Dagestan, 5 policë të vrarë nga sulm me bombë

Pesë policë janë vrarë ndërsa dy të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi me bombë në një postbllok policie në provincën ruse Dagestan.
Zyrtari i ministrisë së brendshme, Vjeçesllav Gasanov, tha se sulmi ka ndodhur në një fshat 30 kilometra larg kryeqytetit të Dagestanit, Mahaçkala.
Gjithashtu sipas këtij zyrtari, në një sulm të ndarë gjatë ditës së djeshme, në qytetin Kaspijsk, dy persona të armatosur e kanë vrarë një polic dhe kanë plagosur një civil.
Dagestani dhe provincat e tjera të Rusisë në Kaukazin Verior, goditen pothuajse për çdo ditë nga sulmet e kryengritësve islamikë, që në të shumtën e rasteve në shënjestër kanë policët.