Dakord me sukseset, po minimumin jetik, kur e arrijmë?
Jemi mësuar tashmë që kur vjen fundi i mandatit qeverisës, apo edhe kur ngel veza kryq “si ajo e Gërdecit”, niveli i demagogjive arrin maksimumin. Dëgjojmë përditë lajme të gëzuara nga “Qeveria e premtimeve të mbajtura”, por kisha një pyetje: Dakord me sukseset e mëdha, dhe t’i gëzojmë të gjithë bashkë ishallah, vetëm se dua të pyes krye-premtim-mbajtësin: sa dekada të tjera, për të mos thënë shekuj, do t’i duhet këtij populli të vijë të paktën tek minimumi jetik?
Me çmimet si në Europë, apo edhe më të larta, ky minimum jetik, sipas llogarive të mia si qytetar i varfër, duhet të jetë të paktën 600 mijë lekë në muaj...
Sa për pagat e pensionet, do të kujtoja që diktatori Hoxha merrte 14 mijë lekë, kur pagat ishin 7 mijë lekë. Sot që kjo pagë mesatare është rreth 200 mijë lekë do të duhej t’i bënte të reflektonin qeveritarët tanë që në mos dyfish, le ta kishin trefish pagën e tyre, sepse me dhjetëra herë më të lartë siç e kanë aktualisht, zor se i shkon në mendje të ngopurit, për të pangopurin. Përveç që diferenca është e pajustifikueshme dhe çdo 5 apo 10% rritje nuk ndryshon asgjë në këtë vorbull inflacioni e rritje çmimesh; ju zotërinj qeveritarë, me paaftësinë tuaj e keqmenaxhimin e qëllimshëm ose jo, keni treguar që nuk e meritoni lekun e popullit.
Një ditë edhe Shqipëria do të bëhet, por dëmi është më i madh e i parikuperueshëm, që është vepra juaj më e rëndë, është stresi e depresioni që është ulur këmbëkryq në çdo familje. Pretendojmë të shkojmë në Europë kur as Ballkani ku bëjmë pjesë, me të drejtë nuk na pranoi...!