E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasojat e deshires se pare

1.

Njëra prej 236 ideve që i silleshin në atë moment në kokë, i doli në sipërfaqe. Qe darka e tij e parë në Kosovë dhe të gjitha analizat politike i thoshin se vendi kishte hyrë në krizë politike, e shkaktuar nga pamundësia e partisë fituese në zgjedhje, LDK-së, për të gjetur partnerë për koalicion. Në të hyrë në qytet dhe përderisa shkonte në restorant, nga rezidenca në të cilën sapo kishte vendosur fotografitë e tij, Michael Steiner, diplomat i shquar gjerman, në rolin tashmë të kryeadministratorit të Kosovës, befasohej nga sasia e jashtëzakonshme e mbeturinave, bërllogut, që ishte mbledhur gjithandej rrugëve të qytetit. Kur mbërriti në darkë, biseduam gjatë për zgjidhjen e çështjeve politike, por në një moment, thellë në bisedë, tha: "Këto problemet e politikës do t‘i zgjidhim. Por si do t‘ia bëjmë bërllogut"?

Steiner i hyri me vrull punës së zhbllokimit politik. I mblodhi, në fund liderët e tri partive politike shqiptare, duke krijuar një balancë të re politike. Dr.Rugova do të bëhej kryetar i Kosovës (President, siç kishte qejf të quhej), duke zbatuar më shumë autoritetin e tij se sa funksionet e vogla kushtetuese. Lideri i PDK-së, Thaçi, do të bëhej Kryeministër në hije, duke e emërtuar në këtë funksion, me presion ndërkombëtar, Bajram Rexhepin. AAK e Haradinajt do të shpërblehej për solidaritet me PDK-në, të të moszhvilluarit të negociatave të veçanta me LDK-në, duke hyrë në qeveri.

Dhe, tash i kishte mbetur dëshira e tij e parë, pastrimi i bërllogut në Prishtinë. Përballë kësaj sfide, njeriu më i fuqishëm në Kosovë, vërejti se sa i pafuqishëm mund të shndërrohet. Kur kërkoi prej ndërmarrjes komunale ta bënte punën si duhet, mori përgjigje se nuk kanë pajisje. Kur kërkoi para për pajisje prej donatorëve, i thanë se kjo do të ishte e mundur pas nja 12 muajsh. Kur kërkoi ndihmën e KFOR-it, mori përgjigje se ushtarët e NATO-s nuk janë aty për të mbledhur bërllogun. Pas shumë peripecish, arriti ta pastrojë pak qytetin, një shenjë se gjërat mund të zgjidhen në Kosovë. Por, siç shpjegojnë Iain King dhe Whit Mason në librin e tyre "Paqe me çdo kusht" (Koha, Prishtinë), me nëntitullin kumbues "Si dështoi bota në Kosovë", Steiner arriti t‘i pastrojë përkohësisht rrugët e Prishtinës, duke marrë me hua kamionët bërllogxhinj të Gjilanit. Dhe duke krijuar problem të ngjashëm atje.

2.

Dilema e Steiner-it, e natës së parë, ajo e të ndarit të vëmendjes dhe energjisë mes zgjidhjes së një kontesti politik dhe zgjidhjes së problemit të mbledhjes së bërllogut në qytet, është dilemë fondamentale e njeriut të dërguar nga OKB-ja për të administruar një territor e popullatë të dalë nga lufta. Ǒka duhet të bëjë në atë vend pos mbikëqyrjes së procesit politik, apo siç ishte rasti me Kosovën, ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në të?

Për Steiner-in, fillimisht, ishte nevoja e krijimit të një përshtypjeje normaliteti. Pas bërllogut, vendosi që çështja më e rëndësishme, apo së paku në rang të njëjtë rëndësie siç ishin çështja e sigurisë, ligjshmërisë, e të tjera, të ishte ngjyrosja me të kuqe e kamionëve të zjarrfikësve në Mitrovicë, "një gjë krejtësisht normale". Gjashtë javë rresht, niveli më i lartë i administratës së OKB-së në Kosovë është marrë me ngjyrosjen e kamionëve zjarrfikës. Në fund të këtyre gjashtë javëve, - shkruajnë autorët, - kamionët mbetën të pangjyrosur dhe kryeadministratori hoqi dorë, duke u përqendruar në çështje të tjera.

