“Në 4 vitet e ardhshme do të mbështesim çdo projekt që zhvillon Përrenjasin”

Përrenjas, Kryeministri Sali Berisha prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” Bajazit Karriqi
Kryeministri Sali Berisha vijoi dje prezantimin e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit. Ndalesa e parë e kryeministrit ishte në Përrenjas, ku në takimin me qytetarë të Përrenjasit, shprehu mbështetjen për kandidatin e këtij koalicioni Bajazit Karriqi.
Duke shprehur vlerësimin për zotin Karriqi, Kryeministri garantoi qytetarët e Përrenjasit se në katër vitet e ardhshme do të mbështetet çdo projekt që ndryshon dhe zhvillon Përrenjasin, do të asfaltohet çdo rrugë, do ndërtohet e rindërtohet çdo shkollë, ujësjellës e sistem kanalizimi, në rrethin e Librazhdit.
Kryeministri veçoi ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan me katër korsi dhe tunelin 2.4 kilometër, që do të shkurtojë me 50 minuta distancën me kryeqytetin. Të tjera projekte të rëndësishme për këtë rreth, janë në ndërtim apo do të ndërtohen si rruga Librazhd-Qafë Stude, Banjë-Elbasan, Gramsh-Maliq.
“Në qarkun e Elbasanit, në pesë vite, janë ndërtuar 400 kilometra rrugë, nga të cilat 227 kilometra rrugë rurale dhe 73 kilometra rrugë kombëtare, 51 qendra shëndetësore, 37 sisteme ujësjellës-kanalizimi, 78 shkolla e kopshte; Janë financiar nga qeveria në katër vite për 4 mijë hektarë tokë, apo 30 herë më shumë, se në tetë vitet e qeverisjes socialiste; kanë përfituar 3900 fermerë. Në vitin 2011 kanë aplikuar 1780 fermerë, për 800 hektarë tokë. Politikat qendrore kanë bërë të mundur që të dyfishohet numri i bizneseve në qarkun e Elbasanit, nga 5100, sot janë 9700”, është shprehur kryeministri Sali Berisha.
Kreu i qeverisë premtoi se brenda një kohe shumë të shkurtër do ndërtohet autostrada Tiranë-Elbasan, e cila do të reduktojë ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Përrenjasit. Berisha foli dhe për politikat e qeverisë ndaj fermerëve teksa deklaroi se “fermerët e qarkut të Elbasanit janë financuar nga qeveria në katër vite, për 4 mijë hektarë tokë, apo 30 herë më shumë, se në tetë vitet e qeverisjes socialiste. Kanë përfituar nga ky subvencionim 3900 fermerë. Vetëm në vitin 2011 kanë aplikuar 1780 fermerë, për 800 hektarë tokë. Ne garantojmë se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulli, arrë, lajthi, gështenjë dhe dru frutorë që ju do të mbillni, për të ndryshuar dhe mëkëmbur jetën tuaj”. Kryeministri theksoi se thelbi i politikave të qeverisë shqiptare është thithja e investimeve, me qëllim rritjen e punësimit dhe mirëqenies ekonomike të shqiptarëve.
“Politikat tona kanë bërë të mundur që të dyfishohet numri i bizneseve në qarkun e Elbasanit, nga 5100, sot janë 9700. Ju garantoj se me politika të tjera të ardhshme, me qeveritarët vendorë të ‘Aleancës për Qytetarin’, ne do të stimulojmë më shumë tërheqjen e investimeve dhe bizneseve në Përrenjas e mbarë Shqipërinë. Ky është zotimi ynë para jush dhe para mbarë shqiptarëve”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Sali Berisha.
Rrajcë, Prezanton kandidatin për kryetar komune, Seladin Bogdani
Kryeministri Berisha u ndal dhe në komunën e Rrajcës ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar të kësaj komune, Seladin Bogdani. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha shprehu mbështetjen për zotin Bogdani dhe siguroi banorët se qeveria do mbështesë çdo projekt për zhvillimin e kësaj komune, si dhe ftoi fermerët e kësaj zone të aplikojnë për të përfituar nga projekti kombëtar për mbjelljen e drurëve frutorë, të cilët do të subvencionohen për çdo rrënjë të mbjellë. Berisha solli në vëmendje se “gjatë katër viteve të shkuara, qeveria ka investuar në këtë komunë rreth 5 milionë dollarë”, ndërsa garantoi se i njëjti përkushtim do vazhdojë edhe për vitet e ardhshme, duke investuar në infrastrukturë për modernizimin e rrugëve të çdo lagje të Rrajcës.
“Ju garantoj se kjo është meritë në radhë të parë e kryetarit tuaj të komunës, i cili, me dashurinë dhe përkushtimin për ju, me aftësinë e tij, ka mbrojtur në qeveri e ka qenë një avokat i shkëlqyer i interesave, hallave, derteve e problemeve tuaja. Katër vitet që vijnë, unë ju garantoj se me Seladinin do të asfaltojmë çdo rrugë të të gjitha fshatrave të kësaj komune. Katër vitet që vijnë, ne do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë e qendër shëndetësore që pret për t’u ndërtuar, në këtë komunë, sistemin e kanalizimeve dhe sistemin e vaditjes. Katër vitet që vijnë, burimi i bjeshkëve të Librazhdit, gurrat e zezë do të zbresë në Rrajcë dhe ju do të keni ujërat më të mira, më minerale të të gjithë rajonit”, u shpreh kryeministri Berisha.