E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rënia e Fylarkëve”

Elmaz SHERIFI 

Në vitin 437 para Krishtit në Dyrrah, është zhvilluar një luftë shumë interesante,e cila nga historianët është vlerësuar si lufta civile e Dyrrahut. Shkaku kryesor i kësaj lufte ishte uzurpimi i pushtetit politik  nga Oligarkia fisnore, të cilët quheshin FYLARK dhe kishin pushtet të trashëguar. Kjo ngjarje është shumë e vlerësuar në historinë e institucioneve, për karakterin, motivet dhe qëllimet thellësisht politike të saj. Lufta përfundoi me rënien e Fylarkëve dhe krijimin e institucioneve të reja politike. Vendin e pushtetit politik të Fylarkëve e zunë institucionet demokratike, që përfaqësonin jo vetëm interesat e Fylarkëve, por dhe të shtresave të reja që ishin krijuar nga proceset e vrullshme të zhvillimit, si dhe interesat e popullsisë së lirë e veçanërisht të Ilirëve, të cilët cilësoheshin prej Fylarkëve si “të huaj”. Këto organe demokratike ishin, BULEJA, e cila zëvendësoi pushtetin e “Oligarkisë fisnore” me organin kolegjial dhe HELIFEJA, organi përfaqësues i popullit, me karakter shumë të lartë demokratik, po të kemi parasysh se këto organe u krijuan 2446 vjet më parë! Me të drejtë mund të bëhet pyetja se si ndërthuret historia e Fylarkëve me ngjarjet e sotme politike? Analogjia mund të shërbejë për të analizuar ngjarje e zhvillime politike të ndryshme në vendin tonë. Ajo vlen për të kuptuar nivelin demokratik në funksionimin e organeve drejtuese e vendimmarrëse të partive politike. Dhe veçanërisht për përfaqësimin e interesave politike të shtetasve në institucionet e pushtetit.
Pas zgjedhjeve humbëse parlamentare, organet drejtuese të Partisë Socialiste u “bënë memece”, pasi u traumatizuan për shkak të një rezultati që nuk e dëshironin.
Ka disa ditë që bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit të partisë po shfaqen nëpër studiot televizive. Kjo përbën me të vërtetë një lajm. Madje, Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, në një emision televiziv, deklaroi se: Kryetari i partisë, për shkak të humbjes së zgjedhjeve parlamentare donte të largohej nga drejtimi i partisë! Edhe ky është lajm. A duhet ta marrim për të vërtetë këtë lajm? Kjo për faktin se deri tani Rama, nuk pranon t’i ketë humbur zgjedhjet, ndërkohë që vetë anëtarët e komisioneve të Partisë Socialiste i kanë certifikuar zgjedhjet duke i firmosur procesverbalet në të gjitha nivelet.
Nëse Rama do të mbante premtimin e largimit në rast humbje,(kjo e sanksionuar nga vetë ai në statut) veprimi dhe sjellja e tij politike do të vlerësoheshin nga të gjithë faktorët, brenda dhe jashtë vendit. Socialistët do ta konsideronin një politikan serioz e të përgjegjshëm, që tentoi t’i sillte në pushtet edhe pse dështoi. Por kjo nuk ndodhi! Pas mosdhënies së dorëheqjes së parevokueshme, Rama gaboi sërish kur urdhëroi bojkotimin e Parlamentit dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme për qeverisjen vendore! E çuditshme dhe e pazakontë kjo sjellje politike për një parti që më parë ka dhënë kontribute të çmuara në ngritjen dhe modernizimin e institucioneve politike. Kjo sjellje politike është pa sens për këtë parti të madhe, ndërkohë që vendi ynë është anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE. Është absurd ky veprim politik i kryer nga një parti anëtare e Internacionales Socialiste në momentet kur socialistët dhe qytetarët shqiptarë presin liberalizimin e vizave. Një analizë e përciptë e kryer qoftë dhe nga njerëz me inteligjencë normale të çon në përfundimin se këto sjellje dhe vendime politike të Partisë Socialiste janë të dëmshme dhe të pajustifikuara, duke cenuar rëndë interesat e vendit dhe imazhin e socialistëve. Tashmë në Partinë Socialiste nuk ekziston “hierarkia” institucionale e zëdhënësve të shtypit. Deklaratat bëhen nga Rama dhe të urdhëruarit e tij, të cilët shfaqen herë para derës së selisë së Partisë Socialiste, në lulishte, para ose pas ndonjë muri institucioni. Prandaj gradualisht edhe opinioni publik ka filluar të mos i marrë seriozisht deklaratat dhe prononcimet e bëra, ndërsa te socialistët po thellohet bindja se kjo parti po largohet gjithmonë e më tepër nga misioni i saj, duke u shndërruar në një subjekt që nuk vepron, por thjesht tregon se ç’duhet bërë.