E, të tilla kishte shumë. Një administratë e mërzitur ndërkombëtare, e cila në një moment e shihte punën e vet në Kosovë, - siç thonë autorët, - si një bezdi disaditëshe mes fundjavave në Greqi, kishte në krye një kryeadministrator, i cili bezdinë fillestare të jetës në Prishtinë e mbushte me iniciativa të tjera. Pas grumbullimit të bërllogut dhe ngjyrosjes së kamionëve zjarrfikës, Steiner-i vendosi ta bashkonte qytetin e Mitrovicës. I diktoi disa mendime këshilltares së tij politike, ajo i shndërroi në pika të një politike gjithëpërfshirëse, në një pasdite ato u lexuan para përfaqësuesve të mediave e në mbrëmje, televizioni publik i Kosovës nxori reporterin e vet në lidhje të drejtpërdrejtë nga ura e Mitrovicës për të dëshmuar bashkimin e qytetit.

Të nesërmen, kryeadministratorit të Kosovës duhet t‘i ketë rënë në mend ndonjë iniciativë tjetër.

3.

A nuk ka pasur institucione, ndërmarrje, ligje, a nuk ka ekzistuar sistem në Kosovë, me të cilin gjërat do të rregulloheshin pa ndërhyrjen e nevojshme të kryeadministratorit dhe të një administrate të shtrenjtë ndërkombëtare?

Në pjesën më kritike të këtij libri, Kosova rezulton të jetë një tablo me së paku dy realitete paralele. Në njërin, administrata ndërkombëtare projekton dëshirat e natës së parë të kryeadministratorëve. Në tjetrin, zhvillohet një luftë për epërsi politike, ekonomike, pronësore e grupeve të armatosura apo me influencë në grupe të armatosura.

Dëshira e natës së parë e Bernard Kouchner-it ka qenë që fitorja e mundit të tij tridhjetëvjeçar të luftës të së drejtave të njeriut, të manifestohet në Kosovë, nëpërmjet të ndërtimit të një shteti tolerant, respektues të ligjit e të drejtave të njeriut. Që nga ditët e para të qëndrimit në Kosovë do të ballafaqohej me dhunë të drejtuar nga pakicat. Një dhunë të pandalshme me ligj, sepse nuk kishte instrumentet e ligjit në dorë. Dhe, një dhunë të pandalshme nga vetëdija, sepse nuk kishte lidership moral e politik shqiptar, që të kthente kahen negative e që do ta mbante peng Kosovën deri në ditët e sotme.

Në vend të sistemit të ligjit, duhej krijuar një sistem të balancës politike e të forcës, në mënyrë që të ruhej stabiliteti i brishtë i vendit. Në një ndeshje futbolli, një ish-komandant i UÇK-së ia çan kokën një mjeku, spektatori të ndeshjes, që kishte sharë një futbollist në terren, i cili paskësh qëlluar nip i ish- komandantit. Prokurori ndërkombëtar kishte vendosur ta nxirrte para gjyqit ish-komandantin, e madje kishte edhe dëshmitarë ndërkombëtarë për këtë rast. UNMIK-u insistoi që mos të bëhej gjykimi, me frikë se po destabilizohej situata para zgjedhjeve komunale në Kosovë. "Nevoja për stabilitet para zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë apo në Serbi u shndërrua në arsyetim të përhershëm për ta ndaluar ndjekjen e figurave me ndikim", thonë autorët.

