Mallra kontrabandë në dyqan, arrestohet
VLORE - Mallra kontrabandë në dyqan, arrestohet një 58-vjeçar. Policia e Vlorës bëri dje të ditur rezultatet e operacionit të koduar "Shoferi", i kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Sipas burimeve zyrtare është vënë në pranga Xhorxhi Lagji, pasi në dyqanin e tij në lagjen "10 Korriku" u gjet një sasi mallrash për të cilat nuk zotëronte dokumentacionin e duhur. Konkretisht 28 kostume të markës "Pier Cardin", një sasi e konsiderueshme pantallonash dhe këmishash të kësaj marke si dhe rreth 600 copë pjesë të ndryshme automjetesh të rënda, vlera e të cilave sipas policisë arrin në rreth 5 mijë euro. Ndaj Lagjit rëndojnë akuzat e "kontrabandës me mallra të tjera" dhe "ruajtjes dhe depozitimit të mallrave kontrabandë". q.b