U gjetën me shkelje, hetim 4 prokurorëve në Durrës
Trazhgim Sokolaj
Katër prokurorë të Prokurorisë së Durrësit do t'i nënshtrohen procedimit disiplinor për shkelje në detyrë, pas një vendimi të marrë dje në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme.Burime nga organi i akuzës thanë se në mbledhjen e zhvilluar dje, anëtarët e Këshillit të Prokurorisë u njohën me raportin e Drejtorisë së Inspektimit, e cila ka kontrolluar Prokurorinë e Durrësit duke veçuar emrat e prokurorëve që janë gjetur me shkelje. "Në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë, anëtarët dëgjuan raportin e Drejtorisë së Inspektimit me shkeljet e gjetura për prokurorët Dritan Gina, Drini Pali, Eduart Kariqi dhe Ilir Tola", thanë burimet e prokurorisë. Sipas tyre, pas njohjes së anëtarëve të Këshillit me raportin e Drejtorisë së Inspektimit, pritet që në mbledhjen e ardhshme, datë 24 shkurt 2010, të fillojë diskutimi konkret për masat që do të merren ndaj katër prokurorëve. Kontrolli në Prokurorinë e Durrësit filloi që prej vitit të kaluar dhe vazhdoi për disa muaj me verifikimin e dosjeve penale të hetuara në këtë institucion. Në përfundim të kontrollit, Drejtoria e Inspektimit hartoi një raport me shkeljet e gjetura dhe në përfundim u vendos që në rastin e katër prokurorëve, të paraqitej në Këshillin e Prokurorisë propozimi për fillimin e procedimit disiplinor. Pas fillimit të procedimit në këshill, prokurorët Drini Pali, Dritan Gina, Eduart Kariqi dhe Ilir Tola pritet që në mbledhjet e ardhshme të thirren në Këshill për të dhënë objeksionet e tyre apo edhe kundërshtimet, në lidhje me raportin e shkeljeve që është hartuar për punën e tyre në Prokurorinë e Durrësit. Pasi të dëgjojë objeksionet e katër prokurorëve, Këshilli me diskutim të anëtarëve do të vendosë masën që do të merret, e cila pas hedhjes në votim, nëse miratohet nga anëtarët, i dërgohet Zyrës së Prokurores së Përgjithshme. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Prokurorisë ka vendosur po kështu shtyrjen e votimit për zgjedhjen e kryeprokurorit të Durrësit. Votimi për njërën nga 13 kandidaturat pritet të bëhet në datën 24 shkurt 2010.
Prokurorët
Masat disiplinore:
Drini Pali
Dritan Gina
Ilir Tola
Eduart Kariqi
Prokurorë të Prokurorisë së Durrësit
Rendi i ditës
për datën
24 shkurt:
Votimi për kryeprokurorin e ri
të Durrësit