Dëshmia e babait: Isha i dehur, nuk doja ta vrasja djalin
Marash Lulaj ka thënë para gjykatës se djali donte ta vriste me thikë dhe më pas ai e gjuajti pa dashje me armë
SHKODËR Arrest në burg ka vendosur gjykata e shkallës së parë në Shkodër për 60- vjeçarin Marash Lulaj, i cili të hënën vrau djalin e tij Edmond Lulaj 28 vjeç. Para trupit gjykues, Marash Lulaj ka shfaqur pendesë të thellë dhe ka kërkuar që ndaj tij të mos ketë mëshirë, ndërsa ka shpjeguar dhe rrethanat e ngjarjes. “Nuk desha ta vrisja. Kemi pirë bashkë gjithë ditën dhe pastaj u zumë, pasi ai ishte ndarë nga e fejuara, ndërsa mua më kishte ikur gruaja në Greqi te vajza që jeton atje me familje. Edmondi më gjuajti me celular dhe mori një thikë të vjetër dhe m’u vërsul. Thika nuk do më bënte gjë, se ishte e ndryshkur, por pata frikë dhe për ta trembur mora çiften që ishte në dhomë. Nuk e dija se ishte e mbushur dhe e shkreha pa dashje. Kur Edmondi ra në tokë dhe pashë se kishte vdekur kuptova çfarë kishte ndodhur. Telefonova vëllanë tim dhe policinë. Për mua tani jeta ka marrë fund dhe më mirë të më vrisni.”Akuza e ngritur për 60-vjeçarin ka qenë ajo e vrasjes në kushtet e tronditjes psikike dhe ka kërkuar arrest në burg për të. Mbrojtja ka kërkuar ndryshimin e cilësimit të veprës penale nga “vrasja në kushtet e tronditjes psikike” në “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa për masën e sigurisë është shprehur se e lë në gjykim të trupit gjykues. Gjyqtari Hasan Selimi ka vendosur arrest në burg për 60-vjeçarin Marash Lulaj. Nga dëshmitë e grumbulluara ka rezultuar se babë e bir grindeshin shpesh kohët e fundit dhe konsumonin pije alkoolike. Për këtë kanë reaguar dhe të afërm të tyre, por pa mundur të ndalonin konsumimin e alkoolit prej tyre. Mësohet se për shkak të grindjeve dhe situatës në familje, gruaja e Marashit dhe nëna e viktimës kishte ikur në Greqi te vajza, ndërsa babë e bir vazhdonin të pinin dhe të grindeshin.Viktima nga Stërbeqi i Malësisë së Madhe, ku dhe ndodhi ngjarja, kishte 6 muaj që ishte kthyer nga Greqia dhe ishte ndarë nga e fejuara .
D.KOLAJ