Dikasteri blu: “Për pasaporta aplikuan 501 mijë shqiptarë”
21/02/2010 TIRANË- Ministria e Brendshme informon opinionin publik nëpërmjet zëdhënësit, Fatmir Konja, se “Saktësisht në bazë të të dhënave të datës 18 shkurt 2010, numri i aplikimeve për pasaporta biometrike arriti shifrën 501 mijë. Duke shprehur kënaqësinë për ritmin e shpejtë dhe suksesin e këtij procesi, Ministria e Brendshme gjen rastin të përgëzojë të gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për t’u pajisur me pasaporta biometrike, këtë dokument të standardeve evropiane. Ndërkohë, dëshirojmë të theksojmë se është e rëndësishme që qytetarët të paraqiten për të tërhequr pasaportat biometrike për të cilat kanë aplikuar. Në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe gjendet një sasi e madhe pasaportash biometrike, të cilat nuk janë tërhequr nga qytetarët. U bëjmë thirrje këtyre qytetarëve të nxitojnë dhe të paraqiten për të tërhequr pasaportat e tyre biometrike. Rikujtojmë gjithashtu se marrja e pasaportës së re biometrike do të shoqërohet me bërjen të pavlefshme të pasaportës në përdorim nga shtetasi në momentin e paraqitjes pranë zyrave të “Aleat” në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe”.