“Kelmendi do të jetë një pikë e veçantë turizmi”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vijon prezantimin e kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin”, në veri të vendit
Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht nënkryetare e PD, Jozefina Topalli ishte dje në komunën Kelmend ku dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të kësaj komune, Gjeto Dukaj.
Duke vlerësuar projektet e zotit Dukaj për zhvillimin dhe përmirësimin e jetesës së banorëve të Kelmendit, Kryetarja e Kuvendit garantoi mbështetjen për financime dhe investime të mëtejshme në rrugë, shkolla, qendra shëndetësore. Në mënyrë të veçantë, zonja Topalli vuri theksin tek projektet ambicioze për zhvillimin e potencialeve turistike të kësaj zone e cila është e pasur me resurse të mrekullueshme natyrore.
“Unë dua që nesër të punoj me kryetarin e ardhshëm te komunës Kelmend Gjeto Dukaj për të bërë malësinë në përgjithësi, por Kelmendin në veçanti një vend të vizituar nga turistët, një pikë turizmi shumë të veçantë për Shqipërinë dhe këtë do ta bëjmë”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit shprehu respektin dhe mirënjohjen për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme që banorët e kësaj komune kanë dhënë ndaj Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, Jozefina Topalli theksoi se mazhoranca dhe mbetet e vendosur për të arritur objektivin e shpallur nga Kryeministri Sali Berisha, që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar në vitin 2017.
“Vizioni dhe projektet tona janë ambicioze. Janë të guximshme. Projektet dhe premtimet tona janë gjëra që ne i vendosim në kalendar dhe i qëndrojmë me ndershmërinë më të madhe. Unë kam bindjen e thellë se ndershmëria është politika më e mirë. Ndershmëria është gjëja që të çon në rrugën më të sigurt pavarësisht nga pengesat që të pandershmit na vendosin gjatë kësaj rruge”, tha zonja Jozefina Topalli.
Më tej, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se Shqipëria ka arritur një progres të admirueshëm në këto 20 vite dhe u shpreh optimiste se do të arrijë të kapërcejë sfidat dhe vështirësitë drejt Bashkimit Europian. “Ka burra dhe gra që i qëndrojnë pengesave dhe vështirësive dhe kanë kurajo. Dashuria që kanë për kombin, vendin, flamurin. Nga respekti që kemi për atë që baballarët tanë kanë bërë në shekuj për ta bërë vendin një vend me dinjitet dhe një vend që së shpejti është e mundur për ta bërë anëtar të BE-së”, tha zonja Jozefina Topalli.
Në përfundim të fjalës së saj përpara banorë të Kelmendit, zonja Jozefina Topalli nënvizoi se interesat e kombit, qytetari dhe interesat e tij mbeten në qendër të vëmendjes dhe prioriteteve të mazhorancës. “Sali Berisha ka bërë çdo gjë të mundur që të mos lejojë që edhe për një çast ta shkëpusë nga axhenda e rritjes ekonomike të vendit tonë, integrimit të vendit tonë, e heqjes së vizave të vendit tonë, e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve dhe sjelljes së rrugëve të reja, e përmirësimit të infrastrukturës dhe transformimit rrënjësor që vendi ynë ka bërë gjatë kësaj periudhe”, tha më tej kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.