E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët korçarë: Skënderbe, mos tolero Laçin, ndryshe stë ndjekim më!

Në Korçë dje ka pasur fjalë të shumta në lidhje me atë se kampionët edhe mund të tolerojnë ndaj kurbinasve, prandaj kanë reaguar tifozët 

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut: Shehi, Gvozdenoviç, Radas, Vrapi, Allmuça,Orelesi, Bratiç, Shkwmbi, Biskup, Xhafaj, Muzaka. Trajner: S. Levi.

Skënderbeu edhe mund të tolerojë ndaj laçianëve ditën e sotme për Kupën e Shqipërisë. Kjo ka qenë fjalia që është dëgjuar shumë gjatë ditës së djeshme në qytetin juglindor, teksa nëse do ta përkthenim ndryshe, do të thotë që Skënderbeu ndoshta edhe mund tu hapë rrugë kurbinasve, duke u lënë fitoren. Në fakt, një gjë e tillë duket e palogjikshme edhe për atë se, nëse Skënderbeu do të tolerojë, atëherë do ti thotë lamtumirë kupës qysh në këtë moment, por fjalët që kanë qarkulluar dje kanë qenë të shumta dhe të dyshimta.

Madje këto janë hedhur ditën e djeshme edhe nga drejtuesit e klubit juglindor, apo edhe nga vetë stafi teknik, çka do të thotë se Skënderbeu ka vendosur që të mos tolerojë aspak, aq më tepër në këtë moment që është pranë një ëndrre të fitimit të kupës, që nuk e ka bërë asnjëherë më parë gjatë gjithë historisë së vet si klub futbolli. Fjala që mund të ketë tolerim në ndeshjen e sotme është përhapur nga ana e tifozëve korçarë, të cilët sapo kanë mësuar në lidhje me këtë, kanë nxjerrë edhe një deklaratë, madje të postuar edhe në faqen e tyre zyrtare.

Reagimi Shpresojmë që fjalët që kanë dalë për lënie të ndeshjes në favor të Laçit të mos jenë aspak të vërteta, ndryshe ne si tifozë dhe si grupim, nuk do të jemi më të pranishëm në asnjë ndeshje të ekipit, përjashtim bën ndaj Teutës dhe Tiranës, me të cilat kemi për të larë disa detyrime dhe hesape.

Kaq ka qenë deklarata e ultrasve të Skënderbeut, çka të lë të kuptosh se këto fjalë për tolerim janë përhapur gjithandej dhe kjo deklaratë ka qenë edhe një formë ultimatum në adresë të skuadrës, në mënyrë që sot të mos hapë aspak rrugë ndaj kurbinasve, por të vazhdojë rrugën e vet deri në finale. Në fakt, një gjë e tillë ka ditë të tëra që po qarkullon edhe në shtypin sportiv, ku flitet deri atje te një rezultat 3-0 në favor të kurbinasve.

Pa dashur ta besojmë një gjë të tillë, është vetë skuadra korçare që sot do ta vërtetojë një gjë të tillë në fushën e lojës. Madje vetë tifozët, që mezi e prisnin Skënderbeun ta shikonin ditën e sotme në shtëpi, tashmë duhet të presin edhe 10 ditë të tjera dhe duhet të përballen edhe me fjalë apo thashetheme të tilla, që sigurisht që janë në dëm të futbollit shqiptar.

Një Korçë e tërë sot mezi pret kualifikimin e Skënderbeut dhe qofshin të gënjeshtra apo të pavërteta fjalët që kanë filluar të qarkullojnë. Tifozët e kanë shprehur hapur që duan fitore dhe vetëm fitore, pasi vetëm një tripikësh sot ndaj Laçit do ti mbyllte një herë e përgjithmonë këto gojë të liga.