       Partitë janë organizata politike kushtetuese, misioni i të cilave është bashkimi vullnetar i të gjithë atyre që besojnë në programin politik, programin qeverisës dhe lidershipin udhëheqës për marrjen dhe drejtimin e pushtetit. E vërteta është se që nga momenti kur Rama ka marrë drejtimin e Partisë Socialiste, janë humbur të gjitha betejat elektorale. U humbën zgjedhjet e pjesshme për deputet dhe zgjedhjet e pjesshme lokale në vitin 2006. Janë humbur thellë zgjedhjet lokale në vitin 2007. Madje do të thosha, se kjo është dhe një nga shkaqet e humbjes së zgjedhjeve të fundit parlamentare. Rezultati më i dobët rezultoi pikërisht në Bashkitë dhe Komunat që humbëm në vitin 2007.
Sot, Partia Socialiste ka në krahasim me vitin 2003:
Rreth 700 këshilltarë më pak në Bashki e Komuna. Ajo ka 110 kryetar bashkie dhe kryetarë komunash më pak. Ka gjithashtu 8 qarqe më pak, duke humbur dhe mijëra vende pune. I vetmi sukses i zgjedhjeve lokale ishte fitimi i kryetarëve të bashkive në qytetet e Elbasanit dhe Korçës, duke humbur në të njëjtën kohë kryetarët e bashkive të Krujës dhe Kukësit që fitoheshin nga socialistë prej vitit 2000. Socialistët fitonin rregullisht shumicën absolute të njësive të qeverisjes vendore prej korrikut 1992.
Nën drejtimin e Ramës socialistët dhe krejt e majta humbën edhe zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Për herë të parë, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1992, e majta rezulton më e vogël se e djathta. Deklarimet se në zgjedhjet e fundit parlamentare Partia Socialiste ka marrë vota më shumë se më parë, nuk tregon rritjen reale të saj, pasi Partia Demokratike ka marrë shumë më tepër vota se më parë dhe ritmet e rritjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit janë më të larta se ato të Partisë Socialiste. Edhe votuesit e rinj, ata që votonin për herë të parë, më shumë votuan Partinë Demokratike, sesa Partinë Socialiste. Këto janë fakte. 
Kjo është humbja më e madhe, jo vetëm e Partisë Socialiste, por dhe e të gjithë politikanëve që drejtojnë të majtën. Deklaratat e shpeshta, se Partia Socialiste është forca më e madhe politike, nuk mund të mbulojnë paaftësinë për krijimin e një koalicioni fitues. Në këto zgjedhje nuk do të konkurronin partitë politike, por koalicionet politike. Kjo diktohej nga sistemi zgjedhor që preferoi vetë Rama. Berisha duke kuptuar filozofinë e sistemit zgjedhor ftoi në koalicionin e djathtë të gjithë të larguarit dhe të përjashtuarit nga PD që prej themelimit të saj. Shumë prej tyre u vendosën në listën fituese për deputet. Ndërsa Rama përjashtoi nga lista e deputetëve themeluesin dhe ish-kryetarin e Partisë Socialiste si dhe shumë nga deputetët fitues në disa legjislatura rresht, duke i zëvendësuar me kandidatë që nuk kanë patur asnjë lidhje me PS dhe as kanë qenë persona publikë. Kjo është arsyeja kryesore që koalicioni i së djathtës për herë të parë është më i madh në numër votuesish se koalicioni i së majtës. Madje, e majta, duke futur edhe LSI, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005 është zvogëluar me rreth 35 mijë vota, kurse koalicioni i djathtë në pushtet, pa LSI është rritur me rreth 24 mijë vota. Tani koalicioni qeverisës ka mbi 100 mijë vota më shumë se koalicioni i majtë. Në vitin 2005 e majta kishte rreth 120.000 më shumë se e djathta. Vetëm faktet tregojnë gjendjen reale dëshpëruese që ekziston në Partinë Socialiste. Rama dhe mbështetësit e tij duke përsëritur tezën se PS-ja ka dalë forca e parë, tregojnë qartazi se nuk kanë pasur si synim marrjen e pushtetit, por vetëm qëndrimin në krye të Partisë Socialiste thjesht për interesat e tyre, duke braktisur interesat e socialistëve dhe votuesve të majtë. E them me bindje se për fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit punuan edhe ata që nuk e vlerësonin ose nuk besonin te Rama. Ata punuan për fitore, sepse dëshironin rotacionin e pushtetit. Por ishin politikat e gabuara të Ramës që nuk mundësuan ardhjen e të majtëve në pushtet. Nga analiza e ftohtë dhe logjike e ngjarjeve dhe fakteve mund të konkludojmë se me Ramën në krye të Partisë Socialiste humbje të reja na presin! Ky përfundim vjen edhe pas kontaktesh të shumta me qindra socialistë, të cilët trajtohen si “të huaj” në dyert e selisë së PS nga “ardhacakët” e ftuar prej Ramës dhe mbështetësit e tij, të cilët nuk kanë ardhur në PS për ta reformuar, por për të përfituar prej saj dhe për të mbrojtur Ramën.
