“Dako keqpërdori taksat e qytetarëve dhe favorizoi deputetët e PS-së”

Durrës/ Kandidati demokrat Ferdinand Xhaferaj, takon banorët e ish-Kënetës dhe Shkozetit
Takimet elektorale të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, për kreun e Bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, kanë vijuar në zonën e ish-kënetës dhe Shkozet. Në zonën e ish-kënetës, zonë në të cilën Xhaferaj ka fituar disa herë mandatin si deputet, kandidati demokrat u ndal në krahasimin e punës së bërë nga ana e bashkisë së Durrësit dhe investimeve që kanë ardhur nga ana e qeverisë. Sipas Xhaferajt, puna e bashkisë, jo vetëm që nuk po duket, por përkundrazi mungesa e punës konkrete, shpreh abuzimin që ky institucion ka bërë për katër vite me qytetarët e saj. “Nuk ndodh në asnjë vend që bashkia të vjelë taksat e qytetarëve të saj dhe kryetari i bashkisë t’i përdorë ato në shërbim të interesave të tij personale. Kjo ka ndodhur me Vangjush Dakon në këto katër vite që ai drejtoi Bashkinë e Durrësit”, u shpreh Xhaferaj përpara banorëve të ish-kënetës ndërsa parqaqiti një listë në të cilën shfaqeshin disa firma ndërtimi, të cila janë detyruar të blejnë betonin e firmës së Vangjush Dakos. “Kjo është lista e kompanive, të cilat Dako i ka detyruar që në këmbim të lejeve të ndërtimit ato të merrnin beton në firmën “3D”, ku Dako është bashkëpronar, tha Xhaferaj, duke vijuar se, kjo është filozofia me të cilën Vangjush Dako ka zgjedhur të punojë për qytetin dhe të qeverisë qytetarët durrsakë, të cilët para katër vitesh i besuan qytetin me vullnetin e mirë që ai ta çonte përpara atë. Në katër vite, zotëria keqpërdori besimin e qytetarëve të tij, ndaj dhe ata do ta ndëshkojnë në datën 8 maj. Vangjush Dako nuk mund t’i përdorë paratë e tij për të blerë votat e 8 majit. Nëse tenton ta bëj , do të marrë përgjigjen që nuk i shkon ndërmend”. Për kandidatin Xhaferaj abuzimet e rivalit të tij në këtë garë elektorale,Dakos, me detyrën e kryebashkiakut, nuk mbarojnë me kaq . “Këtu është një tjetër listë, e cila tregon se si Vangjush Dako, favorizon kompani të deputetëve të Partisë Socialiste, duke ju dhënë tendera me vlerë disa miliona lekë, duke abuzuar në këtë mënyrë me paratë e taksa paguesve durrsakë. Në të njëjtën kohë po abuzon edhe me besimin që votuesit i dhanë me votën e tyre katër vite më parë”. Xhaferaj akuzoi Dakon se pritshmërive të qytetarëve, katër vite më parë, për t’i dhënë një zhvillim të ri qytetit të Durrësit, Dako iu është përgjigjur duke parë vetëm interesat e tij dhe të njerëzve pranë tij.
“Të gjitha këto që ne themi dhe i adresojmë Vangjush Dakos, janë të dokumentuara, çka vërtetojnë më së miri abuzimin e tij me postin e kryebashkiakut në këto 4 vite. Le të dalë dhe t’i kundërshtojë, por edhe vetë ai e di që të gjitha këto janë të vërteta”. Duke iu referuar investimeve konkrete në zonën e ish-kënetës, Xhaferaj u shpreh se këto investime janë në nivelin zero. “Të gjitha investimet e bëra janë falë këmbënguljes sime si deputet i zonës. Kam vajtur me dhjetëra herë në zyrën e kryeministrit për të kërkuar fonde, që të ndërhyhet në infrastrukturën e kësaj zonës, dhe shembulli më i mirë është rruga e ndërtuar përmes ish-kënetës e që e ka bërë Durrësin një qytetet me dy hyrje, tha Xhaferaj, duke vijuar më tej se, të vetmet investime të bëra nga Bashkia janë ato të bëra gjatë përmbytjeve , me këmbënguljen e Këshillit Bashkiak, i cili lëvroi fonde në drejtim të infrastrukturës së kanalizimeve”. Kurse në takimin që pati me banorë të Shkozetit, kandidati demokrat Xhaferaj u njoh me problematikën e banorëve. Ndërsa lëvizi në këmbë në brendësi të lagjeve, i shoqëruar edhe nga qytetarët, këta të fundit i shprehën Xhaferajt shqetësime e tyre, të lidhura kryesisht me mungesën e rrugëve dhe kanalizimeve, për të cilat banorët thanë se janë kthyer në problemin e kryesor, duke jua vështirësuar jetesën, pasi qarkullimi dhe lëvizja kthehet çdo ditë në tmerr. Dorëzoj mandatin e kryebashkiakut, nëse ngrihet TEC në Porto Romano “Unë e dorëzoj mandatin e Kryebashkiakut në qoftë se në Durrës ngrihet TEC në Porto Romano”. Kështu është shprehur dje kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferraj. Ai tha se është kundër projektit për ndërtimin TEC-it në qarkun e Durrësit. Xhaferaj është shprehur në mënyrë të hapur kundër projektit për ndërtimin e TEC-it me qymyr në Porto Romano. Reagimi i kandidatit demokrat për bashkinë e Durrësit, vjen në një kohë kur rivali i tij, Vangjush Dako e ka akuzuar z.Xhaferaj se ka pas një qeveri që ka në projekt ndërtimin e TEC-it në Durrës. Kandidati socialist, Vangjush Dako, ka pretenduar se ndërtimi i TEC-it në Durrës, do të ishte një masakër për turizmin. Por, reagimi i z. Xhaferaj është i menjëhershëm. Ai deklaron publikisht se në Durrës nuk do të ketë një TEC.
...