E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat biometrike, kanë aplikuar 501 mijë qytetarë



TIRANE - Numri i qytetarëve shqiptarë që kanë aplikuar për t'u pajisur me pasaporta biometrike ka kaluar gjysmën milionit. Ministria e Brendshme ka informuar dje se deri ditën e enjte është regjistruar një numër rekord, për sa i përket aplikimeve për dokumentin e ri. Sipas ministrisë, numri i aplikimeve për pasaporta biometrike arriti shifrën 501 mijë. Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme është theksuar sërish fakti se në momentin kur një qytetar do të pajiset me pasaportën e re, me elementë të lartë sigurie, pasaporta e tij e mëparshme (e vjetra), del menjëherë jashtë përdorimit dhe nuk është më e vlefshme. "Marrja e pasaportës së re biometrike do të shoqërohet me bërjen të pavlefshme të pasaportës në përdorim nga shtetasi në momentin e paraqitjes pranë zyrave të "Aleat" në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe", theksohet në njoftimin për shtyp. Nga ana tjetër, ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të ndjekin shembullin e 501 mijë personave për t'u pajisur të gjithë me dokumente të nivelit të lartë të sigurisë. Ministria ftoi të gjithë ata që kanë aplikuar dhe kanë plotësuar afatet e prodhimit të dokumentit të identifikimit, që të paraqiten për të tërhequr pasaportat. "Duke shprehur kënaqësinë për ritmin e shpejtë dhe suksesin e këtij procesi, Ministria e Brendshme gjen rastin të përgëzojë të gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për t'u pajisur me pasaporta biometrike, këtë dokument të standardeve evropiane", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›