E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti kërkon gjykim të shkurtuar, gjykata refuzon

Nga karrigia e tij me rrota, i akuzuari për vrasjen e katër policëve, kërkoi gjykim të shkurtuar pasi sipas tij procesi nisi pa praninë e tij


Prokuroria kundërshtoi kërkesën e të akuzuarit, me pretendimin se kishte kaluar afati procedural për këtë kërkesë


TIRANË- Gjykata për Krime të Rënda në kryeqytet, refuzoi dje kërkesën e Dritan Dajtit për shqyrtimin e procesit penal në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të kërkuar prej tij gjatë seancës së djeshme gjyqësore, ku ai vetë qe i pranishëm.


Në këtë seancë e 17 që nga 29 dhjetori i viti 2009 kur është shqyrtuar seanca e parë gjyqësore në ngarkim të Dajtit, kunatit të tij Ergest Xhoxhi dhe ish-oficerit Mariglen Muça, i akuzuari për "vrasjen" e pesëfishtë u paraqit në sallën e gjyqit i ulur në një karrocë me rrota (invalidësh).


I rrethuar nga forca të shumta të Policisë së Burgjeve, Dajti qëndroi për disa minuta në sallën e gjyqit duke u larguar më pas pasi pohoi se nuk mund të qëndronte për shkak gjendjes jo të mirë shëndetësore.


Por, para se të largohej Dajti njoftoi gjykatën se nuk dëshironte avokat të caktuar nga shteti pasi kishte zgjedhur sërish për mbrojtjen e tij, Arben Qeleshin.


Ky i fundit, pas legjitimimit në procesin gjyqësor, i kërkoi gjykatës që procesi penal ndaj klientit të tij të zhvillohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Edhe vetë Dajti i ulur në karrige me rrota i rrethuar nga shumë forca policie, përsëriti kërkesën e avokatit. "Unë mbështes kërkesën e avokatit dhe kërkoj të gjykohem në një proces me procedura të shkurtuara.


Në seancën e kaluar gjyqësore, unë nuk kisha mundësi të vija, pasi nuk jam në gjendje të mirë dhe ju nuk duhet të kishit filluar procesin gjyqësor pa dëgjuar kërkesat e mia",- tha Dajti, duke kërkuar t'i respektohen të drejtat që i jep ligji.


I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorëve Ardian Nezha dhe Eugen Beçi të cilët i kanë kërkuan gjykatës refuzimin e kërkesës së të pandehurit. "Procesi ndodhet në një fazë ku kërkesa nuk mund të bëhet pasi i ka kaluar afati"-tha prokurori Beçi duke kërkuar rrëzimin e kërkesës.


Më pas, edhe trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova, vendosi rrëzimin e kërkesës së të pandehurit Dajti, duke pranuar argumentin e prokurorëve të çështjes.


Sipas procedurës penale, nëse Dajtit i pranohej kërkesa për gjykim të shkurtuar, ai do t'i shpëtonte "burgimit të përjetshëm", gjithmonë nëse do deklarohej fajtor për vrasjet dhe akuzat e tjera që rëndojnë mbi të, duke u dënuar përfundimisht me 25 vite burg.


Me të lexuar vendimin e ndërmjetëm gjykata, i pandehuri Dajti kërkoi të vizitohet nga mjekët pasi nuk ndihej mirë duke kërkuar edhe shtyrjen e seancës gjyqësore për të kryer disa ekzaminime shëndetësore. Kërkesa e u pranua nga gjykata e cila e ndërpreu vazhdimin e seancës gjyqësore duke i pezulluar afatet e ditëve të paraburgimit.


Ndërkaq, në sallën e djeshme përveç Dajtit, ishte i pranishëm në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit edhe kunati i tij Ergest Xhoxhi. Ish-oficeri Mariglen Muça nuk kishte preferuar të paraqitej në sallë, duke kërkuar mbrojtjen e interesave të tij ligjore nga avokati Agron Lamaj.


Policia blindon gjykatën para seancës


Para fillimit të seancës gjyqësore, i gjithë ambienti i Gjykatës së Krimeve të Rënda është kontrolluar në çdo ambient nga frika e ndonjë atentati të mundshëm ndaj "vrasësit" të katër policëve dhe shokut të tij.


Sipas akuzës, mesditën e 7 gushtit 2009 në zonën e plazhit në Durrës, sektori i njësisë së operacioneve kishte pikasur të shumë kërkuarin në një makinë.


Sapo i janë afruar për ta arrestuar nga brenda makinës Dajti ka qëlluar duke i vrarë agjentët Fatos Xhani dhe Artur Duçkollari, më pas ka zbritur nga makina dhe nga të shtënat në drejtim të policisë ka vrarë agjentin Altin Dizdari dhe shokun e tij Ledion Mare, Më pas, në ikje e sipër ka qëlluar nga mbrapa shpinës agjentin Kastriot Feska duke e lënë të vdekur dhe ka plagosur një kalimtar të rastit, duke e ngatërruar për efektivë policie.


Por nuk ka mundur të largohet pasi është qëlluar nga efektivët e tjerë, duke e neutralizuar me dy plumba, njëri prej të cilëve i ka prekur shtyllën kurrizore duke i paralizuar njërën këmbë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›