 

Skënderbeut i mjafton barazimi për gjysmëfinalen

Në grupin ku bëjnë pjesë edhe kampionët, duket se të gjitha skuadrat përpara ndeshjeve të fundit kanë marrë edhe lapsin për të bërë llogaritë e tyre. E themi këtë, pasi të katër skuadrat, Skënderbeu, Flamurtari, Vllaznia dhe Laçi kanë shanse për tu kualifikuar dhe gjithçka për sa i përket gjysmëfinaleve është lënë për t u zgjidhur në 90 minutat e fundit të ditës së sotme.

Shanset më të mëdha sigurisht që i kanë Skënderbeu dhe Flamurtari, dy ekipe që ndodhen në kuotën e 8 pikëve dhe u mjafton nga një pikë, ose e thënë ndryshe, nga një barazim për të kaluar sot në turin tjetër. Gjithsesi, Skënderbeu është duke bërë llogaritë e veta dhe nëse e keqja ndodh që Vllaznia të fitojë në Shkodër ndaj Flamurtarit, atëherë kampionëve u mjafton vetëm një pikë për të kaluar në turin tjetër.

 

Edhe ndeshja e kupës luhet në Peqin, e 4-ta radhazi

Skënderbeu ka bërë thjesht një shëtitje në shtëpinë e vet dhe qysh ditën e djeshme i është rikthyer sërish Durrësit. Në fakt, u fol shumë që kampionët do të ktheheshin njëherë e mirë për të luajtur në shtëpi, por kjo nuk ka ndodhur, pasi ditën e sotme kampionët do të luajnë ndeshjen e fundit të grupeve për Kupën e Shqipërisë ndaj Laçit në fushën e Peqinit.

Është e katërta ndeshje radhazi që Skënderbeu luan në këtë fushë dhe duhet thënë se edhe tri ndeshjet e para kanë rezultuar të suksesshme. Ndaj Dinamos, Shkumbinit dhe së fundi Laçit për kampionat, korçarët jo vetëm që kanë fituar, por kanë arritur fitore bindëse dhe duket se tashmë janë ambientuar me këtë stadium. Edhe sot, në orën 15:00, Skënderbeu do të jetë i gatshëm po në Peqin, atje ku pak ditë më parë mundi po laçianët me rezultatin e thellë 3-0.

 

Korçarët, edhe 5 ditë të tjera në Durrës

Drejtuesit e klubit Skënderbeu nuk e kanë paguar pjesën e mbetur të dënimit për 4 ndeshjet e mbetura dhe kanë menduar që edhe takimin e sotëm ta luajnë në transfertë. Ky ka qenë vendimi më i fundit i presidencës korçare, që ka bërë me dije se Skënderbeu do të rikthehet të luajë në shtëpi vetëm 10 ditë më vonë në përballjen e javës së 19-të, që do të luajë ndaj Teutës.

Të gjithë në fakt prisnin që ta shikonin skuadrën në fushën e tyre, por ky është një vendim që u takon vetë drejtuesve dhe në këtë mënyrë, Skënderbeu është larguar edhe për disa ditë të tjera nga shtëpia e vet. Në orën 14:00 i gjithë ekipi ka udhëtuar drejt Durrësit, teksa në orët e vona të mbrëmjes është akomoduar sërish në hotel Tropikal në Durrës.

 

Sërish mungesa, sot edhe Arapi nuk luan

Nuk kanë fund mungesat e Skënderbeut. Për ndeshjen e sotme ndaj kurbinasve, në fakt ishte menduar që të kishte të paktën 4 mungesa, por është shtuar edhe një tjetër. Da Silva dhe Bicaj, dihet që janë mungesa të detyruara për shkak kartonësh, ndërkohë që Plaku akoma nuk është në 100 %, edhe pse edhe dje është parë të stërvitet me grupin.

Po ashtu, Dimo tashmë është mësuar që do ta bashkohet me ekipin në hotel Tropikal ditën e nesërme, pasi dje ka hequr edhe penjtë e operimit që kreu përpara disa javësh. Dje të konfirmohet edhe një tjetër. Renato Arapi, që në përballjen e fundit po ndaj laçianëve pësoi një dëmtim në kavilje, nuk është rikuperuar në kohë dhe sot do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›