E Diel, 1 Nëntor 2026

Dajti me 2 blinda në gjykatë, seanca shtyhet

09/06/2010 Me karrocë invalidi kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, nuk pranohet

Avokati Arben Qeleshi kërkon të njihet me provat që disponon Prokuroria

TIRANË- Dritan Dajti akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë më 7 gusht 2009 në Durrës, erdhi në Gjykatën e Krimeve të Rënda i shoqëruar nga autoambulanca e Spitalit të Burgut dhe dy makina të blinduara të Renea-s. Por gjyqi kundër tij u shty me kërkesë të avokatit mbrojtës Arben Qeleshi, i cili tha se duhej të njihej me provat e akuzës. Për këtë qëllim seanca tjetër do të mbahet më 18 qershor, ndërsa u pezulluan afatet e paraburgimit. Ndonëse seanca ishte caktuar në orën 15.00, i pandehuri i ulur në një karrocë invalidi, ishte i pranishëm në gjykatë qysh në orën 11.00. Ardhja më herët në ambientet e gjykatës kishte si qëllim pjesëmarrjen në një seancë të drejtuar nga gjyqtarja Etleva Deda, ku do të shqyrtohej kërkesa për përjashtim të trupit gjykues. Ai dëgjoi vendimin e gjykatës, e cila i rrëzoi këtë kërkesë. Sipas avokatit Arben Qeleshi dhe të pandehurit Dritan Dajti, gjykata ka mbajtur qëndrim të njëanshëm në momentin kur nuk pranoi gjykimin e shkurtuar për të, si dhe nuk revokoi vendimin që i hapi rrugë nisjes së procesit në datë 28 maj. I cilësuar person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Dajti është rrethuar nga forca të shumta policie. Pasi mori përgjigje negative, Dajti priti fillimin e gjyqit në orën 15.00. Në heshtje ka qëndruar për disa minuta ulur në karrocë, brenda kafazit të hekurt. Qelshi i tha gjykatës se përveç faktit që do të njihet me aktet, ai ende nuk ka marr kontakt me klientin e tij për të diskutuar në lidhje me ecurinë e mëtejshme të procesit. Ndërsa të dy janë shprehur se do të apelojnë vendimin negativ që mori gjykata për mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar. Në rast të pranimit të kësaj praktike, Dajti i shpëtonte automatikisht burgimit të përjetshëm. Prokuroria e pati më të lehtë kundërshtimin e saj, kur tha se ka filluar shqyrtimi gjyqësor dhe nuk është momenti për të bërë kërkesa të tilla. Ndërsa vet i pandehuri u shpreh se gjykata duhej të merrte parasysh faktin se ka qenë i shtruar në spital në pamundësi fizike të jetë i pranishëm në gjyq për të bërë kërkesat.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›