacion dhe sipas saj, nuk ka asnjë arsye tashmë që kryeparlamentarja të veprojë kështu. “Më lejoni tju kujtoj se kur opozita ka qënë më e vogël në vlerë numerike ka pasur dy përfaqësues në delegacion, respektivisht Kastriot Islamin dhe Paskal Milon dhe nuk ka asnjë arsye që tani ti lihet vetëm një vend përkundrazi, duhet të ketë minimalja 2 vende për tu përfaqësuar opozita shqiptare”- vijoi Dade. Arta Dade ka theksuar se Jozefina Topalli as nuk mund ti emërojë dhe as nuk mund ti përzgjedhë përfaqësuesit opozitar për këto delegacione. “Jozefina Topalli as nuk mund të emërojë opozitën, as nuk mund të përzgjedhë se cili do të përfaqësojë opozitën në këto delegacione të nderuara të asambleve respektive të organizmave që ne jemi antarë me të drejta të plota”- përfundoi ajo.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›