E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulen vitet e shkollës profesionale

Projektligji i ri propozon reduktimin në tri vite të shkollës së mesme profesionale, nga katër që është aktualisht


Pranë universiteteve dhe institucioneve arsimore do të ngrihen kurse të reja kualifikimi për teknikët


Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional ka zhvilluar ditën e djeshme në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës një takim për miratimin e draftit të Projektligjit të ri për arsimin profesional.


Duke qenë se sistemi arsimor në vend ka pësuar një sërë ndryshimesh, sidomos pas miratimit të kornizës së kualifikimeve pak muaj më parë është e domosdoshme edhe ndryshimi i ligjit për këtë program mësimor. Specialistë të këtij këshilli propozojnë ndryshime në disa drejtime.


Reduktimi i viteve


Ligji aktual për arsimin profesional, parashikon një program studimi të ndarë në katër pjesë, ku një nxënës pas përfundimit të dy viteve të para të shkollës së mesme profesionale merr një certifikatë si punëtor i kualifikuar. Pas kësaj, nxënësi mund të ndjekë edhe një program mësimor njëvjçar, në përfundim të të cilit merr titullin teknik.


Dhe në rast se do të kualifikohet më tej dhe të përgatitet për të ndjekur studimet në universitet duhet të njekë edhe një vit tjetër shkollor. Gjatë këtij viti, nxënësi merr edhe përgatitjen e duhur teorike për në universitet.


Ajo që propozon drafti është reduktimi i programit mësimor nga katër në tri vite. Sipas formulës së re të propozuar ky program 3-vjçar do të jetë më i reduktuar dhe më i ngarkuar se sa ai 4-vjçar dhe në përfundim të tij nxënësit do të jenë gati për tregun e punës, por njëkohësisht do të kenë marrë edhe njohuritë e duhura teorike për të konkurruar në universitet, pa qenë nevoja e ndjekjes së kurseve të tjera.


Specialistja për Arsimin e mesëm në MASH, Dorina Rapti, shpjegon se programi trevjçar do të jetë një strukturë mësimore paralele me atë ekzistuese. E thënë ndryshe, nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin mes një arsimi profesional trevjçar apo katërvjçar.


Për ata nxënës që dëshirojnë të ndjekin universitetin pas përfundimit të shkollës së mesme, programi trevjçar i jep mundësinë që të "kursejnë" një vit shkollor, pasi me njohuritë e marra gjatë këtij programi mund të kandidojnë për në universitet pa kryer kualifikime të mëtejshme.


Vç kësaj, në tregun e punës do të jenë të barabartë me ata që kanë kryer arsimin profesional katërvjçar, por duke drafti nuk ka përfunduar ende nuk është përcaktuar nëse titulli që do të marrin nxënësit pas përfundimit të programit trevjçar do të jetë i njëjtë me atë katërvjçar, pra teknik i mesëm.


Kualifikimi

Projektligji i diskutuar gjatë ditës së djeshme parashikon edhe kualifikime të mëtejshme, pas shkollës profesionale, por jo të nivelit universitar. Kështu, pranë universiteteve ose vetë shkollave të mesme do të ngrihen kurse të ndryshme një ose dyvjçare, të cilat do të shërbejnë për specializim të mëtejshëm. Në përfundim të këtyre kurseve, nxënësit do të marrin titullin menaxher ose teknik të lartë.


Mbledhja e djeshme e këtij këshilli u kryesua nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, dhe Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Y. Lezo


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›