Kina, gati për spektaklin e Lojërave Olimpike
Kina deklaroi se është gati për t’i dhuruar botës një nga Lojërat më të mëdha Olimpike, pavarësisht se kritikohet ashpër për shkelje të drejtave të njeriut. “Ne i përgatitim Lojërat e Pekinit për shtatë vjet dhe ne tani jemi gati, ne kemi bindjen se do të jenë të suksesshme”, - tha zëdhënësi i Komitetit Organizator “Pekin 2008’, Sun Ueide. Në Kinë janë aktualisht sportistët më të mirë të botës, të cilët premtojnë përveç medaljeve dhe spektakël e rekorde. Flaka Olimpike bëri xhiron e fundit përgjatë Murit të Madh kinez, e mbajtur nga 18 pishtarëmbajtës dhe ku u lëshuan në qiell 2008 pëllumba gri, të shoqëruar në një koreografi e muzikë. Për Kinën, Lojërat janë një mundësi për t’i treguar botës se çfarë kanë bërë komunistët në transformimin ekonomik të vendit, qysh kur ata erdhën në pushtet në vitin 1949, por edhe t’u bëjnë rivalitet Lojërave të zhvilluara në Japoni (1964) e në Korenë e Jugut (1988). “Kina është një vend në tranzicion, me një të ardhme të madhe, me një potencial të jashtëzakonshëm dhe përballë sfidave të mëdha”, - tha presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar pas mbërritjes në Pekin. Më shumë se 100 krerë shtetesh (përfshirë edhe kryeministrin shqiptar Berisha) do të jenë të pranishëm në ceremoninë zyrtare të Lojërave, edhe pse ndaj Kinës ka një qëndrim të ashpër ndërkombëtar në lidhje me çështjen e Tibetit.
Numri “8’, pra 8 gushti, për kinezët është një shenjë mbarësie. Më shumë se 10 mijë atletë do të konkurrojnë për medaljet e arta, argjendta e të bronzta. Kina numëron më shumë se 1.3 miliardë banorë dhe ka qenë shumë e vështirë për të siguruar një biletë edhe për disiplinat, në dukje më pak të rëndësishme.
Më shumë se 100 mijë personel sigurimi do të patrullojnë Pekinin, ndërkohë që policia ka marrë masa të jashtëzakonshme në afërsi të stadiumit kombëtar “Çerdhja e zogut”, për të përballuar çdo trazirë të mundshme. Pak ditë më parë, grupe terroriste jashtë Kinës kërcënuan se do të rrezikonin ecurinë e Lojërave duke kryer atentate. Emigrantë tibetianë në Indi dhe Nepak mbajtën protesta anti-Kinë, në prag të Lojërave Olimpike. Në Nju Dehli ishin rreth 1000 protestues, duke mbajtur flamuj tibetianë e thirrur “Jo Lojërave Olimpike në Kinë”. India është shtëpia e 100 mijë refugjatëve ng Tibeti.
CEREMONIA
Ceremonia e lojërave Olimpike do të zhvillohet, të premten, më 8 gusht në orën 20:00 (lokale), ose në orën 14:00 me orën shqiptare. Transmetohet direkt nga Televizioni Publik Shqiptar.
Historia e 28-Lojërave Olimpike
Lojërat Olimpike e kanë zanafillën e tyre në Greqinë e lashtë. Koroibos ka qenë edhe fituesi i tyre i parë më 776 para erës së re. Në vitin 1986, ku do të riktheheshin në vendlindjen e tyre Athinë dhe do quheshin Lojërat Olimpike Moderne. Tani pas 112 vjetësh është Pekini që do të presë Lojërat Olimpike të 2008-ës.
ATHINË 1896 - Shetet pjesëmarrëse ishin 13 dhe ato vinin nga tre kontinente. Kampioni i parë i Lojërave Olimpike ishte studenti amerikan Xhejms Konolli në trehapësh me 13.71 metra.
PARIS 1900- Filluan më 20 maj dhe përfunduan më 28 tetor. Atletët që morën pjesë gjatë këtyre Lojërave ishin 1200 dhe sundimi i atletëve amerikanë në këto Lojëra qe i padiskutueshëm.
SENT LUIS 1904 - Sent Luis ishte qyteti i parë jovevropian që organizoi Lojërat Olimpike. Numri i pjesëmarrësve 600 atletë dhe shtetet pjesëmarrëse 11.
LONDËR 1908 - Morën pjesë 22 shtet dhe 2000 atletë. Hapja e tyre zyrtare u bë në prani të familjes mbretërore britanike. Në këto Lojëra për herë të parë u përfshi edhe sporti i futbollit.
STOKHOLM 1912 - Vendet pjesëmarrëse ishin 28 dhe atletët që i përfaqësonin 2500. Protagonistët ishin atleti amerikan Ralf Kreig (100 dhe 200 metra), finlandezi Kolehmainen.
