“Dakli, krenari e Shqipërisë dhe qytetit të Elbasanit”

Arben Imami i dorëzon Certifikatë Mirënjohje kimistit të njohur Ibrahim Daklit
Ministri Arben Imami i shoqëruar nga kryetari i PD-së për Elbasanin, deputeti Luçiano Boçi dhe kryetari i Qarkut Eugen Isaj zhvilluan një vizitë në familjen e Ibrahim Daklit, pasardhës i familjes së njohur Dakli në Elbasan, i njohur në Italinë fqinje për një karrierë të shkëlqyer në fushën e kimisë industriale. 93 vjeçari është kthyer në vendlindje dhe ka marrë pjesë edhe në disa aktivitete që u organizuan për nderimin e xhaxhait të tij Ahmet Daklit dhe 90 vjetorit të gazetës “Ura e Shkumbinit”.
Në një bashkëbisedim miqësor me ministrin Imami ai ka evidentuar ndryshimet e mëdha që vihen re gjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri dhe kanë këmbyer mendime për perspektivat më të mira të vendit tone. Në nder të veprës dhe figurës së këtij personaliteti Këshilli i Qarkut Elbasan i dha titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”, titull që ju dorëzua nga ministri Imami në emër të këtij qarku. Ibrahim Dakli, kimisti i njohur me 27 shpikje, i larguar vite më parë nga Shqipëria për studime, dhe jo për arsye politike, por më pas duke qëndruar për arsye politike në Itali, pas instalimit të diktaturës komuniste nga ku vendosi përfundimisht të mos kthehej pasi nuk e mbështeti dhe përkrahu asnjëherë komunizmin.
Me ardhjen e demokracisë ai kthehet çdo vit në vendlindje ku gjen të afërmit dhe kujtimet e fëmijërisë. Regjimi komunist e joshi për ta kthyer, madje edhe mori teknologjinë nga nipi i Ahmet Daklit, por kurrë ai nuk pranoi. Arben Imami e vlerësoi si një privilegj dhe kënaqësi të veçantë dorëzimin e kësaj certifikate pasi e vlerësoi Ibrahim Daklin si krenari të Shqipërisë dhe qytetit të Elbasanit, jo vetëm për karrierën e njohur por edhe si një njeri që nuk mbështeti kurrë diktaturën komuniste.