E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në “kurthin"e pasaportave të reja

 
Kanë mbetur në Shqipëri dhe nuk kthehen dot në vendet e tyre të punës, pasi prej më shumë se një muaji kanë aplikuar për pasaportat biometrike, por nuk po i marrin. Tentojnë të bllokojnë rrugën “Aleksandër Goga” përpara policisë
 
 
Aleks Kalemasi
DURRëS – Acarimi i tyre ka arritur kulmin, derisa kanë tentuar edhe të bllokojnë rrugën përpara Drejtorisë së Policisë. Dhjetëra emigrantë që kanë ardhur në atdheun e tyre për festat e fundvitit apo për arsye të tjera, kanë denoncuar vonesat që lidhen me prodhimin e pasaportave të reja biometrike. Shumë prej tyre kanë aplikuar që në fund të muajit dhjetor dhe fillimin e muajit janar të këtij viti, por ende nuk i kanë marrë pasaportat. Në momentin që ata kanë aplikuar, punonjësit e kompanisë “Aleat Group” iu kanë bërë të ditur se pasaportat do të mund t’i marrin pas 15 ditësh te zyra ku shpërndaheshin pasaportat e vjetra, te Drejtoria e Policisë. Në sallën që gjendet në këtë vend, gjatë gjithë ditës shesh njerëz të shumtë që pyesin për pasaportat e tyre.
Pothuajse të gjithë janë emigrantë, të cilëve iu ka skaduar afati i pasaportave të reja dhe në kushte të tilla kanë aplikuar për pajisjen me pasaportat e reja. Ata kanë më shumë se 1 muaj që kanë aplikuar, ndërkohë që pasaportat nuk kanë ardhur në Durrës. Reagimet e tyre kanë qenë të ashpra, madje para disa ditësh shumë prej tyre kanë tentuar të bllokojnë rrugën “Aleksandër Goga” para policisë, duke kërkuar shpjegime nga drejtori i kësaj policie. Emigrantët kanë bërë të ditur se vonesat në prodhimin e pasaportave iu kërcënojnë seriozisht vendet e tyre të punës, pasi ata në këtë moment duhet të ishin në Itali dhe Greqi. Taulant Lila është një i ri nga Shkozeti i Durrësit, i cili prej disa vitesh punon në Itali. Ai është shprehur: “Kam aplikuar që në datën 27 dhjetor. Më thanë se do të jetë gati pas dy javësh. Unë erdha në fakt pas tri javësh dhe nuk kishte dalë. Më pas erdha sot, kur kanë kaluar 6 javë dhe përsëri nuk ka dalë. Pasaporta më ka prishur shumë punë. Unë jetoj në Firence dhe deri tani kam humbur shumë nga puna ime atje. Nuk e di se kur do të dalë dhe këta që janë në këtë zyrë nuk dinë asgjë se kur do të vijë”. Në të njëjtën situatë si Taulanti ka edhe dhjetëra të tjerë që kanë aplikuar dhe presin prej më shumë se 4 dhe 5 javë për marrjen e pasaportave të reja. Shumë prej këtyre njerëzve kanë kërkuar me ngulm që të takojnë drejtorin e policisë së qarkut Durrës, Aleks Hajdari. Ky i fundit i ka pritur në takim, duke iu premtuar se do të kërkojë ndërhyrjen e prefektit të qarkut për këtë çështje.
 
 
 
Asnjë shpjegim nga punonjësit e policisë
DURRëS - Në sallën ku shpërndahen pasaportat e prodhuara punojnë dy vetë. Ata bëjnë vetëm verifikimin e kuponëve, në bazë të të cilëve kontrollojnë nëse kanë ardhur pasaportat biometrike nga Tirana. Pyetjes se përse ka vonesa të tilla, ata i përgjigjen shkurt: “Nuk jemi të autorizuar për të folur për këtë problem dhe se duhet të drejtohemi te drejtoria qendrore e kompanisë në Tiranë”. Në këtë periudhë të vitit, kur nuk ka kërkesa të shumta për prodhimin e pasaportave biometrike, është e pashpjegueshme se përse ka vonesa që shkojnë në më shumë se një muaj për prodhimin e tyre. “Aleat Group” është kompania që prodhon edhe kartat e identitetit, për të cilat që në fillim u vendos afati kohor prej dy javësh nga momenti i aplikimit për prodhimin e tyre. Kjo kompani në ditët e fundit para zgjedhjeve të 28 qershorit e përshpejtoi mjaft punën, duke bërë që afatet e prodhimit të kartave të identitetit të shkonin edhe 6 dhe 7 ditë nga momenti i aplikimit. Vetëm ditën e djeshme, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka shpërndarë një njoftim që ka dalë nga zyrat e kompanisë “Aleat Group”, në të cilin nuk thuhet asgjë për vonesat në prodhimin e pasaportave, por saktësohet se shpërndarja e pasaportave biometrike do të bëhet vetëm në rast se shtetasit që kanë aplikuar, do të dorëzojnë të vjetrën që ka skaduar. Në rast se ajo ka humbur, atëherë ata duhet të kenë vërtetimin e denoncimit që kanë bërë në polici, ndërsa personat që aplikojnë për herë të parë për këtë lloj pasaporte duhet të kenë vërtetimin e zyrës ku kanë aplikuar. Kjo gjë vlen për qytetarët që paraqiten në sportelin ku ata presin për marrjen e pasaportave të reja, i cili gjendet tek ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës.
 