Politika, kështu, bëhej pika ndërlidhëse e dy realiteteve, atij ndërkombëtar dhe atij vendor. Për ndërkombëtarët, ngritja e një sistemi politik (pa marrë parasysh ndikimin e ndërlidhur të krimit) ishte shenjë stabiliteti të vendit, pra edhe suksesit të tyre. Për aktorët vendorë, politika mund të ketë shërbyer në masë të madhe si mbulesë e një jete paralele, në të cilën krijohej kontrolli ekonomik, medial, politik.

Fjala magjike, që do të balanconte se sa do të tolerohej shkarja nga ligji e sjelljes vendore, do të ishte stabiliteti.

4.

Hans Haekerupp nuk do të ketë pasur dëshira të para për punë në Kosovë, ose mua nuk më dukej si njeri që mund t‘i ketë pasur. Kur erdhi në Kosovë, trashëgoi një njeri që punonte pothuaj 24 orë, Bernard Kouchner-in. Ai e kufizoi orarin e tij të punës prej 9 deri në orën 18, pas së cilës orë nuk mund të komunikoje me të, edhe po të plaste lufta në Kosovë. Apo, në Maqedoni, siç kisha rastin të përjetoja vetë.

Ashtu si orarin, kufizoi kontaktet me kosovarët, stafin e tij, botën. Kufizoi ambicien e manifestuar të botës për Kosovën, se duhej funksionuar si shtet, se duhej afruar Evropës, se duhej bërë këtë apo atë. Ashtu si orarin, kufizoi rolet e njerëzve në Kosovë. Shqiptarët duhet të trajnoheshin për institucione, serbët e Kosovës duhet të trajnoheshin për të bashkëjetuar me shqiptarët, Beogradi duhej të trajnohej për një periudhë komunikimi me botën pas rënies së Millosheviqit; ai vetë kishte porositur një pishinë të vogël, ku mund të trajnohej për not vajza e vogël.

Një ditë solli një jurist holandez, që kishte punuar në ligjin bazik të Timorit Lindor. I tha se duhej të draftonte diçka që të ishte si një lloj ligji bazik për Kosovën. Mblodhi disa ekspertë kosovarë, pastaj edhe liderët politikë. Të parët i shtyri që të lavdëronin një punë, që e degradonte Kosovën në aspektin ligjor-kushtetues. Liderëve politikë ua dha për nënshkrim, dhe Kosova me vite të tëra u kufizua nga një akt ligjor i quajtur Kornizë Kushtetuese, e që i jepte vendit më pak të drejta juridike se ç‘kishte pasur me Kushtetutën e vitit 1974 (po të shlyhej pjesa ideologjike e saj).

Kur u mblodh për herë të parë Kuvendi i Kosovës, ai diktonte me pullën e mikrofonit se kush do të fliste e kush jo, për më tepër, çka do të fliste.

Një ditë u zgjua me ndjenjën se qëndrimi në Kosovë i kishte kaluar kufijtë e tij. Mblodhi plaçkat, shkoi në Danimarkë dhe tha se nuk do të kthehet.

Mbrapa la dy realitetet: atë të suksesshëm ndërkombëtar dhe atë të një politike kosovare, që prodhonte rezoluta të kota Kuvendi.

5.

Brenda disa ditësh, liderët e serbëve të Kosovës vendosin realitetin e ri, ndarjen faktike të Mitrovicës dhe pjesës së Veriut, ndarje që do të provokojë dëmtim të procesit politik e ekonomik kosovar. Brenda po atyre ditëve, ekziston një shtytje e madhe e liderëve shqiptarë për të administruar pasurinë e vendit, përfshirë edhe KEK-un, Postën, Radiotelevizionin, shtytje që do të dëmtojë proceset ekonomike e politike në vend. Dhe, në po ato ditë, misionet e ndryshme ndërkombëtare zbarkojnë në Kosovë. Prijësve të këtyre misioneve u lind dëshira e parë.

Shikuar nga konteksti i librit, e paqartë bëhet vetëm se a po flasim për vitin 1999 apo 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›