E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti dështon gjyqin, avokati kërkon ekspertim



TIRANE - Dritan Dajti nuk u paraqit dje te Krimet e Rënda, duke dështuar çeljen e shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të tij dhe dy të pandehurve të tjerë të dosjes, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muçaj. I akuzuari për vrasjen e 4 punonjësve të policisë, më 7 gusht 2009 në Durrës, nuk kishte pranuar të firmoste fletë-thirrjen e gjykatës dhe as të komunikonte me oficerët e policisë që ia kanë dërguar. "I arrestuari refuzoi të përgjigjej dhe ka komunikuar me shenja, pa firmosur fletë-thirrjen", citoi kryesuesja e seancës, gjyqtarja Nertina Kosova, raportin e shërbimit e ardhur në gjykatë. Gjithashtu gjykata sqaroi se nuk kishte marrë një përgjigje zyrtare për kërkesën e drejtuar ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për shoqërimin e Dajtit në gjykatë. Mbrojtësi ligjor i Dajtit, avokati Arben Qeleshi, u shpreh dje se pak ditë më parë, ai kishte marrë konfirmimin se Dajti do të paraqitej në seancë. Por, sipas tij, ditën e djeshme Dajti ishte transferuar në Spitalin e Burgut, për shkak të problemeve në gjendjen shëndetësore dhe për pasojë, nuk mund të paraqitej. Mbrojtësi Qeleshi pretendoi para palëve se klienti i tij ende nuk ishte njohur me dosjen. "Aktet e dosjes më janë dorëzuar mua, por vetë i pandehuri nuk ka dijeni për to", u shpreh mbrojtësi. Avokati Qeleshi rikërkoi dje para togave të zeza inspektimin fiziko-psikik të Dajtit. "Kërkoj nga gjykata të kryejë një inspektim për të përcaktuar gjendjen e tij fizike dhe psikike", tha avokati. Nga ana e tyre përfaqësuesit e akuzës i kërkuan gjykatës, deklarimin e mungesës për Dajtin dhe përfaqësimin e tij nga avokati. Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës. Sipas togave të zeza, për shkak të mospasjes së një përgjigjeje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nuk mund të deklaronin mungesën e të pandehurit Dajti. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›