E Diel, 1 Nëntor 2026

Daiu: E vështirë, por do të besojmë deri në fund

Nga ALTIN PREÇI

Trajneri i Laçit, Përparim Daiu, thotë se sot ekipi nuk do të kursehet, duke kërkuar fitoren dhe gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë

Formacioni i mundshëm i Laçit: Vashaku, Kastrati, Buljan, Milenkoviç, Xhafa, Doku, Nimani, Vucaj, Segjini, Emurllai, Hysa. Trajner: P. Daiu.

Laçi kërkon tri pikë në takimin e sotëm për kupë. Ndërsa do jetë sërish përballë ekipit kampion, ku u mund të dielën në Peqin 3-0 në kampionat, ky takim do të jetë akoma më interesant. Kjo për faktin se ndeshja është për kupë, por edhe për një fakt tjetër, që drejtuesit e Laçit më shumë kanë menduar për këtë ndeshje se sa për kampionat.

Në takimin e së dielës kurbinasit u ballafaquan me Skënderbeun me futbollistë të rinj, për të bërë të mundur edhe ruajtjen e fuitbollistëve për takimin e sotëm, por edhe për faktin që Laçi kërkon patjetër kualifikimin. Sipas trajnerit Përparim Daiu, në takimin e sotëm do jenë të gjithë futbollistët që kanë munguar në takimin e të dielës.

Kjo ishte arsyeja e mosaktivizimit të tyre ditën e diel, në Peqin, në mënyrë që ata të mos ndëshkoheshin me kartonë, por edhe për të shlyer kartonët ata lojtarë që kishin nga dy. E sjellë në vëmendje këtë fakt, që për ne ky takim do të jetë një finale e kupës e parakohshme, ku të gjithë futbollistët do të jenë të impenjuar maksimalisht, për të dhënë maksimumin dhe për të fituar ndeshjen.

Ne e kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen, pasi Skënderbeu është kampioni në fuqi dhe sërish ai këtë vit është pretendent, si për kampionatin, edhe për kupën. Nëse korçarët pothuajse e kanë siguruar kualifikimin, ne na duhet detyrimisht tripikëshi për t’u kualfikuar. Këtë gjë do kërkojmë që nga minuta e parë e ndeshjes dhe deri në fund.

Ndeshja, jam i bindur, do jetë korrekte dhe do fitojë ai ekip që do të gaboj më pak. Tashmë ne jemi të përgatitur moralisht për të fituar ndeshjen dhe na mbetet që të djersitim në fushën e lojës dhe të këmbëngulim në marrjen e fitores, sigurisht duke vlerësuar maksimalisht kundështarin, ka deklaruar trajneri i Laçit, Përparim Daiu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›