Bushi në Kinë, Amerika mund Japoninë
Presidenti Xhorxh Bush hyri në histori si i pari drejtues i Shtëpisë së Bardhë, i cili merr pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike jashtë Shteteve të Bashkuara. Bushi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Laura dhe vajza e tyre, Barbara, u prit në aeroportin e Pekinit nga ministri i Jashtëm kinez, Yang Jiechi. Bushi, i cili njihet si një tifoz i thekur sporti, tha se ai dëshironte të shijonte Lojërat Olimpike. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të bisedojë edhe me presidentin kinez Hu Jintao në lidhje me të drejtat e njeriut në Kinë dhe për një shtyp të lirë. Mesa duket prania e Bushit në Kinë solli fat edhe për kombëtaren amerikane të futbollit për meshkuj, pasi Shtetet e Bashkuara fituan 1-0 me Japoninë, falë golit të Stuart Holden në minutën e 47-të.
Magjitë e Mesit shpëtojnë Argjentinën
Superylli i Barcelonës, Lionel Mesi, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren e ngushtë 2-1 të Argjentinës me Bregun e Fildishtë në Lojërat Olimpike të Kinës. Mesi shënoi golin e parë në minutën e 43-të, ndërkohë që Bregu i Fildishtë barazoi me anë të Seku Sise (53’). Shtatë minuta përpara përfundimit të takimit, Mesi i dha një pas të artë Akostës, i cili shënoi më pas golin e fitores për Argjentinë. Në ndeshjen e radhës, Argjentina do të luajë kundër Australisë, ndërsa Bregu i Fildishtë kundër Serbisë. Australia e Serbia e mbyllën ndeshjen midis tyre në barazim 1-1.
Hani, në ndihmë të ekipit olimpik holandez
Trajneri i përfaqësueses shqitpare, holandezi Ari Han, po luan një rol të dorës së parë, duke ndihmuar ekipin olimpik të Holandës për të kuptuar më mirë atmosferën kineze. Hani ka qenë më parë trajner i Kinës, përpara se të merrte drejtmin e Kamerunit e më pas të Shqipërisë, dhe gazeta holandeze “NRC Handelsblad”, shkruan se “Ari Han, duke qenë para disa vitesh trajneri i Kinës, e njeh mirë kulturën sportive të atij vendi dhe do të ndihmojë ekipin olimpik holandez me njohuritë e tij për të arritur sukses në “Folenë e zogut”.
8 Gusht 2008