   Është gjithashtu fakt se organet e të larta drejtuese të Partisë Socialiste janë shndërruar në institucione ku komunikohen urdhra, kur duhej të përpunonin politika e të merrnin vendime serioze. Vetëm në këto organe anëtarët marrin mesazhe se si duhet t’iu kundërvihen kritikuesve të Ramës. Kjo gjendje mjerane buron nga fakti se në Kongres dhe Asamble një shumicë e anëtarëve janë të emëruar nga Rama. Kjo nuk thuhet sot, por është denoncuar nga dhjetëra organizata të PS-së e qindra anëtarë që nga momenti kur u shfaq ky fenomen. Rama largoi nga organet drejtuese shumë figura kontribuuese në Partinë Socialiste, duke i zëvendësuar me kategorinë e “të bindurve”. Formalizmi i organeve të PS-së duket qartë dhe në rastin e bojkotit parlamentar. “Bojkotin e Parlamentit e vendosi Kongresi”, - thonë shumë nga mbështetësit e Ramës. Kjo nuk është e vërtetë, sepse nuk ka asnjë akt të dalë nga ky Kongres (anëtarët e të cilit flijohen para karizmës së kryetarit), për bojkotimin e Parlamentit. Këtë e pranoi edhe kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, kur deklaroi se Kongresi autorizoi Kryesinë e Partisë të vendoste për bojkotin.
Vendimmarrjet e mëdha politike që kanë lidhje me jetën parlamentare në vendet me demokraci të zhvilluar i marrin grupet parlamentare, jo strukturat partiake. Partia Socialiste nuk ka grup parlamentar, sepse “deputetët” nuk e kanë bërë betimin në Parlament. Të gjitha vendimmarrjet burojnë nga kryetari dhe kryesia. Këto janë dy institucionet përgjegjëse për situatën aspak normale në Partinë Socialiste. Te ky binom duhen kërkuar dhe përgjegjësit e humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe politikat vijuese të dështimit. Prandaj këto dy institucione mbajnë fort njëra-tjetrën. Po iku Kryetari bie dhe Kryesia, sepse kjo Kryesi mbahet nga Kryetari.  Dihet se Rama nuk ka pranuar se i ka humbur zgjedhjet. Ndërsa Kryetari i Asamblesë deklaroi se Rama donte të ikte. Po përse do të ikte kryetari, kur ai nuk pranon se i ka humbur zgjedhjet, përkundrazi ai pretendon se është fitues? Këtu fillon edhe akti tjetër i komedisë!. “Në 2005 ishte Rama që donte të bëhej Kryetar, por se ndiente Partia”, - deklaroi Kryetari i Asamblesë. Por në qoftë se nuk e ndjente -(donte) Partia, kush e bëri Kryetar Ramën? Sipas kësaj deklarate del se Edin e bëri kryetar të PS, Kryetari i Asamblesë. Ndoshta kjo është arsyeja që Kryetari i Asamblesë në një emision  televiziv artikulonte shprehjet: “Partia ime”, “Familja ime politike”. Sipas shkencëtarëve të logjikës dhe linguistikës, gjuha e shprehur nga një individ apo grup pasqyron mendimin e tyre real. Po kaq interes paraqet edhe teza: “Tani Ramën e duan socialistët, prandaj për atë votuan 94 për qind e tyre”. Kjo është një tezë qesharake. Tani që Rama u provua, socialistët as që kanë më besim tek ai. Historitë e 94 përqindëshave veçse e rrënojnë dhe më shumë imazhin e Ramës dhe mbështetësve të tij. Këtë të vërtetë e dinë më mirë se kushdo socialistët, që në shumicë absolute nuk shkuan për të votuar, sepse nuk kanë kohë për të humbur për një proces farsë. Zgjedhjet sipas parimit një anëtar, një votë në kushtet tona janë krejt formale, madje kur nuk ka konkurrim real, si në zgjedhjet e radhës për kryetar partie, ato shndërrohen në një fasadë mashtruese për opinionin publik. Rama nuk duhet të konkurronte sepse ai është humbës i zgjedhjeve. Ai thjesht duhet të jepte dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të PS. Por në vend që të dorëhiqej, ai deklaroi në Kongres se do të qëndronte në krye të PS, duke mos respektuar kështu normën statutore të formuluar po nga ai për largimin nga drejtimi në rast humbjeje.
