“Daily Mail”: “Arsenali interesohet për Canën”
Lorik Cana, kapiteni shqitpar i Marsejës, mund të luajë në Angli me Arsenalin ose Evertonin, nësë ai do të largohet nga Franca. Lajmin e jep gazeta britanike “Daily Mail”. “Objektivi i Arsenalit, Lorik Cana, pranon se ai është duke i riparë të ardhmen e tij të gjigandët e Francës, Marseja”, - shkruan gazeta angleze. “Mesfushori ndërkombëtari shqiptar, për të cilin ka shfaqur interesim edhe Evertoni, mund të kushtojë rreth 6 milionë sterlina (reth 7.5 milionë euro)”. “Daily Mail” citon deklarimet e kapitenit të Marsejës të dhëna pak ditë më parë: “Fatkeqësisht, me gjithë rezultatet e mira, ne nuk kemi qenë të aftë të fitojmë asgjë. Unë jam në vitin e katërt, jam kapiteni, kështu që jam mirënjohës. Unë e identifikoj veten me këtë klub, që e kam dashur qysh kur isha fëmijë. Kjo nuk do të thotë se detyrimisht unë do të qëndrojë këtë për të gjithë karrierën time”. Marseja është i vetmi klub francez që ka fituar Ligën e Kampioneve (1992) dhe ka fituar tetë kampionate në Francë (i fundit, 1993) dhe 10 Kupa të Francës (e fundit, 1989).
Beqaj, Cana e Gjasula, shqiptarët e Champions
Portieri i Anorthosis Famagusta, Arjan Beqaj, mesfushori i Olimpikit të Marsëjës, Lorik Cana dhe mesfushori i Bazelit në Zvicër, Jurgen Gjasula, janë tre lojtarët e vetëm shqiptarë që do të luajnë në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve.
BEQAJ- Edhe pse pësoi tre gola në humbjen e Anorthosis Famagusta kundër Rapidit të Vjenës (3-1), falë fitores në ndeshjen e parë 3-0 në Qipro do të luajë në turin e tretë kundër kampiones së Greqisë, Olimpiakosit të Athinës. Një derbi qiprioto-grek, që është nxehur shumë në mediat e vendeve respektove, por që flasin gjuhë të njëjtë, atë greke.
CANA- Nga ana tjetër Olimpiku i Marsejës, i kapitenit shqiptar Lorik Cana, do të përballet me norvegjezët e Bran Bergenit, ekip me të cilin dy sezone më parë është aktivizuar Migen Memelli, aktualisht te Tirana.
GJASULA- Tiranasi Jurgen Gjasula, por që zotëron edhe pasaportë gjermane, është pjesë e Bazelit të Zvicrës, do të luajë në turin e tretë kundër portugezëve të Guimaraes.
Lihteshtejni, serioz kundër Shqipërisë
Lihtenshtejni e ka marrë seriozisht ndeshjen miqësore me Shqipërinë, takim që do të luhet më 20 gusht në Tiranë. Sipas faqes vaterland.li, ndeshja do t’i vlejë trajnerit Bidu Zaug, për të konsoliduar ekipin më tepër për ndeshjen e dytë kundër Azerbajxhanit në Baku (10 shtator) të vlefshëm për eliminatoret e Botërorit 2010, pasi e para, ajo kundër Gjermanisë, më 6 shtator dihet me ç’rezultat do të përfundojë. Shqipëria e Lihtenshtejni nuk janë takuar ndonjëherë midis tyre, teksa edhe për ne kjo ndeshje do të vlejë shumë për të nxitur Bogdanin me shokë për të rritur numrin e golave, e për t’u afruar sado pak rekordmenit Alban Bushi (14 gola)
“Revier Sport”: “Mavraj, progres të dukshëm”
Mërgim Mavraj, mbrojtësi kosovar i Bokumit në Bundesliga 1, po vlerësohet gjithnjë e më shumë për formën e tij te klubi gjerman. Mavraj, i cili zotëron edhe pasaportën shqiptare (me rekomandimin e ish-ndihmëstrajnerit të Kombëtares sonë, Aksel Ros), por që ende nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së trajnerit holandez të kuqezinjve, Ari Han, është autor edhe i një goli nga 10 që realizoi Bokum në shtatë ndeshjet miqësore. “Mërgim Mavraj ka bërë përparime të qarta”, - shkruante gazeta sportive gjermane “Revier Sport”, duke pohuar se ai mund të jetë një nga mbrojtësit bazë të Bokumit për sezonin e ri.
Abilaliaj, dështon prova te Tus Koblenz
Arbër Abilaliaj duket se nuk i ka kënaqur drejtuesit e Tus Koblenzit, skuadrës gjermane të Bundesligës 2. Lajmi jepet nga mediat gjermane pranë klubit ku luajnë shqiparët Fatmir Vata, Ardian Gjokaj e Njazi Kuqi. Ish-sulmuesi 20-vjeçar i Partizanit luajti në një ndeshje miqësore (45 minuta) kundër Roeselare, por pa mundur të lërë gjurmë. Sipas mediave gjermane, vlonjati ka marrë rrugën e kthimit drejt Shqipërisë. Vitin e kaluar Abilialiaj u testua edhe me Erzgebirge Aue, por pa mundur të jetë shok skuadre me kavajasin Skerdilajd Curri, që luan prej disa vitesh me klubin gjerman të Bundesligës 3.
8 Gusht 2008