Heroi i Eastwoodit

Të gjitha intervistat e Matt Damon e konfirmojnë: është një aktor anormal. Nga njëra anë është divi që ka fituar “Oskarin” me Will Hunting, në vitin 1997, spiuni i pamposhtur, Jason Bourne, personazh me të cilin nga viti 2002, ka bërë për vete miliona fansa hajduti intelektual me bandën e George Clooney në filmin Ocean’s Eleven, por nga ana tjetër është djaloshi model që sapo ka mbushur 40 vjeç.
I diplomuar për letërsi angleze në Harvard, Matt ka një martesë shumë të shëndetshme me argjentinasen Luciana Barroso dhe tri vajza, Gia, Isabella e Stella (e lindur në tetor), të cilave u shtohet edhe Alexia, që Luciana kishte sjellë në jetë nga një martesë e mëparshme. Edhe nëse dëgjojmë thashethemet e Hollivudit (ku nuk mungojnë zilia dhe ulje-ngritjet)Damon del plotësisht i pastër. Nuk sillet keq, nuk bën asgjë që mund të përfundojë në faqet e para të gazetave rozë. Është një strateg në zgjedhjen e roleve përmes të cilave beson se mund të transmetojë diçka.
Beson te miqësia e mirë me Clint Eastwood, me të cilin ka xhiruar dy filma radhazi: “Invictus” (ku Damon interpreton kapitenin e skuadrës kombëtare të ragbisë në Afrikën e Jugut të Mandelës dhe “Hereafter”, me të cilin synon të fitojë “Oskar”. Këtu interpreton një njeri që komunikon me botën e përtejshme, por ka një raport konfliktual me këtë fuqi të tijën. Një personazh shumë i vështirë. “Për Clint do të bëja gjithçka, është heroi im”, pranon Matt teksa buzëqesh. Në Amerikë është duke u shfaqur edhe filmi i vëllezërve Coen “True grit” ku Damon interpreton me Jeff Bridges dhe sapo ka përfunduar së xhiruari thriller-in “The adjustment bureau”.
Te “Hereafter” trajton një temë shumë komplekse: vdekjen dhe jetën e përtejshme. Çfarë ju shtyu të zgjidhni një skenar të tillë?
Do të kisha pranuar për ndonjë film të Clint Eastwood edhe pa ditur asgjë për historinë e filmit. Por skenari ekzistonte dhe sa herë e lexoja arrija dhe mbërrija në fund shpërtheja në lot. Një emocion shumë i fortë që doja t’ia transmetoja edhe publikut.
Na trego pak për këtë skenë kaq të bukur?
“Hereafter” përbëhet nga tri histori konvergjente. Në njërën prej tyre jam unë, një punëtor nga San Francisco që përpiqet të arratiset nga fuqitë e tij paranormale që e bëjnë të dëgjojë të vdekurit. Historia e dytë rrotullohet rreth një reportereje të famshme televizive franceze (Cecil De France), që ka mbijetuar nga një cunami. E treta tregon tragjedinë që përplaset mbi dy binjakë në Londër. Pikërisht këtu personazhi im do të takojë binjakun e tij paranormal që vajton për humbjen e të vëllait. Nuk është një film për vdekjen, por për mënyrën se si mendojmë për të dhe si sillemi kur jemi të detyruar ta përballojmë.
Le të kalojmë te filmi western “True grit”: këtu është një skenë ku ju godisni vajzën protagoniste të interpretuar nga Hailee Steinfeld. Si e kanë komentuar vajzat e tua?
Kishin shumë kureshtje. Nuk kam goditur asnjërën prej tyre dhe nëse do ta bëj ndonjëherë duhet të mendohem mirë. Ajo skenë ishte e nevojshme në përputhje me skenarin, por mbi të gjitha ishte komike. Në të vërtetë isha i frikësuar se mos e gjuaja vërtet dhe e pyesja vazhdimisht: “Hailee je e sigurt që nuk të dhemb kur të gjuaj?”. Ajo më përgjigjej se nuk ndiente asgjë. Nga ana tjetër Coen kërkojnë gjithmonë veprime të vërteta në filmat e tyre. Edhe kësaj here donin që ta gjuaja vërtet.