ANVERSË 1920 - Vendet pjesëmarrëse në lojërat e Anversës ishin 29 dhe përfaqësoheshin me 2051 atletë. Triumfuesit e këtij viti ishin sërish Shtetet e Bashkuara me 41 medalje ari.
PARIS 1924 - Për herë të parë në historinë e Lojërave Olimpike, 3075 atletë e 44 vendeve pjesëmarrëse patën fshatin e tyre olimpik dhe një stadium lojërash 60 mijë vendesh.
AMSTERDAM 1928 - Për herë të parë gjatë këtyre Lojërave, Flaka Olimpike mbeti e ndezur në stadium natë e ditë. Atletët pjesmarrës ishin 3000 dhe përfaqësonin gjithsej 46 vende.
LOS ANXHELES 1932 - Lojërat për herë të parë gjatë historisë së tyre do të zhvilloheshin në një stadium me 105 mijë vende, do të vendosej kronometri, fotofinishi dhe podiumi me tri shkallë.
BERLIN 1936 - Vendet pjësëmarrëse 49, 4000 atletë në 24 sporte. Olimpiada e Berlinit është e njohur për sukseset e amerikanit me ngjyrë Ouens dhe propagandës të Hitlerit.
LONDËR 1948 - Lojërat rinisin sërish pas 12 vjet ndërprerje për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Olimpiada e Londrës mund të quhet ndryshe dhe Olimpiada e grave.
HELSINK 1952 - Në Finlandë pjesëmarrësit do të ishin 5000 dhe do të përfaqësonin 59 vende. Lufta e ftohtë e asaj kohe ndërmjet SHBA deh BS do të pasqyrohej edhe në Lojërat Olimpike.
MELBURN 1956 - Atletët pjesëmarrës janë 3300 dhe përfaqësojnë 67 vende. Fitues i kësaj Olimpiade është Bashkimi Sovjetik më 98 medalje prej të cilave 36 ari.
ROMË 1960 - Janë 5328 atletët pjesëmarrës dhe përfaqësojnë 84 vende. Fitimtare përsëri BS me 103 medalje. Në vend të dytë, SHBA dhe në të tretin Italia.
TOKIO 1964 - Për herë të parë në një Olimpiadë përfshihen xhudoja dhe volejbolli. Pas tetë vjetësh, SHBA mund BS për medalje të fituara.
MEKSIKE 1968 - Meksika ishte Olimpiada e rekordeve botërore. Amerikanët me Hajnes, Smit dhe Evans vendosin rekorde të reja botërore. Në gjimnastikë protagoniste çekja Cavlavska.
MUNIH 1972 - 7894 janë atletët pjesëmarrës dhe 122 vendet që ata përfaqësojnë. Dramatike Lojërat e Munihut, që lyhen me gjakun e 17 atletëve izraelitë. Për herë të parë në Olimpiadë merr pjesë edhe Shqipëria.
MONTREAL 1976 - Lind një yll i ri në gjimnastikë: Nadia Komaneçi. Rumania fiton medalje ari dhe që prej këtij viti ajo do të jetë sunduesja absolute në gjimnastikë.
MOSKE 1980 - Amerikanët bojkotojnë Olimpiadën për protestë ndaj pushtimit rus të Afganistanit. Shembullin e SHBA e ndjekin edhe 28 vende të tjera, dhe Olimpiada nis vetëm me 28 vende pjesëmarrëse.
LOS ANXHELOS 1984 - Në Los Anxhelos rusët ua kthejnë amerikanëve me të njëjtën monedhë duke bojkotuar Lojërat Olimpike. Morën pjesë 7055 atletë nga 140 vende.
SEUL 1988 - Janë 9000 atletët pjesëmarrës nga 160 vende. Seul është Olimpiada e dopingut. Në vend të parë pas përfundimit të Lojërave Olimpike qëndrojnë sovjetikët, me 132 medalje, prej të cilave 55 ari.
Barcelonë 1992 - Një bum i vërtetë pjesëmarrësish në Barcelonë; 9094 nga 172 vende. Rikthehet përfaqësuesja e Shqipërisë pas bojkotit nga përfaqësimi i saj i parë në vitin 1972.
Atlanta 1996 - Lojërat Olimpike hapen nga legjenda e boksit Muhamed Ali. 197 janë vendet pjesëmarrëse në Atlanta. Në përfundim të lojërave në vend të parë renditen amerikanët me 101 medalje (44 ari)
Sidnej 2000 - Lojërat Olimpike të Sidneit janë më të mëdhatë që janë organizuar deri më tani, me 10,651 atletë, nga 199 vende të ndryshme dhe atletë individualë, që konkurruan në 300 gara.
Athinë 2004 - Pas 108 vjetësh Lojërat Olimpike Moderne rikthehen në Athinë në vitin 2004. Shtetet e Bashkuara fituan numrin më të madh të medaljeve në Lojërat Olimpike të Athinës.
8 Gusht 2008