E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidi fiton duelin me Duron



Isli Hidi ia doli të mbajë të pastër portën e Alki Larnakas në “duelin” me Klodian Duron e Omonia Nikosias. Alki fitoi 1-0 në miqësoren e ditës së martë. Golin e vetëm të takimit e shënoi mbrojtësi Ruga në minutën e 17-të. Sipas mediave qipriote, Hidi bëri disa pritje të sigurta në këtë takim. Trajneri i Alkit Kasiano kreu nëntë zëvendësime në pjesën e dytë. Isli Hidi portieri i Kombëtares shqiptare luajti për 55 minuta përpara se të zëvendësohej nga Krisostomu, ndërkohë që mbrojtësi Blerim Rrustemi hyri në lojë në minutën e 55-të në vend të Balan.
Klodian Duro e nisi takimin nga minuta e parë. Omonia e Duros do të luajë në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA kundër AEK-ut të Athinës. Takimi i parë do të luhet në Qipro.

Sadriaj, shqiptari i gjashtë i Bundesligës

Bajram Sadriaj është shqiptari i gjashtë që do të luajë këtë sezon në Bundesliga 1, pas Ervin Skelës (Energi Kotbus), Atin Lalës (Hanover 96), Edmond Kapllanit (Karlsruhe), Mërgim Mavrajt (Bokum) e Faton Toskit (Eintraht i Frankfurtit). Sulmuesi i ri 21-vjeçar (1.78 m, mbush 22 vjeç më 10 gusht) është blerë gjatë merkatos verore nga Borusia e Dortmundit dhe pritet të debutojë në Kupën e Gjermanisë kundër Rot Vajs Esenit, kjo edhe për shkak të disa dëmtimeve që te Borusia. Trajneri i Borusias së Dortmundit, Jurgen Klop thotë: “Bajram ka shumë potencial, sidomos në duelet një-kundër-një është një armë e mirë”. Sadriaj më parë ka qenë lojtar i TSG Thannhausen, një skuadër e kategorisë së tretë gjermane, por tashmë ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare profesionale me Borusian. Sipas mediave gjermane, Sadriaj dallohet veçanërisht për përdorimin e topit.

Skela, pesë gola në miqësoret

Energi Kotbus i Ervin Skelës mbylli serinë e gjatë prej 13 ndeshjesh miqësore (8 fitore), dhe tashmë është gati të fillojë aventurën, së pari në Kupën e Gjermanisë kundër Tennis Borussia Berlin e më pas në atë të Bundesligës 1 kundër 1899 Hoffenheim.
Në këto miqësore fantazisti i Kombëtares shqiptare shënoi në total 5 gola dhe dha disa asistë. Spikasin në këto ndeshje fitorja 18:1 kundër SV Allemannia 08 Jessen dhe ajo 11-0 kundër BSG Stahl Altenberg.

QPR-ja, sinjale Bogdanit

Përveç interesimit të Ispuiç Toun, në Angli për shërbimet e sulmuesit shqiptar të Kievos interesohet edhe Kuins Park Rejnxhërs, e njohur shkurt si QPR. Lajmin e jep sajti italian i specializuar në merkato calciomercato.com. Në një miqësore të ditëve të fundit, Bogdani realizoi një gol në fitoren 2-1 të Kievos kundër QPR-së, pronë e Flavio Briatores, bosit të skuderisë Reno në Formula 1.

Kapllani, betejë me Kenedin

Edmond Kapllani, duket se do ta ketë të vështirë të fitojë duelin për një vend në sulm nga minuta e parë rivalin e tij te Karlsruhe. Gazeta gjermane “Mannheimer Morgen” shkruan se australiani për momentin është më favorizuar në vijën e parë.

Xhemaili, gol për Boltonin

Blerim Xhemaili bëri një paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen e fituar 2-0 nga Bolton Uonders, duke realizuar golin e parë ta takimit kundër Korlejit, përpara se Riga Mustafa të dyfishonte rezultatin me një gol me kokë.

Osmani nga “dem” në “zebër”

Ish-mbrojtësi i Partizanit, Tefik Osmani, nisi stërvitjen skuadrën e tij të re, Tiranën, që po kryen pjesën e dytë të fazës përgatitore në Ohër të Maqedonisë. Kështu pas një sezoni të mirë me “demat e kuq” (Partizani), korçari do të luajë për “zebrat bardheblu” (Tiranën). Nga Partizani te 23-herë kampionët është bashkuar edhe mesfushori Bledar Devolli. Ansi Agolli ka mbërritur përfundimisht në kryeqytet si i huazuar te Tiranës. Ish-mesfushori i majtë i Ksamaksit e Lucernës luajti së fundi me finlandezët e Vaasas. 25-vjeçari Agolli ka një përvojë të mirë ndërkombëtare si futbollist: tre ekipe të huaja gjatë karrierës së tij, 69 ndeshje, 4 gola). Sot në Ohër, Tirana do të zhvillojë miqësoren e parë të në fazën e dytë përgatitore dhe të katërtin, duke përfshirë dhe tre të parat e në pjesën e parë përgatitore. Kundërshtari i ditës së enjte është skuadra kosovare Drenica.

Miqësoret e deritanishme të Tiranës
Tirana-Sileks 0-1
Tirana-Ohri 2-1
Tirana-Shkumbini 1-1

Riberi, futbollisti i vitit në Gjermani

Frank Riberi, mesfushori francez i kampiones së Gjermanisë, Bajern Mynih, është zgjedhur si futbollisti i sezonit 2007-2008. Riberi u votua si lojtari më i mirë nga gazetarët sportivë gjatë një ankete të organizuar nga revista e specializuar sportive “Kicker”. Riberi grumbulloi 224 vota, duke pasur një diferencë të qartë me kapitenin e Gjermanisë, Mikael Balak (115 vota) dhe kolegun e tij te Bajerni i Munihut, Luka Toni (108 vota).
Shifrat flasin në sezonin e parë të Riberisë në Bundesligë: 28 ndeshje, 11 gola, tetë asistë dhe një notë mesatare 2.54 nga “Kicker”. Këtyre u shtohen edhe tre gola në Kupën UEFA dhe 2 në Kupën e Gjermanisë. Si trajneri i vitit u zgjodh ish-trajneri i Ribesrisë te Bajerni, Otmar Hitcfeld (264 vota), ndërsa i dyti doli Feliks Magat (131) i Volfsburgut. Për të tëtën herë rresht Birgit Prinz e Frankfurtit u zgjodh si futbollistja femër e vitit.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›