E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat të groposura në tunelet e ish-Komitetit Ekzekutiv

Varri masiv
 

 
Prokuroria nis hetimet dhe urdhëron Mjekësinë Ligjore të ekzaminojë 19 skeletet dhe një kafkë që janë gjendur dje. Eshtrat dyshohet se u përkasin të pushkatuarve të sistemit komunist nga viti 1974 e në vazhdim
 
 
Artan CENA
TIRANë - Varri masiv i zbuluar pak ditë më parë në malin e Dajtit ka vënë në alarm policinë dhe Prokurorinë e Tiranës, të cilat kanë dërguar grupe ekspertësh në vendin e ngjarjes, ku janë kryer gërmime edhe ditën e djeshme. Sipas policisë, bëhet fjalë për gjetjen e të paktën 19 trupave, të cilët ndodheshin në një varr masiv me një sipërfaqe rreth 70 metra katrorë në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të ish-Komitetit Ekzekutiv, në fshatin Qerret, pranë malit të Dajtit në Tiranë. Ende nuk dihet se kujt i përkasin eshtrat e gjetura, por besohet se ato janë të të pushkatuarve të epokës së komunizmit, pas vitit 1974. Gjithçka është bërë e ditur gjatë ditës së djeshme dhe në vendin ku ndodhet varri masiv kanë mbërritur ekspertë të policisë, të mjekësisë ligjore dhe të prokurorisë. Këta të fundit kanë nisur hetimet dhe pritet që ditën e sotme të urdhërojnë ekspertët e Mjekësisë Ligjore të nisin punën për ekzaminimin e eshtrave, për të përcaktuar kështu datën e ekzekutimit dhe në bazë të regjistrit, edhe identifikimin e tyre të mëparshëm. 
Varri masiv
Kanë qenë kërkimet e një personi, i cili ishte duke kërkuar eshtrat e babait të tij, që ka gjetur edhe varrin e madh. Varret ishin të gjithë në një luginë pranë kodrave të Dajtit. Bëhet fjalë për njërën prej zonave të pabanuara të Linzës, në rreze të malit të Dajtit, ku u nxorën në dritë brenda pak ditësh më shumë se 19 skelete njerëzish, që mendohet se u përkasin të pushkatuarve gjatë kohës së komunizmit. Gjatë mbrëmjes së djeshme për këtë çështje ka reaguar zyrtarisht edhe policia e Tiranës, e cila tha se eshtrat janë gjetur nga familjarë të të zhdukurve në kohën e komunizmit, në një luginë në fshatin Qerret, komuna Dajt, në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të ish-Komitetit Ekzekutiv, Tiranë. Nga këqyrja e vendit të gjetjes së këtyre eshtrave, përveç eshtrave të gjetura nga familjarët, dje u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila u dërgua për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Policia tha se janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit pjesëtarë të familjeve të viktimave të ish-regjimit komunist, që kanë bërë kërkime për gjetjen e të afërmve të tyre të pushkatuar. Kjo hipotezë vërtetohet edhe nga njeriu që i zbuloi këto eshtra, i cili për një kohë të gjatë ka studiuar zonën dhe ka bërë gërmime private në kërkim të varrit të të atit, të pushkatuar në vitin 1975.
Dyshimet
Eshtrat janë gjetur në varre, të shpërndarë në një sipërfaqe mbi 70 metra katrorë. Mënyra e vendosjes së varreve vërteton në mënyrë hipotetike, se periudha e ekzekutimeve ka qenë e shtrirë në kohë, pasi nuk ka një varr të përbashkët, por varre të ndara me një apo dy skelete njerëzish, në një afërsi prej katër apo pesë metrash me njëri-tjetrin. Eshtrat nuk janë nxjerrë nga varret prej ekspertëve, por nga personi që i ka zbuluar dhe janë futur në thasë, duke iu dorëzuar më pas morgut të qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza", ku mesa duket do të jenë aty për disa kohë. Kjo për shkak se për ekzaminimin e eshtrave, mjekësia ligjore pret një vendim të Prokurorisë së Tiranës, që duhet të vijë gjatë ditës së sotme. Institucioni i akuzës së kryeqytetit ka nisur paraprakisht një hetim për këto eshtra, por që deri tani nuk ka pasur një praktikë hetimi për të pushkatuarit e kohës së komunizmit. Burimet zyrtare të mjekësisë ligjore shprehen se depozitimi i eshtrave të gjetura në Linzë është bërë nga një oficer i policisë gjyqësore. Ndërkaq, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, vazhdon puna për këqyrjen e të gjithave eshtrave dhe mbetjen kockore, të cilat ndodhen në morgun e Tiranës.
 
