E Diel, 1 Nëntor 2026

Një “Xhaxha Vanja” ndryshe në Teatrin Kombëtar

Rikthehet në sallën e vogël të TK-së në Tiranë drama e Çehovit. Interpretojnë: Xhepa, Mjaku, Llozan, Petrovski e Karaga
Nën regjinë e Slobodan Unkovskit dhe Krste Xhidrovit, me kostumografinë e Blagoja Micevskit, sot në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar në kryeqytet do të kemi mundësinë të shohim një “Xhaxha Vanja” ndryshe nga herët e tjera. Kjo përsa i përket konceptit regjisorial, por edhe pjesëmarrjes së aktorëve të njohur shqiptarë të andejkufirit. Drama e Anton Çehovit do të ngjitet në skenë falë interpretimit të aktorëve Ndriçim Xhepa, Bajrush Mjaku, Eftiola Laçka, Mysherefe Llozan, Enver Petrovski, Adem Karaga e Blerta Syla. “Xhaxha Vanja”, e ashtuquajtur “dramaturgji e cilësisë së lartë”, është e madhe për arsyen se është ruajtur mirë, është pasqyrë e saktë e vetë jetës, ajo i përjeton pa dhimbje edhe mendimet e kundërta dhe interpretimet e pafundme. Pjesa nuk tregon, por paralajmëron; nuk nënvizon, por bën kurioz si vetë jeta në labirintin e së tashmes, por edhe të së shkuarës. Me shpresë te drita dhe me frikë në terrin ngulfatës shëtisin personazhet në “Xhaxha Vanja”. Në lupën e dramaturgjisë Çehoviane gjendet jeta e vërtetë, njeriu i thjeshtë, i tipizuar gjerë dhe thellë. Ndihet përpjekja për ndryshim te Vojnicki, Astrovi, Aleksandra, Elena Andrejevna. Çdo ditë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, ata kërkojnë ndryshim. Është absurde apo jo, qesharake apo jo, tragjike apo jo, kjo është kërkesa jetësore e personazheve. Ndërsa në lidhje me veprat e shkrimtarit rus mund të thuhet se proza e tij realiste u bë një mjet tepër inteligjent për riprodhimin e tonit bashkëbisedues dhe të thurjes së ekzistencës së zakonshme. Mosbesues ndaj abstraksioneve, doktrinave dhe përmbajtjes metafizike e fetare të veprave të autorëve të brezave të hershëm, Çehovi u përqendrua në zbulimin e rrethanave të veçanta të jetëve njerëzore me një stil prozaik të mrekullueshëm. Ai shquhet për persiatjet tunduese të mendimit dhe të formulimit të saktë. Shpesh këto zbulime marrin shkas nga një zbulim brenda personazhit qendror të veprës, në të cilin ka një kontradiktë të vazhdueshme me aspiratat, gjendjen aktuale të tij, imazhin e vetvetes dhe imazhin që ai ka krijuar te të tjerët. Banaliteti, vogëlsirat, vetmia dhe mungesa e dashurisë shfaqen në vazhdimësi si cilësi thelbësore të njeriut të zakonshëm nën investigimin artistik të Çehovit. Ironia, keqardhja dhe turpi karakterizojnë komentet e autorit për personazhet e tij. Tensioni dramatik te “Pulëbardha” 1896, “Xhaxha Vanja” 1899, “Tri Motra” 1901 dhe “Kopshti i qershive” 1904, jepet përmes pasivitetit të personazheve të tij, dëshirave të tyre të paformuluara ose pyetjeve pa përgjigje që ata ngrenë në jetët e tyre.
P.GROSI

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›