 
 
Vlorë
 
Policia ndryshon kriteret për pajisjen me pasaporta
VLORë - Policia përpiqet të fshehë situatën e rënduar në sportelet e pasaportave, duke bërë deklarata lidhur me ndryshimin e procedurave për pajisjen me dokumentin e ri. Dje, policia e Vlorës ka bërë një deklaratë publike, në të cilën theksonte faktin se të gjithë qytetarët e interesuar për pajisjen e tyre me pasaportë biometrike do të aplikojnë duke u bazuar në disa kritere të caktuara. Të bazuara në urdhrin nr. 107 të datës 04.02.2010, të nxjerrë nga Policia e Shtetit dhe kompania “Aleat”, këto kritere paraqesin disa detaje që duhen përmbushur gjatë shpërndarjes së pasaportave biometrike për qytetarët. Ato parashikojnë konkretisht që, kur qytetari paraqitet për të tërhequr pasaportën biometrike, duhet të paraqesë pasaportën e vjetër në rastet kur e disponon atë, me qëllim çaktivizimin dhe bërjen të pavlefshme të saj. Në rastet kur qytetari është i pajisur me pasaportë të vjetër dhe e ka humbur, vjedhur ose dëmtuar atë, detyrimisht paraqitet pranë komisariatit policor për të bërë denoncimin dhe për t’u pajisur me vërtetim, të cilin e paraqet në zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike. Por në rast se qytetari nuk është i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër, pajiset nga ana e policisë me një vërtetim, i cili tregon që ai e ka një të tillë dhe qytetari më pas këtë vërtetim e paraqet te zyra e shpërndarjes për të tërhequr pasaportën biometrike.
 
 
 
Gjirokastër
 
Qendër sociale
për shtresat
në nevojë
 
GJIROKASTëR - Tashmë shtresat në nevojë në zonën e Gjirokastrës kanë gjetur një mbështetje më shumë. Dega e Kryqit të Kuq ka mundësuar çeljen e një qendre në shërbim të fëmijëve të varfër, jetimë, fëmijëve të rrugës apo të moshuarve të vetmuar. Kjo qendër ofron një asistencë të specializuar në drejtim të mbështetjes së shtresave në nevojë. “Pjesa e saj janë 2 grupe vulnerabël: 30 jetimë dhe fëmijë të rrugës, si dhe 30 të moshuar të vetmuar. Për të qenë sa më pranë këtyre personave në nevojë, me fëmijët zhvillohen aktivitete gjatë pasdites, ndërsa të moshuarit kalojnë në këtë qendër orët e paradites”, thotë koordinatorja e Kryqit të Kuq në Gjirokastër, Aida Hysi.
Sipas një plani mësimor të detajuar, paraprakisht fëmijët e kësaj qendre marrin pjesë në një sërë aktivitetesh. Ata përfshihen në kurse kompjuteri, mësimin e gjuhës angleze, realizojnë punime të ndryshme me dorë etj. Pjesë e ndihmës për fëmijët e kësaj qendre është mbështetja ushqimore, realizimi i kampit veror, mësime për higjienën personale, aktivitete integruese, ekskursione, lojëra, gatime të ndryshme, kurse vizatimi etj. Sipas Hysit, për realizimin me sukses të këtyre aktiviteteve një ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë edhe vullnetarë të degës ,si dhe dy të rinj amerikanë, vullnetarë të Korpusit të Paqes, të cilët bëjnë mësimin e gjuhës angleze dhe të kompjuterit. “E kisha mjaft të vështirë që të lidhja shoqëri me shoqet e mia, pasi familja ime është e varfër dhe unë shkoj mjaft rrallë në shkollë, kështu që në këtë qendër kam gjetur shoqërinë e munguar”, thotë vogëlushja Rula Nexhipi. Ndërkohë, edhe fëmija e një familjeje rome, Anxhela Zenuni, shprehet mjaft e kënaqur për aktivitetet që organizojnë në qendër. “Vazhdimisht këtu zhvillojmë lojëra të ndryshme dhe ndihem mjaft e kënaqur”, thotë ajo. Vogëlushi Kostandin Hasani, i cili është një fëmijë jetim, në këtë qendër ka gjetur ngrohtësinë familjare dhe të bashkëmoshatarëve të tij.
B. Shehu
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›