 
 
Roja i arkivit
Xhaferr Bregasi, roja i arkivit në Bashkinë e Tiranës, i pyetur për këtë zbulim shprehet: "Zona ku u gjetën eshtrat njihet si zonë ku pushkatoheshin njerëz nga regjimi i egër komunist". Nga Bregasi mësohet se ekzekutimet në këtë zonë janë nga viti 1975 e më pas. Të gjitha të gjyqeve politike, me përjashtime të rralla dhe pa gjyq.
 
 
 
Krimet e komunizmit
 
Haluca: Nuk janë gjetur eshtrat e 2 mijë të zhdukurve
TIRANë - Zbulimi i varrit masiv në Linzë të Tiranës ka risjellë edhe njëherë në kujtesën e shqiptarëve krimet e komunizmit dhe detyrimin e shtetit për t’i kthyer të zhdukurit pranë familjeve të tyre. Komisioneri i Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, thotë se ky varr nuk është i vetmi dhe kjo bazohet në dëshmitë e familjarëve të viktimave të pushkatuar nga komunizmi, të cilët kërkojnë në vite të afërmit e tyre. Ai ka thënë se nuk është gjetur bashkëpunimi me personat që kanë kryer ekzekutimet. Sipas tij, mendohet të jenë rreth 2 mijë persona janë pushkatuar dhe nuk u është gjetur trupi. “Një rast është në periferi të Shkodrës, pranë antenave të radio “Shkodrës”, ku janë varrosur Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, dy persona të ekzekutuar pas revoltës së Qafë-Barit në vitin 1984. Familjarët e tyre i zbuluan pas shumë vitesh kërkime në gjithë vendin. Tjetër rast është një person në pyllin e Sodës në Vlorë, ku familjarët gjetën eshtrat e dikujt tjetër dhe i qajnë sikur të ishin të familjarit të tyre dhe ky nuk është rasti i vetëm”, thotë komisioneri Haluca. Sipas tij, Avokati i Popullit ka nisur një hetim prej dy vitesh për gjetjen e të zhdukurve prej regjimit komunist. Por ka ardhur koha që nismat për hapjen e varreve dhe kthimin e eshtrave pranë familjes t’i marrë shteti e jo më familjet. “Ne i kemi rekomanduar kryeministrit Berisha që të ngrejë një komision hetimor, në përbërjen e të cilit të jenë përfaqësues nga SHISH-i, Prokuroria, Avokati i Popullit dhe mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, pasi këta duhen për të identifikuar eshtrat dhe për t’i numërtuar. Me kryerjen së shpejti të analizës së AND-së në Shqipëri, kjo gjë nuk do të jetë më problem”, thotë Haluca.
 
 
Kujt nuk i janë gjetur eshtrat
Lef Nosi, nënshkrues i aktit të pavarësisë, ministër i Postë-Telegrafit, ekzekutuar në 1948
Mirash Ivanaj, ministër i Arsimit, ekzekutuar në 1948
Kostaq Kota, kryeministër i kohës së Zogut, kryetar i Parlamentit
Xhemal Naipi, kryetar i parë i Parlamentit Shqiptar
Ndoc çoba, ministër i dalë nga Qeveria e Lushnjës 1920, ekzekutuar më 1948
Maliq Ushati, kryeministër në kohën e Zogut
Thoma Orollogaj, ministër i Drejtësisë në kohën e Zogut
 
Nga nomenklatura komuniste:
Koçi Xoxe, zëvendëskryeministër, ministër i Brendshëm
Abdyl Kellezi, zëvendëskryeministër
Koço Theodhosi, ministër i Industrisë
Xhavit Sollaku, drejtor i naftës
Koço Plaku, inxhinier i naftës
 
 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›