E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rruga e vetmisë”, rruga e fundit politik për Edi Ramën

25-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha vazhdon turin e prezantimit në Devoll

Kryeministri Sali Berisha, në vijim të axhendës së takimeve, në kuadër të prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, u takua me qytetarë të Devollit, ku prezantoi dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e këtij koalicioni për kryetar të bashkisë Bilisht, Valter Miza.
Kryeministri garantoi qytetarët e Devollit se investimet në bashkinë e në komunat e tij do të shumëfishohen, do të bëhet çdo investim që nxit agrobiznesin, përpunimin dhe tregun e prodhimeve të kësaj zone dhe ftoi fermerët e këtij rrethi, në të cilin në katër vitet e shkuara janë subvencionuar 400 hektarë pemëtore, ta katërfishojnë këtë sipërfaqe. Në fjalën e tij kryeministri Berisha ka sulmuar kreun e PS-së Edi Rama duke shtuar se në këto zgjedhje do të jetë fundi i ri i tij, kryeministri u ndal në alternativën e opozitës duke theksuar se alternativa e votës së vetme është përpjekje për të shkelmuar votën e qytetarëve.
“Krahas alternativës së punës dhe përkushtimit qytetar, është edhe alternativa që një herë nisi si alternativa Fajin e ka Saliu, herën tjetër bitisi rruga e vetmisë dhe në fund do ta shohim, fundi i ri i zotit Edi Rama. Se cila ishte e vetmja rrugë, gjeneratës sonë i kujtohet shumë mirë. Vërtet zoti Edi Rama e mori këtë hua nga etërit e vet, natyrisht, nuk ka ndërmend këtu të rikthej këtu atë kohë që nuk mund ta rikthejë kurrë. Por cila ishte për secilin prej jush, për secilin shqiptar, këto katër vjet, alternativa e rrugës së vetme? Alternativa e rrugës së vetme ishte një përpjekje e madhe, e jashtëzakonshme për të shkelmuar mbi votën tuaj, mbi vullnetin tuja të lirë. Alternativa e rrugës së vetme ishte një përpjekje e madhe, përpjekje e jashtëzakonshme, për të bllokuar anëtarësimin  e vendit në NATO. Alternativa e rrugës së vetme ishte një përpjekje e madhe, përpjekje çnjerëzore, për të bllokuar e futur vizat tuaja në kuti, ishte një përpjekje e madhe, përpjekje çnjerëzore, për të bllokuar rritjen e rrogave e pensioneve, për të bllokuar projekte e mëdha infrastrukturore, për të votuar kundër çdo ligji, vendimi, ndihme, përpjekjeje e amnistie të bërë në interesin e qytetarëve shqiptarë. Alternativa e rrugës së vetme është alternativa që ju kurrë nuk e meritoni. Në rrugën e lirisë, secili ka rrugën e tij, ndërsa për shokun Edi Rama, rruga e vetme është vetë kryetar bashkie, sepse tek bashkia ka lugën e artë, vetë kryetar qeverie, sepse tek kryeministri ka ëndrrën e artë, nuk do t’i plotësohet ndonjëherë. Rruga e vetme është kryetar partie, sepse tek partia ka peshkun e artë, i cili po e çon të sigurt drejt një fundi të merituar, po ecën i sigurt drejt banesës së harresës, drejt shtëpisë së të shkuarës. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”, tha kryeministri Berisha.
Në prezantimit e kandidatit Valter Miza, Berisha theksoi se në gjithë zonën e Devollit ka pasur investime cilësore.
“Është investuar dhjetëra herë më shumë sesa në të gjitha periudhat e qeverisjes së mëparshme. Gjatë katër viteve investimet në komunat tuaja do të shumëfishohen. Do të lidhim të gjitha zonat turistike me rrugë automobilistike”, tha Berisha.
Më tej kryeministri Berisha premtoi se gjatë 4 vitet e ardhshme qeveria do të shndërrojë në realitet të plotë çdo projekt të hartuar për këtë zonë.
“Qeveria, ka investuar në këtë zonë 10 herë më shumë se në të gjithë periudhën e mëparshme. Katër vitet që vijnë investimet në Bashkitë dhe Komunat e Devollit do të shumëfishohen”, premtoi Berisha duke deklaruar se objektivi kryesor i mazhorancës është “Devolli turistik, Korça turistike”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›