E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daleni bre, palikaris!

Mu kujtua përsëri Profesori im i vjetër, kur pashë Karamanlisin. Po mundohesha dje të përfytyroja se çfarë do të thoshte ai, kur të shihte skenën e Bukureshtit, ku mospranimi i Maqedonisë, dhënë popullit grek në trajtë sihariqi nga Kryeministri, do të përkthehej duke parë shëndetin e paqtë të sihariqdhënësit në shprehjen: Si qasmë qafirët!

Pasi të kollitej pak, si e kishte zakon në raste të ngjajshme, Profesori do të më shihte si për të më rikujtuar rregullën e vjetër që më kish mësuar po vetë: Kur do të përparosh realisht, duhet të mos studiosh në fillim lojërat e gjenive të mëdhenj në shah, po mundësisht të atyre që janë më të dobët se ty. Aty do të shohësh si gabohet realisht, e të kuptosh çfarë nuk duhet bërë si fillim.

Le të vlejë kjo këshillë dhe për ca të tjerë që duan ta dëgjojnë.

Ajo që bëri Greqia me Maqedoninë në Bukuresht, padyshim, është një nga ato gabimet foshnjarake, që e ulin nivelin e diplomacisë në nivelin e lagjes apo të mëhallës së vogël.

A ishte gjesti i të madhit, që më në fund vendosi të tregojë një forcë që ia jep statusi të përfshirit në organizatën e të mëdhenjve?

Nuk ka as më të voglin dyshim për çdo njeri që ka pak haber nga harta e kësaj bote, se nga pikëpamja gjeopolitike, Maqedonia është shteti më i rëndësishëm i Ballkanit, pas Turqisë. Një analist që mundohej të tallej, ca kohë më parë, me këtë koncept, natyrisht nuk kish shumë faj. Në ato grackat e pafundme që sajohen nga grumbullimi i njohurive në internet, të cilat pastaj i plas shpejt e shpejt në gazetë, nuk mund ta kuptosh kurrë pse Maqedonia e luan një rol të tillë.

Po meqë është pasionant i historisë, le ta shpjegojmë edhe njëherë pikëpamjen e mësipërme. Natyrisht, jo për të.

Korridori më i rëndësishëm i botës është ai që zakonisht quhet Korridori i Dhjetë. Ky Korridor, me dy degëzime të rëndësishme nga Evropa Qendrore me atë që vjen nga Rusia e Ukraina, trupëzohet si fillim në Budapest. Pra, në trajtë të thjeshtë. Dy degëzimet që lidhin Evropën e Rusinë me Stambollin, e domethënë ca më tepër ç‘vjen pas tij, bashkohen në Budapest. Këtu fillon Korridori i Dhjetë, në terma zyrtare. Duke përshkuar Beogradin, Shkupin, Selanikun mbaron në Dardanele.

Në llogaritë e saj të përjetshme, Rusia që e quan Cargrad, kryeqytetin turk gjithnjë ka dashur kontrollin mbi këtë Korridor. Dhe kjo ka qenë arsyeja themelore pse në lufrat e papushimta të saj me Turqinë, sa herë fitonte, merrte nga një copë prej Evropës si ai qeni që nuk ke ç‘ti bësh për të formuar dy plasdarmat e saj, Serbi e Greqi e Madhe, që e afronin me Cargradin apo Stambollin.

Në këtë Korridor të famshëm thuajse sido që të devijosh, duhet të kalosh në Shkup. Kjo është arsyeja pse Bismarku thoshte shpesh, se nëse ke Maqedoninë, ke zotëruar Ballkanin, e rrjedhimisht Evropën. Kjo mënyrë të menduari mbetet edhe sot, jo në pikëpamjen e pushtimeve tradicionale, por të tregtisë apo transportit. Dhe kështu do të mbetet përjetë si rruga më e shkurtër natyrale, ku kryqëzohen degëzimet që lidhin Evropën e Rusinë me Lindjen. Veç nëse bëhet ndonjë kataklizmë dhe kontinentet largohen nga njëri-tjetri, jo në një metër për njëmijë vjet, por vetëm në një orë.

Duke shpallur këtë armiqësi me Maqedoninë, që do të kalojë në legjendë, Greqia vetëm izoloi veten.

Një burrë i përmasave të Papandreut të vjetër apo Simitisit nuk do ta bënte ndoshta kurrë këtë gabim, që është i tipit foshnjarak thjesht, po të vësh re miqësitë apo inatet e vendeve që të rrethojnë pas kësaj trimërie të treguar në Bukuresht.

Dhëntë Zoti që politika jonë e jashtme nuk zë e flirton në një maskarallëk të tillë me Greqinë. Duke harruar se aleanca afatgjatë me Maqedoninë për shqiptarët është më e rëndësishmja nga të gjitha aleancat në Ballkan.

Të tjerët e dinë këtë, por ata që s‘të duan thonë: "Zoti të shtoftë inatnë", e ata që të duan thonë: "Daleni bre, Palikaris"!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›