E Diel, 1 Nëntor 2026

“Madama Baterflai” rikthehet për tri net në TKOB

Më 8, 10 dhe 12 mars, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të shfaqet opera e njohur e Xhakomo Puçinit “Madama Baterflai”.
Kësaj here, si dirigjent orkestre vjen italiani Gianluca Martinenghi dhe soprano Stefania Spaggiari, e cila është diplomuar për flaut dhe kanto pranë Konservatorit të Mantovës nën drejtimin e maestro Paolo Barbacinit. Ajo mban në cv-në e saj role të solistes së parë në operat “Cavalleria Rusticana” (Santuzza), “Il Trovatore”, “Petite Messe Solennelle”, “Le Nozze di Figaro” (Contessa d’Almaviva), “Don Giovanni” (Donna Anna), “Nabuço” (Abigaille), “Madama Baterflai” (Cio-cio-san), “Simon Boçanegra” (Amelia), “La Bohème” (Mimì), “Makbeth” (Makbeth), “Aida” (Aida), “Tosca” (Toska), etj. Pas suksesit të “Toskës” (1900), Puçini mori në konsideratë shumë projekte, të nxitura për më tepër nga miniera autentike e ideve të Luigi Illica: nga Tartarino di Tarascona në Notre Dame de Paris, nga Memoire di una casa në Adolphe. Por asnjë prej tyre nuk arriti të fshijë përshtypjen që i pat lënë “Madama Baterflai” kur e pa në një teatër të Londrës, megjithëse nuk pati kuptuar nga teksti në anglisht. Në vitin 1878, J. Luther Long pati publikuar një tregim të njëjtë, të cilin David Belasco, një nga mjeshtrat e teatrit amerikan, e shndërroi në një akt dhe po këtij mjeshtri iu drejtua Puçini edhe për veprën “La fanciulla del West”, menjëherë pasi pat shkruar “Baterflain”. Historia prekëse e japonezes së joshur dhe të vetëvrarë ishte një çështje humane që e lejonte të zhvillonte të gjithë aftësinë e tij për të tronditur, të ushtronte atë “rrëmbim ndjenjash” të cilit publiku i gjithë botës, atëherë si dhe tani, vështirë se arrin t’i shpëtojë. Zgjedhja e subjektit mbështetej mbi një vepër që kishte superuar zjarrin e skenës dhe posedonte tashmë një teatrilitet të qartë, i cili do të fuqizohej nga muzika. “Madama Baterflai” akoma dhe më shumë se veprat e mëparshme të Puçinit ishte hyjnizim i mitit feminil. Më 17 shkurt 1904, kur u shfaq për herë të parë, “Baterflai” nuk korri sukses dhe kjo i detyroi autorët të bënin shkurtime dhe korrigjime. Pas tre muajsh, më 28 maj 1904, “Madama Baterflai” u prit me entuziazëm në teatrin “Grande” të Breshias. Në versionin përfundimtar të 1906-s, “Madama Baterflai” u vendos më në fund në repertorin klasik duke u bërë në pak vite një nga partiturat më të shfaqura të të gjithë historisë operistike. “Madama Baterflai”, me temën e saj sentimentale, me personazhet reale të saj, mund të dukej në atë kohë si një produkt jashtë mode. Por rikthimi i bujshëm i operës në Breshia sinjifikon që edhe me një “lojë të vjetër”, autori kish goditur në shenjë edhe një tjetër herë.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›