E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti refuzon gjykatën, këtë radhë me shenja

21/02/2010 Avokati Qeleshi kërkon ekspertim psikik dhe më pas vazhdimin e gjyqit

Dritan Dajti, akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë më datë 7 gusht 2009 në Plazhin e Durrësit, refuzon sërish gjykatën. I shtruar në pavijonin e kirurgjisë në Spitalin e Burgjeve, Dajti, në orën 7.40 minuta të ditës së djeshme, nuk ka pranuar të komunikojë me oficerët e shërbimit, madje ka refuzuar firmosjen e fletëthirrjes për në gjyq me anë të shenjave. Pasi ka lexuar deklaratën e firmosur nga oficerët e togës, gjykata u detyrua t’i drejtohet avokatit të caktuar nga familja për të marrë pëlqimin me qëllim vazhdimin e seancës. Mesa duket kjo është manovra e radhës, me qëllim që Dajti të mund përfitojë lehtësira gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të tij. Por Arben Qeleshi, i cili që prej disa muajsh pretendon se klienti i tij është i gatshëm të vijë në gjyq, i përsëriti trupit gjykues kërkesën për të bërë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor për gjendjen shëndetësore dhe atë psikike. Kësisoj, Qeleshi është shprehur se “Më datë 15 shkurt unë pata një takim me klientin tim në burgun 302. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, mjeku më lejoi të komunikoja vetëm 10 minuta me të. Gjatë kësaj kohe, Dritan Dajti më shfaqi mendimin për të qenë i pranishëm në gjyq. Në këto kushte unë nuk mund ta përfaqësoj”. Sakaq, avokati Arben Qeleshi shtoi më tej se Dajti ka arsye madhore që nuk paraqitet në gjyq. Prokurori Eugen Beçi i kërkoi gjykatës deklarimin e mungesës dhe vazhdimin e gjykimit në prani të avokatit mbrojtës. Të ndodhur përballë këtyre kushteve, trupi gjykues pasi u tërhoq për vendim, e shtyu gjyqin duke e ripërsëritur kërkesën për njoftimin e të pandehurit Dritan Dajti. Në sallë ndodheshin vetëm dy të pandehurit e tjerë Mariglen Muçaj dhe Ergest Doçi. Dajti refuzon të njohë akuzën edhe pse avokati këmbëngul se është i gatshëm të paraqitet.

Manovra me dosjen

Duket qartë se Dritan Dajti nëpërmjet avokatit të tij po luan një lojë të mbështetur në ligj. Që prej 7 muajsh nga dita kur ai kreu masakrën në Durrës, tenton të tërheq vëmendjen e gjykatës për gjendjen e tij shëndetësore, nga ana tjetër nuk merr mundimin as të firmosë fletëthirrjet. Gjykata nuk po komunikon dot me të.

Veçimi i dosjes

Marenglen Muçaj dhe Ergest Doçi janë paraqitur rregullisht në gjyq. Ata kanë kërkuar veçimin e gjykimit nga Dritan Dajti. Për këtë kërkesë të bërë nga avokati mbrojtës i tyre, gjykata ende nuk është shprehur me vendim, për shkakun e vetëm, atë të mosparaqitjes së Dritan Dajtit në sallën e gjyqit.

Reforma në vazhdim

Drejt shkrirjes disa drejtori në Ministrinë e Drejtësisë

Që nga fillimi i këtij viti në Ministrinë e Drejtësisë është duke u hartuar një material i hollësishëm për punën në secilën drejtori. Burime pranë kësaj ministrie bëjnë të ditur se janë bërë gati lista për shkrirjen e disa drejtorive, por ende nuk është shpallur zyrtarisht. Ndërkohë që frika tashmë ka pushtuar një pjesë të administratës në këtë ministri. Puna për shkurtimin e disa punonjësve të administratës dhe shkrirjen e disa drejtorive ka filluar nga Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve. Pikërisht nga kjo drejtori do të hiqen një pjesë mirë e administratës, të cilët varen nga Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë që tashmë 30 punonjës janë bërë gati për të lënë detyrën, ankthi ka pushtuar secilin nga ata që bën pjesë në çdo drejtori përkatëse. Sipas burimeve, numri një i drejtësisë, Bujar Nishani, është shprehur se do të shkrijë të gjitha ato drejtori që janë inefiçente dhe kanë fryrje. Përfaqësues të Drejtorisë së Burgjeve, të pyetur për këtë problem, u shprehën se ende nuk ka ndonjë gjë konkrete edhe pse momentalisht prej tyre duket se dihet se kush nga drejtoritë do të përfundojë me shkrirje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›