Me këtë veprim, me këtë sjellje politike, Rama po jep prova se ai nuk e imagjinon veten pa pushtet, madje pa të gjitha pushtetet si Kryetar Partie, Kryetar Bashkie dhe Kryeministër. Me sa kuptohet Rama dëshiron të shndërrohet në një “Monark partiak” dhe Kryesia e PS që mbron vetëm interesat e tij dhe të saj (por jo të socialistëve), po shndërrohet në një “Oligarki partiake”. Rama që në fillim e shpalli veten si përfaqësuesi i “politikës së re” dhe Nanon e shpalli përfaqësuesin e “politikës vjetër”. Por etja e tij për pushtet është një formë shumë e vjetër qeverisjeje. Teza e Ramës është edhe e pabesueshme dhe demagogjike për faktin që shumë prej anëtarëve të Kryesisë aktuale të Partisë Socialiste kanë qenë për 15 vjet bashkëpunëtorët e ngushtë të Nanos. Gjithashtu në kryesinë aktuale janë anëtarë të saj, ish-ministrat e përhershëm të qeverive socialiste për 8 vjet rresht. Ata kanë qenë ministra edhe të qeverisë Nano, të cilën Rama në turet e tij të pazakonta dhe amorale para zgjedhjeve të vitit 2005, e cilësonte si qeverinë e korrupsionit. Si mund të pranohet teza se Nano është përfaqësuesi i “politikës së vjetër”, ndërsa ish-bashkëpunëtorët e tij që tani janë anëtarë kryesie qenkan përfaqësuesit e “politikës së re”, të Ramës?! Rama erdhi si misionari i bashkimit të së majtës, për të korrigjuar gabimet e së shkuarës e sidomos qëndrimin ndaj Metës. Sot, Partia Socialiste është më e përçarë se më parë dhe Metën e ka shpallur armikun më të rrezikshëm. Edhe pse erdhi të bashkonte gjithë të majtën dhe ta bënte fituese me zgjedhje të parakohshme para vitit 2009, Rama rezultoi arkitekti i përçarjes së saj. Ishin aleatët e majtë që pas zgjedhjeve të 28 qershorit e akuzuan Ramën si shkaktar të humbjes, pavarësisht se tani kanë ndryshuar kursin dhe besojnë se me Ramën dhe Ngjelën në krye do realizojnë zgjedhje të parakohshme!
Në përfundim mund themi se amoraliteti politik që sundon në organet drejtuese të PS, synon mbrojtjen e interesave familjare dhe karrierës politike e personale, të “Oligarkisë partiake” dhe aspak mbrojtjen e interesave të socialistëve dhe të majtëve. Disa nga anëtarët e përhershëm të Kryesisë dhe sekretarët e saj janë shndërruar në një “Inkubator Intrigash”, gjë që e ka dëmtuar rëndë solidaritetin e socialistëve, frymën e bashkëpunimit dhe të kolegjialitetit në marrjen e vendimeve.
Është e qartë për të gjithë se kontrata e “Fylarkëve” me Ramën do zgjasë për aq kohë sa ai është Kryetar Bashkie. Këtë të vërtetë do e shohim pas 2011, kur Rama nuk do të jetë më Kryetar Bashkie. Kjo do  të jetë koha e rënies së “FYLARKËVE”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›