Shqipëria nën ujë

Shirat e vjeshtës që rikthehen pas një vere të nxehtë kapën në befasi pjesën më të madhe të qyteteve të vendit, duke paralizuar thuajse tërësisht lëvizjen e mjeteve dhe të këmbësorëve. Të paktën tre qytete vuajtën gjatë ditës së djeshme pasojat e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që ranë në orët e parë të mëngjesit. Më të prekur nga kjo “stuhi” e befasishme ishte qyteti i Beratit, Durrësi dhe Vlora, të cilët thuajse gjatë gjithë paradites “kanë notuar” mbi ujë. Shiu i rrëmbyeshëm i orëve të para ka përmbytur tërësisht rrugët kryesore të qytetit të Beratit. Shkak për këtë përmbytje është bërë mungesa e mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore dhe kryesisht rrjeti kullues dhe pusetat e amortizuara, të cilat janë tërësisht të bllokuara. Prej më shumë se 30 minutash Berati është kthyer në një qytet “të lundrueshëm”, pasi çdo rrugë e tij ishte e mbuluar jo vetëm nga reshjet e shiut, por edhe nga ujërat e zeza që kanë shpërthyer nga pusetat e amortizuara. Më të prekura nga kjo përmbytje kanë qenë lagjet “Kushtrimi”, “10 korriku” dhe qendra e qytetit, vende këto ku janë vendosur edhe disa tregje, të cilët janë dëmtuar si pasojë e reshjeve të dendura. Pas çdo përmbytjeje të tillë, drejtuesit e bashkisë premtojnë masa urgjente për përmirësimin e situatës, por ende nuk ka një zgjidhje për këtë fenomen, i cili herë pas here prek qytetin që tashmë është futur edhe në UNESKO. Thuajse e njëjta panoramë ka qenë edhe në qytetin bregdetar të Durrësit, ku përgjatë mëngjesit të djeshëm mjaft rrugë dhe kryqëzime të këtij qyteti u përmbytën nga reshjet e shiut, duke paralizuar qarkullimin. Shkak për këtë gjendje janë bërë pusetat e bllokuara, të cilat nuk kanë mundur të përballojnë sasinë e ujërave që janë mbledhur nga mëngjesi deri në mesditë. Më e vështira situata ka qenë në kryqëzimet tek stadiumi “Niko Dovana” dhe stacioni i trenit, pasi kalimi i ka qenë mjaft i vështirë si për kalimtarët, ashtu edhe për mjetet. Edhe në portin e Durrësit puna në sektorin e ngarkim-shkarkimit është ndërprerë plotësisht, për shkak të reshjeve të dendura. Vlora ishte një tjetër qytet që vuajti pasojat e shiut të rrëmbyeshëm që zgjati rreth tri orë, duke e çuar sasinë e ujit në rrugët e qytetit deri në 50 cm. Disa nga zonat më të dëmtuara nga përmbytja kanë qenë bulevardi kryesor i qytetit, hyrja e qytetit nga rruga e re, zona e “Gjyqit të vjetër”, fabrika e orizit, zona e universitetit, rruga “Justin Godari”, si dhe disa banesa njëkatëshe dhe katet e para të pallateve në lagjet “Pavarësia”, “24 maji” dhe “1 maji”. Nga reshjet e furishme të shiut janë përmbytur disa shkolla, kopshte dhe çerdhe në qytet, si dhe muzeu etnografik dhe kati i parë i muzeut Historik. Për afro 4 orë qyteti ka qenë thuajse i paralizuar nga reshjet e shumta pasuar me stuhi, që janë bërë shkak për ndërprerjen e qarkullimit rrugor. Duke parë këtë situatë, ndërmarrja e shërbimeve komunale ka angazhuar punonjësit dhe mjetet e saj për hapjen e pusetave të bllokuara, si dhe të largimit të ujit nga rrugët e përmbytura, duke normalizuar disi situatën, e cila mbetet ende e rëndë.